Beteja për vendin e parë në Grupin 1 të Ligës C të UEFA Nations League 2026–27 është gjithmonë e më e ndezur me duelin Shqipëri-Finlandë në program për t’u luajtur të enjten mbrëma.
Për këtë ndeshje formacioni mik do të ketë mundësi që të mbështetet në shërbimet e një lojtari si Naatan Skyttä. Mesfushori i 1. FC Kaiserslautern humbi ndeshjen e parë ku Finlanda mundi Shqipërinë në një duel ku pak kush parashikonte fitoren e vendase për mënyrën si nisi ai takim.
Tani 24-vjeçari është gati pasi ka lënë pas dëmtimin e rëndë që e la jashtë fushave për gati katër muaj dhe zbulon se do të jetë një armë më shumë për kombëtaren e tij në arritjen e objektivit, vendit të parë në Grupin 1 të Ligës C të UEFA Nations League 2026–27.
“Për fat të keq pësova një dëmtim serioz në ndeshjen e dytë të sezonit dhe qëndrova shumë kohë jasht fushave për t’u rikuperuar. Gjithsesi mund të them se tani ndihem mirë dhe se gjithçka e kam lënë pas. Tani kemi nisur të përgatitemi, por disa prej shokëve i kanë ende këmbët e lodhura pas impenjimeve në fundjavë si dhe kushtet e fushës këtu nuk janë optimale”, tha mesfuhsori pas seancës së parë stërvitore që zhvilloi Finlanda në “Selman Stërmasi”.
Sa i përket ndeshjes së të enjtes Skyttä ishte optimist dhe pohoi se fakti që “Air Albania” ishte “sold out” do të bënte këtë takim edhe më intrigues. “Atmosfera këtu është shumë e mirë. Ne i kemi mundur atje dhe mendoj se mund t’i mposhtim edhe këtu. Do të futemi në fushë me kurajë edhe pse e dimë se Shqipëria do të mbështetet tek publiku i vet. Fakti që stadiumi do të jetë i mbushur plot them se do ta bëjë ndeshjen edhe më të bukur pasi edhe lojtarët do të mundohen që të japin maksimumin”, analizoi Naatan Skyttä.
