Resmie Juniku nga Gjakova është basketbollistja e parë shqiptare, e cila ka thyer tabu në sport, ndërsa është shpërblyer me dhjetëra çmime e arritje.

Ajo shprehet nostalgjike për vitet e arta të karrierës së saj, për të cilat thekson se ishin më të bukurat.

“Nostalgjia gjithmonë ekziston dhe për momentin kam nostalgji të madhe. Në viteti 70 kam filluar në Gjakovë dhe kam përfunduar në universitetin e Prishtinës”, tha ajo duke nënvizuar se arritjet e saj janë kontribut i skuadrës dhe të tjera mbësështetjeve të panumërta.

Ajo rrëfen se rrugëtimi ishte fare rastësor, ndërsa dashuria për sportin i lindi papritur.

“Të them të vërtetën isha nxënëse e shkollës normale për mësuese në Gjakovë, kur u mbajt një turne i shkollave të mesme në Kosovë, unë nuk isha e përfshirë në ekip meqë isha vit i parë, por më hyri në zemër ku vështrova disa lojë”, tha ajo duke nënvizuar se ndonëse ishte e vështirë, që nga shkolla e mesme i lindi dëshira për basketbollin.

Ajo tregon se mori ofertën për të vijuar këtë rrugë që në ndeshjen e saj të parë, ku u pikas nga specialistë të kësaj fushe.

“Filloi një sfidë e re, unë  të them të drejtën kam pasur një inat pozitiv në sport, sepse e kam dashur me gjithë zemër.

Në një kohë ku femrat në sport ishin të pakta, ajo tregon se fillimisht hasi në skepticizmin e prindërve, që më pas u kthyen në mbështetësit e saj më të mëdhenj.

“Në fillim nuk ishin të pajtimit, pak babai. Në familjen tonë ne jemi 8 fëmijë, unë më e vogla. I thashë nënës që unë po shkoj në ushtrime, sepse isha regjistruar në “Vllazni” dhe më tha shko. Babai më tha ku po shkon, i thashë në ushtrime, ai shtangu, kjo s’më pyeti mua hiç”, tha ai. “Të gjithë ishin të lumtur që unë arrita një sukse, sepse u mora me sportin, por edhe mësimin nuk e lash anash. Farefisi e familja çdo lojë ma kanë përcjellë”.

Ndonëse shkëlqeu në një sport që ka si element shtatlartësinë, ajo tregon se ‘mungesa’ e këtij elementi nuk e penalizoi.

“1.62 e gjatë, mirëpo aspak nuk më ka penguar. Siç thotë një fjalë e urtë popullore, lira është e vogël, por e vlefshme”, pohon ajo me humor.

Largimi nga basketbolli u shoqërua me trishtim, por megjithatë ajo krijoi familje.

“E pata mjaft të vështirë të largohesha nga basketbolli, por isha kohë që edhe unë të krijoja një familje në moshën 36-vjeçare, në vitin 1989, atëherë kur më lindi çuni”, deklaroi ai.“Nuk jam larguar asnjëherë nga basketbolli edhe pse i jam përkushtuar shumë familjes, nga basketbolli unë vazhdimisht edhe me çunin e vogël, çdo lojë meshkuaj apo femra i kam përcjellë”, rrëfen ajo.

Ndonëse jo më në fushë, ajo tregon se nuk është shkëputur nga basketbolli, pasi ka shërbyer edhe si trajnere.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re