“Lexova shkrimin e Tashës për Bujarin. Nuk kam lexuar të tjerë, sepse tronditja që më dha ikja e tij, më ka paralizuar. S’ka çast të ditës e të natës, kur s’fle, të mos e mendoj pa reshtur. Bojkenit, atë ditë i nisa një mesazh ngushëllimi. Më ka humbur orientimi nga kjo goditje; jam topitur thuajse dhe më ka humbur interesi për gjithçka që po shoh kur lëvizim me miqtë dhe fëmijët. Më dërgo diçka që vlen të lexohet për të.

Më kërkuan nga ‘Panorama’ të bënim një intervistë, por e shtymë, kur të kthehem. Sigurisht, kemi se çfarë themi për një mik e artist të madh si Bujar Lako. Natasha kishte shkruar me ndjenjë e vlerësim, siç i takonte atij. Nuk di kur do ta rifitoj lëvizjen aktive nga ikja e Bujos! Ti je më racional, e konsideron të pranishme filozofinë e jetë vdekjes! Të përqafoj!” Ka përshkrime poetike që mund ta bëjnë mallin të ngjaj i bukur, por nuk mund ta zhveshin nga dhimbja, pavarësisht formës a intensitetit të saj.

Mbase për shkak të mundësive që mendon se ke, për t’i zbutur, kur je afër subjektit, as malli e as dhembja s’mund të jenë aq të forta sa ç’janë kur je larg! Timo Flloko ishte në Amerikë kur i dërgoi mikut të tij, Mevlan Shanaj, mesazhin e sipërshkruar. E çfarë mund të lexonte nëpër radhë shkrimesh më shumë nga ç’ai vetë dinte? Cili nga kolegët e përbashkët, më mirë se ai, kishte për të treguar? Mirëpo kërkoi…

I zbrazur, pa kujtime, siç u ndje, nga goditja e lajmit, ndoshta po kërkonte shkakun. “Bujari ishte i fortë, fizikisht i fortë. Gjithmonë ka qenë më i fortë se unë. Edhe kur pinim ndonjë gotë, efekti i alkoolit do të ndihej më parë tek unë se tek ai”. Flloko, siç e thërriste Bujari, refuzon ta pranojë neglizhencën që mund të ketë treguar Lako ndaj ndonjë shqetësimi fizik që mund t’ia ketë dhënë sinjalet.

Psherëtima me të cilën e mbyll këtë, zgjat edhe më tepër se fjalia, sepse brenda vetes ai e di që ka të ngjarë të ketë qenë pikërisht kështu! “Bujari ishte tepër krenar. As me vdekjen nuk bëri marrëveshje”. Timo Flloko i ka vetë të gjitha përgjigjet e pikëpyetjeve, por disa mundet t’i pranojë, disa të tjera jo.

Çfarë mund të ngelet pa njohur nga njeriu me të cilin ke ndarë 5 dekada, në rrethana miqësore e profesionale?! Ata të dy kishin kaluar nëpër të gjitha. Që nga pasiguritë e e shfaqjeve që vinin kur ishin ende studentë, te “konfliktet” për rolet e çmimet e mëdha që i morën gjithashtu në një ditë. Timo Flloko dhe Bujar Lako janë nderuar të dy, në korrik të 2012, nga Presidenti i atëhershëm Bamir Topi, me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”…

 

Për çfarë bisedojnë dy miq që shfaqjen e parë e kanë luajtur bashkë kur kanë qenë 20 vjeç e thuajse 50 vite më vonë, dalin në shëtitoren ku kanë pirë kafen përgjatë gjithë kësaj kohe, me urdhrin “Mjeshtër i Madh”?

Për ato që kanë biseduar gjithnjë. Bisedat tona kanë qenë të vazhdueshme, nuk ishin krijuar boshllëqe të atilla që të na bënim të thonim se si erdhëm deri këtu. Kemi ecur bashkë, gjithmonë.

Aq sa sot më duket se kam humbur një gjymtyrë. Po ju tregoj një ngjarje, për ta ilustruar këtë. Përpara viteve ’80, kisha bërë kinoprovën, kisha fituar rolin dhe në darkë më telefonon Bujari. “Në mëngjesmë thotë-të pres për kafe. Ti e di që unë s’fle, por mbrëmë s’kam fjetur fare!” E ndjeva nga zëri që ishte i shqetësuar dhe i takuam që në mëngjes. “Erdhi x regjisor mbrëmë e më dha skenarin për rolin tënd”.

I thashë se kjo është e zakontë të ndodhë, pse të shqetësohej. Regjisori ndryshon mendim. Bujari sigurisht që e kishte përcjellë, duke i thënë se nuk mund t’ia bënte njeri tjetër rolin më mirë. Me këtë duhet të kuptoni karakterin e tij.

 

Si jeni njohur? Ju ka bërë bashkë sheshxhirimi apo njiheshit më parë?

Jemi njohur në Akademinë e Arteve. Kemi qenë në kurse të ndryshme dhe në kohët e para, miqësia ka qenë e mbështetur mbi parimet profesionale. Të dy ishim aktorë filmi, të dy ishim të artikuluar, me një karrierë që dallohej se do të kishte të ardhme dhe kjo gjë na bashkonte. Dëshironim dhe kemi pasur raste edhe të luajmë bashkë, madje që studentë, shfaqjen e parë e kemi luajtur bashkë te “Mosha e bardhë”.

 

Dy aktorë shumë të mirë, nuk qëllon shpesh t’i shohësh bashkë në film a teatër, sepse dikush duhet të udhëheqë…

Kjo ndodh rrallë vërtet, sepse dikush duhet të jetë kryesori, por ne kemi luajtur bashkë në 3-4 filma dhe jemi ndier mirë. Mbase ata nuk janë filmat tanë më përfaqësues, por janë të konsiderueshëm. Bujarin e kam pasur mik shumë të afërt. Jemi njohur shumë herët, krijimtarinë e kemi nisur thuajse paralelisht, pavarësisht se unë jam shfaqur pak më parë në film por, për mua Bujar Lako është maja më e lartë e interpretimit në film, sepse ai solli elemente të reja në kinematografi.

 

Cilat ishin këto elemente?

Kishte një mënyrë interpretimi përpara kamerës, që nuk ishte shfaqur më parë. Solli një element emancipues në këtë pikëpamje. Kjo shihet që në krijimet e tij të para. Ishte një aktor me të dhëna të jashtëzakonshme. Me një botë shpirtërore të pasur, shpërthyese, me një vështrim psikologjik mbi gjërat, madje ky element e dallonte interpretimin e tij nga të tjerët, kishte interpretim më të thellë, më brendësor, që i afrohet atij konceptit që ne e quajmë “Parimi i ajsbergut”, pra që sheh në thellësi dhe këtë e bënte në mënyrë intuitive, sepse në atë kohë nuk ishte e lejuar njohja teorike e metodave perëndimore. Ai kishte edhe talentin, sepse ishte një nga njohësit më të mirë të kinemasë, e gdhinte duke parë filma.

 

Ku i shihnit ju këta filma?

I shihnim përmes kanaleve që nuk e kishin rrjetën që vihej në atë kohë. Ishte kanali nr. 2 i Beogradit që shfaqte filmat në origjinal. Aty ishte një maratonë e filmit dhe jepte përgjatë 24 orëve. Ata ishin formacioni kryesor, modelet më të drejtpërdrejta për ne.

 

Edhe pse ju nuk mund t’i përcillnit ato, ç’përfitonit…

Nuk është fjala aty, ne shihnim çfarë ishte për t’u parë te “Rai” apo televizionet jugosllave. Ai solli koncepte të lojës së “Actor studios”, pra të aktorëve që parapëlqeu si metodë të shprehjes më shumë nga brenda të karakterit sesa pjesës së dukshme. Në rolet më të mira, që nga “Gjeneral Gramafoni”, “Përballimi”, “Udha e shkronjave” etj., e sheh këtë element të lojës së Lakos.

Ai afronte karakterin e personazheve me personalitetin e tij. Duke qenë një aktor me të dhëna të përkryera e harmoni mes figurës e zërit, me sy shumë shprehës, të thellë, çka është shumë e rëndësishme në kinema, ai bëri atë që munden vetëm artistët që kanë se çfarë i thonë shoqërisë, sjellin risi. Ai prekte thelbin dramatik të rolit dhe atë e bënte më mirë se çdokush.

Sigurisht që pa një dramaturgji të mirë, aktori nuk mund të bëjë shumë, rolet i jepnin mundësinë, por ai nuk bëri asnjëherë vulgarizime të karaktereve të tij, për t’i bërë ato kinse natyrale. Ai ruajti me fanatizëm parimet e tij të interpretimit, duke afruar gjithnjë personalitetin e karakterit me atë të personazhit. Ishte e vështirë të dalloje se ku ndaheshin mes tyre. Ti sheh Halit Beratin dhe thua po, ai është Bujari.

 

Si ndahej, në rastin tuaj, raporti miqësor me atë profesional? Për shembull, a ishte, në çdo takim tuajin, e pashmangshme një bisedë për filmat dhe në rastin konkret atyre që shihnit në fshehtësi?

Ne ishim miq, rrinim, kalonim shumë kohë bashkë dhe pa dyshim që do flisnim për gjithçka. Për ne nuk ishin tabu nëse flisnim për Marlon Brandon, të cilin të dy e pëlqenim. Është thënë asokohe që Bujari luan si Brandon. Bujari dominoi që kur filloi rolet e para, ishin të suksesshme njëri pas tjetrit dhe u kthye në një aktor me vlera profesionale të veçanta, i papërsëritshëm, me karakteristikat që nuk ishin parë, pa diskutuar vlerat e të tjerëve, por them për atë që sjell një brez, sepse ai u kthye në një subjekt imitimi.

Ai ruajti maskën me mustaqe e që i shkonte, edhe rolet i bëri kryesisht ashtu. Pati prirje nga të rinjtë e asaj kohe që të linin mustaqe. Ndikimi i tij u duk në shoqëri. Ka aktorë në botë që janë të mëdhenj, por ndonjëherë fama nuk është në raport të drejtë me madhështinë, te Bujari ato u ngjitën në ekuilibër. Të gjithë regjisorët i linin skenarët. Aq ndikim pati ai te të gjithë, sa kur xhiroja Vasil Shanton thosha si arrinte të ruante vazhdimësinë në monolog…

 

A nuk mund ta pyesnit për këtë, pra a bënit edhe biseda që i shërbenin në mënyrë të drejtpërdrejtë tjetrit?

Patjetër, vazhdimisht. Mund të mos jenë bërë direkte, por ballafaqonim përvojat, shembujt e mendimet. Pastaj secili bënte analizat e tij. Krijimtaria ka shumë gjëra që nuk shpjegohen në mënyrë krejt racionale, nuk ka formula, vjen instinktivisht dhe për këtë referencë instiktive e kam fjalën. Mendoja për të siç mund të mendoja për Marlon Brandon, Al Paçinon apo këdo. Pinim çdo mëngjes kafe te “Dajti”, unë përpara se të shkoja në Akademi e ai në teatër e domosdo që do diskutonim për gjithçka.

 

A diskutonit pas realizimit të një filmi, se ku mund të bënit më mirë? Pyes sepse kam dëgjuar që Bujari nuk i shihte filmat e tij…

Sigurisht! Secili e di se çfarë ka bërë, e kupton nivelin e krijimit. Bujari nuk i shihte filmat e tij, nuk shkonte as në premierë. As unë nuk dua t’i shoh filmat e mi, i kam parë, por i shmang.

 

Nga pamundësia për të ndërhyrë…?

Në përgjithësi njeriut nuk i pëlqen vetja, besoj që është ndjesi e përgjithshme. Pastaj ajo është një punë e kryer. Edhe po të më thoshin a do ta ribësh, them jo, ai ka vulën e kohës së vet. Edhe gabimet aty kanë vlerën e tyre. Mund të të duket se do ndreqësh, por do bësh më keq.

 

Nuk e kanë të gjithë, por e kanë shumë aktorë të mëdhenj. A fliste ai për këtë ndjesi?

Ne flisnim që nga koha e xhirimeve e deri në fund të procesit, gjithçka. Tema jonë kryesore ishte krijimtaria, sepse edhe shoqëria jonë mbi këto baza ishte ngritur. Ndoshta ne do të ishim prapë miq, por nuk besoj se do të ishim aq të lidhur sa ç’na bëri profesioni. Ai ishte nga aktorët më të shquar të kinemasë dhe luajti rol më emancipues. Filmi me kohën vjetrohet për shkak të teknologjisë, ndryshe nga pikturat, skulptura, romani e poezia… mirëpo edhe në film, kur je i madh nuk del kurrë nga moda. Edhe atëherë kishte politikë, kishte censurë. Nuk ka rol mos ta ketë prerë sëpata e censurës politike…

 

Po flisni për të gjithë, apo konkretisht për Bujarin?

Për të gjithë dhe për Bujarin. “Gjeneral gramafoni” ka pasur një finale më artistike, që nuk më kujtohet qartë si, por u ndryshua. Censura e asaj kohe ishte si gruaja xheloze që i kërkon gjërat dhe pa arsye. Gjithashtu te “Ballë për ballë”, monologu i rusit që luaja unë, u pre. Komisioni e gjykoi si të gjatë, por ishin të gjitha pa sens.

 

Në vijimësi të censurës, është thënë se kanë dashur ta largojnë Bujarin nga Akademia, në kohën kur dashuronte me Mirën, bashkëshorten e tij…

Po, është e vërtetë. Ne s’kishim miqësi të afërt në atë kohë, por di që ishte e gjitha një çmenduri kolektive. Mendoj që faji ishte i institucionit që e fryu dhe e mbingarkoi situatën. U bënë mbledhje pa fund, sepse ishte koha e kinezërimit të shoqërisë. Ai dhe Mira ishin dy të rinj që duheshin. Madje, unë dyshoj edhe në atë që thonë se familjet patën ndikim etj. Për mua gjendeshin pretekste.

 

Vitet e fundit, Bujari ishte tërhequr nga rolet dhe, sikurse thonë, edhe nga njerëzit.

Ai luajti, por duhet të dini që ishte një nga aktorët më përzgjedhës.

 

Ju të dy ngjanit edhe nga pikëpamja e të qenët pak njerëz të ftohë. A ishte edhe me miqtë Bujari i tillë?

Edhe në këtë pikëpamje ishte shumë përzgjedhës. Të fitoje respektin e Bujarit nuk ishte kollaj. Testet e tij ishin të vazhdueshme. Ai mund të të pranonte dhe e bënte, kishte edhe njerëz të thjeshtë në tavolinë, me të cilët ndante një gotë. Nuk ishte sqimatar, por vlerësonte mirësinë dhe pastërtinë. Veçse, siç kishte emrin ishte edhe vetë.

Kur shkoi jashtë, në Maqedoni, menjëherë pas ’90-s u kthye me xhepa të ngrohur. Nuk mbaj mend se sa ka zgjatur koha që u harxhuan ato para dhe që unë nuk kam paguar një kafe. E mësoi maqedonishten në mënyrë të habitshme. Por e veçanta tek ai, që ishte folës shumë i mirë i shqipes, nuk ndodhte të bënte gabime vulgare.

Më mirë se aktori nuk duhet ta flasë askush gjuhën. Bujar Lako kishte degën e Frashërllinjve, e ëma ishte mësuese e gjuhës dhe mbase kishin ndikuar, por ai e kishte veçori. E donte shqipen shumë dhe fjala në gojën e tij kishte peshë.

 

Si mësuat për vdekjen e tij?

Lajmi i keq vjen shpejt. Ma tha Vera dhe ishte një tronditje e madhe për mua! Që nga ai moment, koha që erdhi pas nuk vlejti më. E kam parë shumë herë në ëndërr… Me Mevlanin kam komunikuar sepse të dy e kishim shok të aftë.

 

Kur e kishit takuar për herë të fundit?

E kam takuar për herë të fundit ditën që përcollëm arkivolin e Teodor Laços. U takuam dhe e lamë që do të shiheshim së shpejti. Flisnim vazhdimisht në telefon, por nuk e di pse po e shtynim takimin. Në ëndërr si e keni parë? Unë shoh shumë ëndrra dhe në ëndërr, çuditërisht, njerëzit shfaqen më vonë sesa ndodh ngjarja me ta.

Bujari më ka dalë në ëndërr më herët se ç’më ndodh me gjërat e tjera. E takova, u përqafuam, subkoshienca ma afronte Bujarin të gjallë. Në ëndërr janë nevojat e njeriut që s’realizohen. Kjo është drama edhe në jetë, raporti mes dëshirës dhe mundësisë.

 

Në gjithë vitet e përvojat që keni ndarë bashkë, nuk mund të mos ketë një histori për t’u veçuar. Me siguri janë shumë, por mund të na tregoni një…

Po kujtoj filmin “Binarët”, ku ishim dy vëllezër dhe xhironim në Durrës. Shkuam të dy për drekë, ndërsa në darkë duhej të xhironim. Dikush nga jashtë i pati sjellë një shishe Calvados (raki molle), ne kishim shumë qejf “Tre Shokët”, ai kishte edhe miqësi të afërt me Robert Shvarcin.

Në një nga restorantet e plazhit, nisim shishen e parë dhe e gjejmë veten duke përfunduar të dytën. Bujari telefonoi mikun e tij që t’i sillte tjetrën. Harruam kohën, koha u kthye në iluzion, megjithatë Bujari ishte fizikisht shumë i fortë, mbahej më mirë se unë. Sa fillojmë të xhirojmë, skena ishte e rëndësishme, dhe Bujari ishte shumë skrupuloz me tekstin, mirëpo unë shpërtheva në të qeshura.

Pas meje edhe ai. Nuk ndaleshim dot, aq sa Muharrem Fejzo, regjisori, u lëndua pak. Na lanë të qetësoheshim, filluam përsëri dhe përsëri me të qeshur. “Unë nuk e meritoj këtë”, tha. Ne vazhdonim të qeshnim. Është një nga rastet për të treguar që ndodhin edhe gjëra të tilla. Të nesërmen, kur e kemi xhiruar skenën, Muharremi na përqafoi të dyve duke na përgëzuar. Të tilla episode ka pa fund, sepse vitet tona të miqësisë janë të gjata.

 

A keni pasur ju ndonjë konflikt?

Debate po, konflikt jo! Ndonjëherë mund ta kem lënduar sepse Bujari ishte shumë i ndjeshëm, nuk e cenonte integritetin e tjetrit dhe fyhej kur merrte ndonjë fjalë më tepër. Unë i thosha: “Bujo e prisha pak”, por ai ma kthente: “Jo mo Flloko, nuk ka gjë!”. Ishte shpirtbutë shumë, i prirur për t’i falur gjërat.

 

Pra, ndryshe nga ajo që dukej së jashtmi?!

Pamja bëhet e padepërtueshme ndonjëherë, sidomos për ata që nuk e njihnin. Ishte me humor të hollë shumë. Edhe në tavolinë, kur rrinte vetëm, aktorët vinin vërdallë dhe donin të uleshin pranë tij. Ai nuk i pranonte kollaj. Ata që i donte i afronte, por jo çdokënd, kishte natyrën kështu.

 

Kë afronte, kush ishin miqtë e tjerë të tij?

Kishte miq edhe jashtë fushe, mjekë, inxhinierë… Kishte ruajtur miqësinë tradicionale të viteve, të rinisë së hershme. Edhe me aktorët komunikonte. Interesante ka qenë miqësia e tij me Sandër Prosin. Ata shëtisnin dhe Sandri e kapte për krahu Bujarin, e çmonte shumë, e vinte mbi këdo dhe kam konstatuar që Sandri, në një sens simbolik, ishte inferior ndaj tij!

Më kujtohet pas shfaqjes së “Gjeneral gramafonit”, Kadriu kishte ardhur për ta parë, Bujari jo, e mora e urova, e admirova! Sigurisht që në botën tonë nuk të lumturon shumë suksesi i tjetrit, por mua nuk më dëshpëron. Dy ditë më pas më tregon një çakmak, i kishte qejf shumë, e në dorë të tij ishin gjithnjë çakmakët më të bukur, të veçantë.

Siç ia falnin edhe i falte, kishte dëshirë të dhuronte. Më tregoi çakmakun e ri dhe më tha se ia kishte dhënë Kadriu. Kujtoni që në atë kohë nuk ishin aq të zakonshëm. “Isha me Kadriun, te Sahati, pimë nga një konjak, më foli për rolin, më uroi dhe tha, po ta fal këtë çakmak si shenjë admirimi për rolin!” Pra, këta janë artistët e mëdhenj!

 

Megjithatë, ai u veçua thuajse nga të gjithë…

Ishte natyrale të ndodhte kështu, sepse edhe jeta u kaotizua, u trysnua. U teprua shumë dhe bota politike pati ndikimin e saj në gjithë këtë. Edhe për ceremoninë e fundit mendoj që artisti lë veprën, nuk është e rëndësishme se ç’ndodh pastaj! Ajo që ndodhi, ceremonia e mbyllur pra, ishte edhe konkluzion logjik i jetës që kishte zgjedhur të bënte! Ai është një nga njerëzit më të informuar për kinemanë e artistët, e gdhinte me filma, e megjithatë nuk donte të dilte jo sepse s’kishte çfarë të thoshte!

 

Ju e nisët bashkë rrugën dhe po bashkë u nderuat “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i madh” në një ditë?

Nuk dua të përdor krahasime, por është vërtet si të humbasësh një gjymtyrë! Nuk do doja të ishte pakujdesi e tij largimi nga jeta, por edhe në ka qenë kështu, është element tregues për të, ai edhe me vdekjen konkurronte, nuk e qaste si mendësi, ishte shumë krenar. Ishte njeri sportiv, bënte ushtrime.

Mund të ndodhte që të rëndohej ndonjëherë nga alkooli, artistët bëhen pijetarë, në sensin e arsyeshëm të fjalës, por ai ishte i fortë. Është fatalitet që iku, megjithatë mbetet ikje e guximshme! Duhet guxim i madh për të konkurruar me vdekjen, por ikja e të mëdhenjve nuk gjykohet! Më kujtohet që e kam thënë këtë edhe në një shkrim për Bekim Femiun! Unë nuk pajtohem dot me këtë, por, vërtet, nuk gjykohet. Nuk ka lidhje mes rasteve sigurisht, veç madhështisë!

 

ANI JAUPAJ/”PANORAMA”

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re