“Së shpejti, sëmundjet e veshkave do të zënë vendin e katërt si shkak vdekjeje për njeriun”, ngre alarmin mjeku nefrolog, Prof. Dr.Alket Karoshi.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit rreth 1.2 milionë njerëz në mbarë botën humbin jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e sëmundjes kronike të veshkave. Deri në vitin 2040, kjo shifër pritet të rritet në 4 milionë, duke përfaqësuar më shumë se trefishim të numrit të vdekjeve të lidhura me këtë sëmundje.
Veshkat konsiderohen si organe jetësore në trupin e njeriut, që kryejnë funksione thelbësore për mirëfunksionimin e tij. Veshkat janë përgjegjëse për filtrimin e gjakut dhe largimin e mbetjeve toksike përmes urinës, rregullimin e balancës së lëngjeve dhe elektroliteve, kontrollin e tensionit të gjakut, prodhimin e eritropoetinës që stimulon krijimin e qelizave të kuqe të gjakut, si dhe aktivizimin e vitaminës D për përthithjen e kalciumit. Në rast të dëmtimit të rëndë të veshkave, këto funksione jetike dështojnë dhe organizmi nuk arrin të pastrojë vetë gjakun, duke çuar në grumbullimin e toksinave dhe lëngjeve në trup. Në këto raste, pacienti ka nevojë për dializë, një trajtim mjekësor që zëvendëson përkohësisht funksionin e veshkave duke kryer filtrimin e gjakut jashtë trupit. Dializa është thelbësore për mbijetesën e pacientëve me pamjaftueshmëri të rëndë renale.
Për herë të parë shërbimi i dializës në Shqipëri është ofruar që në vitin e largët 1985. Prof. Dr.Alket Koroshi kujton se për herë të parë, së bashku me kolegun Prof.Dr. Myftar Barbullushi, ngritën në vitin 1985 Qendrën e Hemodializës në spitalin civil “Nënë Tereza”, pas specializimit të kryer në Itali. “E ngritëm në një terren të panjohur, sepse ne nuk kishim as infermierë të kualifikuar, as inxhinierë, as teknikë që të mirëmbante skedat teknike të aparaturës së hemodializës”, tregon doktor Koroshi. “Ngritëm një qendër hemodialize me tre aparatura dhe 12 pacientë dhe ky ishte një sukses i madh për atë kohë, sepse kjo ishte zanafilla që çoi në krijimin e një eksperiencë dhe u përgatiten mjekët më të rinj, duke bërë të mundur të hapen pas disa vitesh shumë qendra hemodialize në vendin tonë dhe praktikisht në çdo qytet kemi nga një qendër hemodialize sot.”
Sot në Shqipëri janë 1,477 pacientë që trajtohen me hemodializë çdo muaj, të cilët, mes zhurmës së aparaturave presin në heshtje një transplant që do u shpëtonte jetën. Por shpresa për ta është minimale, pasi ky shërbim nuk është funksional në sistemin e shëndetit publik, në Shqipëri.
Sëmundjet e veshkave: Një kërcënim i heshtur që prek cilësinë e jetës
Sëmundjet e veshkave janë në rritje në mbarë botën dhe mbeten një alarm për shëndetin publik. Një epidemi e qetë që po përhapet, ndërkohë ndërgjegjësimi për pasojat mbetet i ulët.
Për mjekun Koroshi: “Sëmundjet e veshkave janë shumë të përhapura, por shumica e njerëzve që vuajnë nga sëmundja e veshkave, nuk e dinë, sepse nuk kanë bërë asnjë ekzaminim. Për të konstatuar, që një individ ka sëmundje të veshkave mjafton që të analizën e keratinemisë në gjak dhe një analizë urine, sepse veshkat mund të preken nga sëmundjet metabolike si diabeti dhe pikërisht diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve të veshkave. Në qendrat e dializës rezulton se gjysma e pacientëve janë diabetikë. Gjithashtu, hipertensioni arterial, sëmundjet kardiovaskulare, infeksionet, sëmundejet që bllokojnë rrugët urinare, siç janë gurët,(neuropatitë obstruktive), sëmundjet e trashëguara të veshkave (veshka policistike , sëmundjet imulogjike, mbeten kërcënim për veshkat.”
Insuficienca renale, që në popull njihet si sëmundja e azotemisë është një sëmundje që në stadet e para trajtohet me terapi medikamentoze dhe në stadin e pestë trajtohet me dializë ose me kryerjen e transplantit renal. Shumë pacientë kryejnë dializën për një periudhë të gjatë kohore me intervale të caktuara zakonisht me regjim 3 herë në javë kohëzgjatje 4 orë deri në fund të jetës së tyre.
Hemodializa është shumë e mirë, por e mban pacientin lidhur dhe shpesh është vetëm një zgjidhje provizore dhe jo-afatgjatë për ata me dështim të veshkave. Sa më gjatë merr trajtim me hemodializë aq më i lartë është rreziku i ndërlikimeve të tjera shëndetësore përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, infeksionet dhe përkeqësimin e cilësisë së jetës.
Shërbimi i hemodializës financohet nga buxheti i shtetit dhe ofrohet si në sistemin publik nëpërmjet QSUNT dhe spitaleve rajonale ne të gjithë vendin, ashtu edhe atë privat nëpërmjet kontratës koncesionare të partneritetit publik-privat.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vihet re se rreth 60% e pacientëve (874 pacientë) i kryejnë seancat e dializës në sektorin privat, ndërsa pjesa tjetër në sektorin publik.
Mjeku nefrolog Altin Koroshi analizon avantazhet dhe disavantazhet e tre mënyrave të trajtimit të problemeve të renda renale: “Hemodializa është shumë e mirë, por e mban pacientin lidhur. Një herë në dy-tre ditë duhet të shkosh në spital dhe të kryesh procedurën, që zgjat 4-5 orë, dhe të shoqërohesh nga një familjar. E gjithë familja mbetet e ngazhuar dhe pacienti ka jetesë jo -cilësore. Një zgjidhje tjetër është dializa peritoneale, ku pacienti nuk ka nevojë të shkojë në spital, si filtër shërben membrane peritoneale që ndodhet në bark. Këtë trajtim pacienti e merr në shtepi, por ka edhe mangësitë e veta, sepse mundësia e marrjes së një infeksioni është më e madhe dhe mund të krijohen komplikacione të tjera. Mënyra e tretë është transplanti, është më e mirë se dy të parat, sepse i sëmuri nuk e ka të nevojshme të shkojë në spital, por edhe jetëgjatësia dhe rikuperimi është më i mirë. Po të ndiqet mirë dhe me ilaçet e nevojshme mund të jetojë shumë vite dhe të jetë i aftë të kryejë nevojat e tij personale dhe te jete aktiv në shoqëri.”
Mundësia për një jetë të re, por jo për të gjithë
T.L (pacient): “Kur je në një listë pritjeje, ky është vendi më i keq, sepse rreziku rritet çdo ditë. Të fusin gjilpërat në krah dhe rri ulur në një karrige për katër orë. Kjo është rutina çdo dy ditë. Dhe kështu do të jetë, ndoshta deri në fund të jetës sime”
Mjekët nënvizojnë se hemodializa dhe transplanti i veshkave sigurojnë cilësi të ndryshme jetese, sidomos për femrat dhe moshat e reja që janë aktive. Një pacient i transplantuar merr një trajtim të vazhdueshëm prej 2-3 medikamentesh dhe mund të vazhdojë aktivitetin e tij normal. Sidomos për gratë në hemodializë është shumë e vështirë të planifikojnë shtatzëni, ndërkohë që pas kryerjes së trasplantit të veshkave një grua mund të sjellë në jetë fëmijë pa problem.
Në vitet ’90, pas rënies së sistemit dhe hapjes së kufijve, shumë shqiptarë të dëshpëruar dhe të lënë pa zgjidhje, shqiptarët udhëtonin drejt Pakistanit për të blerë organe, kryesisht veshka. Veshkat ofroheshin nga njerëz që jetonin në varfëri ekstreme, kundrejt një pagese prej 2-3 mijë euro. Pacientët shqiptare pas sigurimit të organit në mënyrë të paligjshme dhe që shpesh bëheshin pre e grupeve kriminale ndërkombëtare, u nënshtroheshin ndërhyrjeve kirurgjikale të fshehta, të paligjshme dhe shpesh të rrezikshme. Disa prej atyre që kaluan nëpërmjet këtij kalvari ia arritën t’ia dilnin të mbijetonin. Të tjerë u mashtruan, u lanë rrugëve, e nuk u kthyen më.
Ndërtimi i një sistemi modern transplanti në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) u reklamua me bujë në vitin 2005, por vrulli u shua shpejt.
Mjeku Koroshi sjell në kujdesë premtimin e bërë 20 vite më parë:“Në vitin 2005, qeveria nisi një iniciativë dhe krijoi një komision të përbërë nga 5-6 anëtarë, i cili do të kishte për detyrë kualifikimin e mjekëve dhe përgatitjen e terrenit dhe kushteve për realizimin e transplantit. Në fillim, ky proces nisi me shumë vrull, por më pas ky entuziazëm u shua në praktikë dhe përfundoi me një rezultat modest. “U mbars mali dhe polli një mi”, thotë populli. U realizua vetëm një transplant në Spitalin Civil “Nënë Tereza”, dhe ai u krye nga një ekip me mjekë turq. Në vitin pasardhës u krye një tjetër ndërhyrje, por iniciativa e transplantit nuk arriti të zhvillohej siç ishte planifikuar.”
Pas 20 vitesh, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim. Transplanti i veshkave nuk ofrohet ende në sistemin publik ndërsa, kohë pas kohe, institucionet përgjegjëse i rikthehen premtimit të dikurshëm që vazhdon të mbetet veçse premtim.
Aktualisht transplanti i veshkës ofrohet vetëm nga spitalet private pas aplikimit të një pakete shëndetësore në vitin 2015, që mbulon 100% të kostos së ndërhyrjes kirurgjikale nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Ky shërbim ofrohet që prej nëntorit të vitit 2007 në Spitalin Amerikan nga ekipe me mjek turq dhe shqiptarë, dhe prej 2007-ës e deri më tani në këtë spital janë kryer rreth 250 transplante renale.
Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës (me dhurues të gjallë) e mbuluar nga shteti përfshin ekzaminimet para transplantit si për marrësin edhe për dhuruesin si analizat biokimike, imunologjike, markuesit tumoralë, dhe imazheri virologjike. Po ashtu është miratuar dhe zbatohet edhe një protokoll i ndjekjes së pacientit pas kryerjes së transplantin që përfshin ekzaminimet për marrësin e dhuruesin, si dhe terapinë e induksionit dhe imunosupresoret (dozimi në gjak) vetëm për marrësin .
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përgjigjen e dhënë ndaj kërkesës për informacion drejtuar në kuadër të përgatitjes së këtij shkrimi ka informuar se: “Në vitin 2024 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë financuar të gjithë pacientët që plotësonin kriteret mjekësore, sipas protokollit mjekësor për të kryer transplantin. Në vitin 2024 janë realizuar në spitalet e kontraktuara nga Fondi dhe financuar 14 Paketa të Transplantit të Veshkës.”
Pra, gjatë vitit 2024 janë realizuar vetëm 14 transplante të veshkave, nga 26 të planifikuara në fillim të vitit, duke përmbushur kështu vetëm gjysmën e objektivit, dhe Ministria nuk ofron ndonjë sqarim për këtë fakt. Këto ndërhyrje janë kryer falas për pacientët në spitalet private të kontraktuara nga Fondi.
Sipas ligj nr.10454, dhurimi i veshkave lejohet kryesisht nga familjarë të afërt të pacientit, gjë që kufizon ndjeshëm bazën e dhuruesve të mundshëm. Në Shqipëri deri tani është kryer transplanti vetëm me dhurues të gjallë, të cilët kanë lidhje familjare me pacientin siç janë prindër, kushërinj të parë apo të dytë. Por, përveç dhuruesve me lidhje gjaku transplanti kryhet edhe midis bashkëshortëve, dhe vjehrrit/vjehrrës.
Doktor Koroshi sqaron se“si nëEuropë, ashtu edhe në SHBA, procedura kryesore mbetet hemodializa, sepse gjithmonë ai që do të kryejë transplantin ka nevojë për veshkë dhe ka vështirësi për gjetjen e organit. Tek ne dhurues mund të jenë vetëm të afërmit dhe dikush jo-familjar nuk mund t’i japë apo shesë veshkën dikujt. Shitja e veshkës është e ndaluar edhe në Europë. Këtu vështirësohet, pasi njeriu duhet ta dhurojë veshkën me vullnetin e plotë dhe nuk mund ta imponosh.”
Përveç vështirësisë për sigurimin e dhuruesve, mjekët thonë se ende qytetarët mendojnë se transplanti i veshkës kushton shumë dhe ende nuk janë të informuar se mund të kryhet falas edhe në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , Paketa e transplantit të veshkës paguhet sipas mënyrës “Pay per Use” dhe kostoja e saj shkon në vlerën 1,151,942 lekë (miratuar me VKM Nr.102 datë 05.02.2020). Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor ka detyrimin të mbulojë shpenzimet e plota, për çdo pacient që kryen transplantin e veshkës gjatë një viti buxhetor, pasi ka plotësuar kriteret mjekësore të përcaktuara në protokollin mjekësor.
Transplanti i veshkave nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një organi të ri, po mbi të gjitha ka të bëjë me marrjen e një mundësie për një jetë të re, ku nga statistikat rezulton se personi që ka kryer transplant ka 90% mundësi për të punuar një vit pas operacionit.
Transplanti i veshkës nuk është thjesht një ndërhyrje mjekësore – është një mundësi për jetesë me dinjitet dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri. Megjithatë, ky shërbim jetik vijon të mbetet i kufizuar, i centralizuar në sektorin privat dhe jashtë kapaciteteve të sistemit shëndetësor publik. Për aq kohë sa premtimet institucionale nuk përkthehen në zgjidhje konkrete, pacientët shqiptarë do të mbeten peng i listave të pritjes, pasigurisë dhe shpesh, i vuajtjeve të panevojshme. Ndërtimi i një sistemi funksional dhe të qëndrueshëm të transplantit të veshkave në spitalet publike është jo vetëm një domosdoshmëri mjekësore, por edhe një provë e vërtetë e përgjegjshmërisë shtetërore.