Turqia ka arrestuar një jordanez nën dyshimin e spiunimit për Emiratet e Bashkuara Arabe ndërsa punonte si gazetar në Turqi.

Ahmed al-Astal, 45 vjeç, me origjinë nga Palestina, u arrestua nga agjencia e inteligjencës turke të premten për gjoja monitorim afatgjatë të disidentëve arabw.

Një zyrtar turk, duke folur në kushte anonimiteti për The Washington Post, tha se Astal ishte duke punuar si gazetar në Turqi.

Astal, i cili pritet të paraqitet në gjykatë këtë javë, thuhet se pranoi të punonte për Emiratet e Bashkuara Arabe, shtoi zyrtari.

Reuters njoftoi të premten se autoritetet turke kishin marrë “një morri dokumentesh” që vërtetojnë lidhjet e të dyshuarit me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një zyrtar tha se i dyshuari udhëtoi në Turqi duke përdorur një pasaportë jo-emiratase dhe “kishte infiltruar disidentët arabë dhe rrjetet e lajmeve për vite me rradhë”.

Një përmbledhje e zbulimeve të inteligjencës turke, treguar për Washington Post, zbulon se Astal, i njohur si Abu Layla, u detyrua të spiunonte për Emiratet e Bashkuara Arabe më shumë se një dekadë më parë.

Ai refuzoi një ofertë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në 2008, por më vonë e pranoi atë pasi nuk arriti të merrte një punë.

Më tej thuhet se Astal “u përqendrua në marrëdhëniet e Turqisë me botën muslimane, iniciativat e politikës së jashtme dhe politikën e brendshme”, duke shtuar se ai kishte detyrën të shqyrtonte nëse qeveria turke ishte e prekshme nga një grusht shteti i ri pas një përpjekje të dështuar të vitit 2016.

Astal gjithashtu “përcolli informacione në Emiratet e Bashkuara Arabe në lidhje me gazetarët arabë dhe disidentët e vendosur në Turqi …”, tha përmbledhja, duke shtuar se ai mori afërsisht 400,000 dollarë ndërsa punonte për Emiratet.

Lidhjet midis Ankarasë dhe Abu Dhabit janë tensionuar vitet e fundit, veçanërisht për mbështetjen e Ankarasë për Katarin, pasi katër vende arabe – UAE, Arabia Saudite, Bahreini dhe Egjipti – ndërprenë lidhjet diplomatike me Doha-n në 2017.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re