Ukraina është e interesuar në blerjen e mjeteve ajrore pa pilot (UAV) Bayraktar të Turqisë dhe dëshiron të kryejë një projekt të përbashkët me Turqinë përmes ndarjes së teknologjisë, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Kuleba shprehu vlerësimin e tij për nivelin e dialogut dhe dinamikës në lidhjet turko-ukrainase në një konferencë shtypi pas një vizite në Shoqatën e Ukrainës në Ankara.

“Ka fusha pioniere midis të dy vendeve dhe industria e mbrojtjes është një nga këto fusha”, tha ai teksa vuri theksin mbi zhvillimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në shumë fusha, duke përfshirë sigurinë, politikën dhe kulturën.

“Ukraina është veçanërisht e interesuar në blerjen e dronëve Bayraktar. Për më tepër, ajo dëshiron të zbatojë projekte të përbashkëta mbi këtë temë përmes ndarjes së teknologjisë”, tha ai në përgjigje të një pyetjeje rreth marrëveshjeve në industrinë e mbrojtjes dhe prodhimin e përbashkët të motorëve.

Të dy palët mendojnë se një motor ukrainas është një mundësi e përshtatshme për industrinë turke, tha Kuleba.

“Pra, ne do t’i bëjmë Turqinë dhe Ukrainën më të forta. Vendet tona do ta bëjnë Detin e Zi një rajon më të sigurt”, tha ai.

Lidhur me aneksimin e Krimesë nga Rusia, ai theksoi se Turqia ka një rol udhëheqës në zgjidhjen e çështjes kur merren parasysh lidhjet historike midis Turqisë dhe Krimesë dhe niveli i lidhjeve midis Turqisë dhe Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina kanë qenë në mosmarrëveshje që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë pas një referendumi të diskutueshëm.

Turqia, si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e kanë cilësuar aneksimin si të paligjshëm.

Ukraina gjithashtu e ka fajësuar Rusinë për dhunën separatiste në Ukrainën lindore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re