Shkruan: Abdi Baleta

Kaloi një muaj që po qëndrojmë me orë të tëra para ekraneve televizive të shumë stacioneve të huaja për të ndjekur me dhimbje dhe indinjatë të thellë reportazhet rrëqethëse (si xhirime filmash horror), që vijnë nga Ukraina dhe eksodet e turmave milionëshe të refugjatëve ukrainas, që braktisin vendin e tyre të gjejnë shpëtim nga bombardimet intensive ruse. Këto na ngjallin në kujtesë skenat e mjerimeve të ngjashme, që provonin shqiptarët e Kosovës në vitin 1999 nga lufta e përgjakshme dhe spastrimi etnik që bënte kundër tyre “Rusia ballkanase”, Serbia. Tani mjetet e propagandës elektronike janë shumë më të përsosura dhe e sjellin gjithçka më fuqishme para syve të njerëzve. Stacionet televizive perëndimore duket që janë shumë më të mobilizuara që ta bëjnë sa më të fortë tronditjen e opinionin publik botëror nga mizoritë që kryhen në Ukrainë. Megjithatë, rusët pretendojnë (si serbët në vitin 1999) se gjërat janë ndryshe, se tmerret janë të amplifikuara, madje skenat më të dhimbshme po i shkaktokan vetë nacionalistët ekstremistë ukrainas, për të fajësuar e nxirë sa më tepër “aksionet speciale” të ushtrisë ruse, që qenkan të kontrolluara mirë në përzgjedhjen vetëm të objektivave ushtarake për t’u goditur me të gjitha llojet e armëve nga toka, ajri e deti. Deri në shtypin e Tiranës kanë depërtuar mashtrime të propagandës ruse, që ka përdorur deri dezertorë të dikurshëm nga ushtria shqiptare për të përhapur lajme “qetësuese” se së shpejti, nga fundi i marsit ose fillimi i prillit, punët në Ukrainë do të marrin për mirë, meqenëse popujt rus e ukrainas janë vëllezër dhe ndodhitë e tanishme janë punë të brendshme të Rusisë (sikurse vazhdon të pretendojë Serbia se edhe zhvillimet në Kosovë janë punë të brendshme të saj, madje Beogradi disa muaj më parë grumbulloi tanke në kufi në praninë e ambasadorit rus, për të shantazhuar Kosovën).
Kemi dëgjuar edhe deklarime pa fund e biseda pa mbarim nga udhëheqës shtetesh, politikanë të rëndësishëm, analistë e raportues të njohur nga frontet e luftës në Ukrainë, që dënojnë me ashpërsi e vendosmëri agresionin e Rusisë dhe përpiqen ta ndihmojnë qëndresën e shkëlqyer, deri në kufijtë e të pabesueshmes, që po bëjnë ushtria, populli dhe strukturat drejtuese pushtetore të Ukrainës nën drejtimin burrëror të presidentit Zelenski. Por, përsëri agresioni vazhdon she armëpushimi duket i pamundur edhe për një kohë të papërcaktuar. Të tentosh të bësh analiza komplekse për ato që shohim e dëgjojmë është gati pa kuptim dhe e pamundur për vëzhgues individualë. Prandaj jemi të detyruar të shpallim më shumë kryesisht…

Ndjesi, përjetime dhe perceptime mbi dramën ukrainase

Ngjarjet e tanishme në Ukrainë nuk ndodhën si një rrufe në qiellin e pastër. Ato janë përgatitur prej kohësh dhe priteshin, sepse kanë nisur nga viti 2014 me bombardimet më të kufizuara të ndërsjella në zonën e Donbasit dhe me pushtimin e aneksimin rus të Krimesë. Presidenti i SHBA, Xho Baiden, prej muajsh ka paralajmëruar se Rusia do të niste ushtritë e saj për të invaduar e pushtuar gjithë Ukrainën. Kjo ndodhi më 24 shkurt 2022. Ndonëse lufta e rrufeshme ngeci, agresioni vazhdon të marrë përpjesëtime e pamje gjithnjë e më të llahtarshme. Aspektet gjeopolitike të zhvillimeve në Ukrainë i kam ndjekur me vëmendje për 8 vite me radhë në televizione perëndimore, e sidomos në televizionin rus, dhe jam shprehur për to, më posaçërisht në analizën e botuar nën titullin “Rikthimi tek Lufta e Ftohtë” (“Shenja”, prill 2014). Në atë shkrim figurojnë mendimet se: Rusia tepër e dobësuar nga rrënimi i sistemit socialist sovjetik i kishte ndrydhur në vetvete “fyerjet” për rrënimin e statusit të saj si superfuqi e kohës së Luftës së Ftohtë, por njëkohësisht përgatitej edhe për njëfarë revanshi, sidomos pas ardhjes së Vladimir Putinit në krye të shtetit… Në Moskë ankohen se Perëndimi po mbyll sytë përpara rrezikut të ripërtëritjes e marshimit nazifashist e hitlerian në Ukrainë dhe po zbaton porosinë e lënë nga kancelari i famshëm gjerman Bismark në shekullin XIX se, që të frenohet Rusia, duhet t’i shkëputet e t’i kundëvihet asaj Ukraina… Lufta e Ftohtë është rikthyer tashmë në shkallë globale e europiane si dikur. “Ukraina është vatra më e nxehtë e saj”. Tani Ukraina është vatra më e përvëluar dhe më përvëluese për Europën pas vërshimit të llavës së Luftës së Nxehtë nga Rusia në kuptimin e mirëfilltë të këtyre fjalëve.
Putini e Rusia, gjithë veprimet e tyre agresive, vazhdojnë t’i motivojnë me avazin bajat se janë ndjerë për një kohë të gjatë të poshtëruar nga humbja e statusit të superfuqisë, janë sfiduar si shumë, që deri në derën e oborrit të tyre kanë mbërritur kufijtë e NATO-s e të Perëndimit dhe janë të kërcënuar nga nazizmi i ringjallur ukrainas. Propaganda ruse “harron” ta trajtojë thelbin e problemeve të vendit të saj se në pozita të vështira ose edhe poshtëruese i vuri dështimi i sistemit socialist e tirania komuniste dhe, më pas, kapitalizmi i çmendur oligark. Ndërkaq, në mitingun e madh në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, për të kremtuar 8-vjetorin e aneksimit të Krimesë, varej parulla mobilizuese për luftën e tanishme në tërë Ukrainën me fjalët “Za mir, bez nacizma”, ku fjala “mir” në shqip mund të përkthehet në dy kuptime “për botën pa nazizëm” ose për “paqen pa nazizëm”, çka nënkupton dhe kërkesën ultimative të Putinit për “DENAZIFIKIMIN” e Ukrainës, pra për vendosjen e një pushteti kukull të Moskës në Kiev e në gjithë vendin.
Me të drejtë VOLODIMIRI (Zelenskij), i shndërruar tashmë në prijës-hero të ukrainasve, e qorton hidhët VLADIMIRIN (Putinin) e Rusisë, të shndërruar përfundimisht në udhëheqës tiran, kërcënues për paqen në botë, duke i vendosur ngjarjet në sfondin e rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore. Autori i shumë veprave historiko-politike, Timothy Snyder, profesor i historisë në Universitetin Yale, ka botuar në vitin 2017 librin me titullin “Mbi tiraninë. Njëzet mësime nga shekulli XX” (On Tyranny. Twenty Lessons from the Twentieth Century), ku e trajton dukurinë e tiranisë e të tiranit. Mësimin e 18-të, që titullohet “Qëndro i qetë kur e pabesueshmja vjen”, ku shpjegon dukuritë e quajtura “terror management” (administrimi nëpërmjet terrorit) dhe “terror managers”, e ilustron fillimisht me rastin e nazizmit e të Hitlerit pas djegies së Raishtagut gjerman më 23 mars 1933, kur Hitleri, i ardhur në pushtet me zgjedhje demokratike, nisi periudhën e sundimit të tij mbi Gjermaninë me dekrete tiranike. Ilustrimin e dytë e merr nga Rusia nën pushtetin e Putinit, i cili nga njeri gati i panjohur u vendos në gusht 1999 në postin e kryeministrit nga Jelcini i drobitur dhe brenda muajit vijues në disa qytete në Rusi u hodhën ndërtesa në erë prej shërbimit sekret. Disa nga autorët e akteve terroriste u arrestuan dhe Putini shpalli luftën për hakmarrje kundër popullsisë myslimane të Çeçenisë. “Populli rus u vu në rresht dhe prestigji i Putinit u ngrit në qiell”. Pas këtyre fjalëve, Snyder bën konstatimin më të rëndësishëm për sot: “Pasi Putini u rikthye në Presidencë në vitin 2012 Rusia e futi administrimin me anë të terrorit edhe në politikën e jashtme” (Sillen disa fakte nga fillimi i ndërhyrjeve ruse në Ukrainë që nga viti 2014).
Paradoksi i historisë është se tani VOLODIMIRI e VLADIMIRI janë mbërthyer fytas për kauza të ndryshme në betejat rreth Kievit, ku një paraardhës i tyre, i quajtur Princi Vladimir, themeloi në shekullin e 11 të erës së re shtetin me emrin Kievskaja Rus, për madhështinë e të cilit Putini i Moskës sot betohet se do ta bëjë kurban tërë Ukrainën, ta rrafshojë Kievin, siç kishte bërë më herët me Groznin, kryeqendrën e Çeçenisë, e ta shuajë nga harta Marioupolin, që refuzon të kapitullojë dhe po mbrohet si Lenigradi i Putinit dikur i rrethuar nga nazistët gjermanë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, se do ta ndëshkojë rëndë Kharkivin e qytete të tjera, rreth të cilëve bëhet luftë si dikur në Stalingrad etj..

Në shkrimin tim në “Shenja”, në prill të vitit 2014, figuron dhe fjalia: “Krijimi i Vatrës së nxehtë të Luftës së Ftohtë në Ukrainë po vë në diskutim dhe në dyshim më të madh vlerat dhe euforinë e deritanishme të Sistemit të Sigurimit Kolektiv në Europë (KSBE-OSBE) të bazuar në marrëveshjet e Helsinkit (1975) dhe vlerën e shumë marrëveshjeve të tjera me karakter politik, ekonomik e ushtarak ndërmjet Rusisë e vendeve perëndimore”. Ishte kancelari i ri i Gjermanisë, Sholc, që bëri i pari vlerësimin se me sulmin rus në Ukrainë u mbyll një epokë dhe është tronditur përfundimisht rendi ekzistues botëror. Nga analistja e njohur Anne Appelbaum dëgjuam vlerësimin se filloi një epokë e re konfliktesh. Politikania veterane italiane, Emma Bonino, i citoi fjalët e Uinston Çërçillit: “Rusia është një gjëegjëzë, e mbështjellë me një enigmë brenda një misteri”. Këtë mister e zbërtheu fare thjeshtë e me qetësi olimpike kineze Viktor Gao, ish përkthyes i Ten Siao Pinit (udhëheqësit që i dha Kinës drejtimin politiko-ekonomik të tanishëm), kur deklaroi në intervistën me Kristianë Amanpur se: “Pa Rusinë, vendin me sipërfaqen më të madhe në glob, me burime të pashtershme natyrore, me ushtri të fortë dhe me potencialin më të madh bërthamor, nuk mund të ketë siguri në Europë dhe as stabilitet në botë”.
Kemi dëgjuar plot mendime të tjera të arta mendimtarësh politikë e analiza paralajmëruese se ku mund të shkojë bota tani e tutje, se çfarë rreziqesh të mëdha e të papërfytyrueshme deri më sot po i kanosen njerëzimit. Vetëm një gjë vazhdon të mbetet njësoj si më parë: Në Moskë i kanë veshët të shtupuar dhe shohin vetëm ëndrra rusomëdha. Sanksionet ekonomike, që janë zgjedhur si mjeti kryesor i reagimit të deritanishëm nga Perëndimi për të ndihmuar Ukrainën, ende nuk ua kanë prishur rusëve hipnozën shovene, sepse ndikimet i japin më ngadalë se bombardimet ruse në Ukrainë. SHBA-ja e Perëndimi po tregohen tejet të kujdesshëm për të mos u bërë palë ndërluftuese në konfliktin e armatosur në Ukrainë, çka tregon se nuk po e shpërfillin kërcënimin rus për të provokuar një Luftë të Tretë Botërore, madje me armë bërthamore, sepse e dinë se edhe sikur Putini e Lavrovi kur flasin për këtë luftë në mendjet e tyre të kenë vetëm blofin për shantazhin e radhës, të papriturat mund të ndodhin në shumë mënyra. Prandaj Perëndimi po e ngushëllon e trimëron veten më shumë se ukrainasit me vlerësimet e larta për qëndresën heroike përballë agresionit rus dhe me fitoren e madhe që është arritur në Ukrainë, ku tashmë ka dështuar plani i Putinit për të pushtuar brenda 48 orësh me luftë të rrufeshme Kievin, për të vendosur atje një regjim e qeveri kukull moskovite që do ta rikthente faktikisht Ukrainën në ish-Bashkimin Sovjetik. Nuk mund të vlerësohet vetëm si blof që Putini e Rusia duken tejet të vendosur t’i shkojnë deri në skajshmëritë më absurde synimit për t’i fshirë nga harta kombin ukrainas e shtetshmërinë e tij. Prandaj kanë vënë në veprim edhe kërcënimin me luftë bërthamore nëse Perëndimi nuk u bën lëshime të ndjeshme në këtë fazë të ballafaqimit. Për më tepër, në lojë është hedhur karta e prestigjit të Putinit, i cili nuk e fsheh se kërkon të hyjë në historinë e Rusisë si arkitekti e realizuesi i fitores më prestigjioze të Rusisë pas triumfit rus kundër ushtrisë së Napoleon Bonapartit dhe Fitores sovjetike mbi ushtritë e nazizmit hitlerian në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Prandaj botës po i kërcënohet…
Terrorizmi rus me luftë botërore bërthamore

Ky është tipari më dallues i zhvillimeve tragjike që ka sjellë agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës dhe që e bën të një rëndësie të veçantë për fatet e një rendi të ri më të qëndrueshëm botëror solidaritetin me qëndresën e vendosur e mahnitëse të popullit të Ukrainës, të udhëhequr me vendosmëri e mjeshtëri nga Presidenti Zelenskij e gjithë bashkëpunëtorët e tij. Ky solidaritet rezulton ende i pamjaftueshëm për ta ndalur rrënimin e vendit dhe spastrimin etnik në Ukrainë, që është më i madhi pas Luftës së Dytë Botërore në Europë, që në fjalën e tij para Knesetit izraelit presidenti i Ukrainës e quajti një “Holokaust të dytë”. Lufta me metodat e “tokës së djegur”, që po zhvillon Rusia, ndjek si synim të dytë frikësimin e botës demokratike me kërcënimet se Rusia mund të mos ndalet me kaq dhe mund ta vazhdojë më tej të njëjtën sjellje agresive kundër shtetesh e popujsh të tjerë, për të vendosur hegjemonizmin e saj në Europë dhe për të rimarrë rolin e dikurshëm të superfuqisë botërore, ish-Bashkimit Sovjetik. Rusia tani nuk i vë asnjë kufi politikës së saj agresive, nuk mban parasysh asnjë parim moral e normë të së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme për kohë lufte dhe me arrogancë e prepotencë të shfrenuar politike e ushtarake po e trajton tashmë Ukrainën si pjesë të saj, duke e kthyer në teatër luftimesh të një ekspedite ushtarake ndëshkimore, që me cinizëm e emërton “operacione speciale”.
Ky është një terrorizëm i mirëfilltë shtetëror si mjet ekspansioni e diktati nga Rusia, që ta trullosë gjithë botën demokratike. Në kuptimin më të thjeshtë e të drejtpërdrejtë politik e juridik terrorizmi është frika që kërkon të ngjallë agresori tek njerëzit e njerëzimi me përdorimin e çdo mjeti të mundshëm për të arritur disa qëllime politike. Kanë kaluar disa dekada qëkur “terrorizmi ndërkombëtar” u shpall edhe si armiku më i madh e më i tmerrshëm i njerëzimit pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së komunizmit në Europën Lindore, madje u hamendësua dhe për një “terrorizëm bërthamor” pasi armët bërthamore mund të binin në duart e terroristëve të ndryshëm, që mund të përfitonin nga rrëmuja e krijuar pikërisht pas shkatërrimit të ish-Bashkimit Sovjetik. Në këtë atmosferë u bë dhe çarmatimi bërthamor i Ukrainës, që zotëronte armë të tilla, të cilat iu dhanë për ruajtje më të sigurt Rusisë. Rusia u bë kështu një nga garantueset se Ukraina nuk do t’i nënshtrohej ndonjë kërcënimi bërthamor. Por, sot është Rusia që po e kërcënon në radhë të parë Ukrainën me përdorim armësh bërthamore, taktike ose strategjike dhe po kërkon, nëpërmjet pushtimit ushtarak, që pikërisht Ukrainës t’i ndalohet shprehimisht mundësia për të pasur edhe armatim konvencional të mjaftueshëm për vetëmbrojtje, siç kanë vendet e tjera, si dhe për të hyrë në aleanca mbrojtëse që i sheh të domosdoshme, siç bëjnë dhe shtete të tjerë. Kështu, “terrorizmi bërthamor” po bëhet lloji më i rrezikshëm dhe më tmerrues për gjithë njerëzimin (dhe më i frikshëm se Pandemia e Covid-19). Për luftën bërthamore tani po flitet fare haptas si një gjë gati e pashmangshme. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë njërës nga paraqitjet e tij diplomatike putiniane lidhur me luftën në Ukrainë e ka deklaruar me qetësi arrogante se po nuk u pranuan kushtet e ultimatumit që ka paraqitur Rusia për kapitullimin e Ukrainës dhe përuljen e diplomacive perëndimore para ultimatumeve ruse “bota rrezikon të shkojë në Luftën e Tretë Botërore” dhe “një Luftë e tillë e Tretë Botërore nuk mund të jetë veçse bërthamore”. Vëzhgues të njohur perëndimorë kanë thënë me shqetësim se “Lufta e Tretë Botërore qëndron si ‘shpatë e Demokleut’ mbi qafën e njerëzimit”, shtrihet si hije e zezë mbi kokat e të gjithëve.
Në fakt, duhet menduar se Lufta e Tretë Botërore ka filluar tashmë dhe ajo po zhvillohet në disa rrafshe: gjeostrategjike, politike, ekonomike, diplomatike, propagandistike e deri kibernetike, duke tronditur e vështirësuar gjithë sistemin e deritanishëm të marrëdhënieve ndërkombëtare në të gjitha fushat. Kjo Luftë Botërore po fillon edhe në rrafshin e ndeshjeve me armë, duke përfshirë edhe ato të ndaluarat, të shkatërrimit në masë, pavarësisht se hëpërhë teatri i veprimeve ushtarake ka mbetur i kufizuar brenda territorit të Ukrainës. Por, paralajmërimet e diplomacisë kineze se nuk mund të ketë më siguri në Europë dhe stabilitet në botë pa rolin e Rusisë në çdo vendimmarrje, dëshmojnë se është projektuar e po realizohet hap pas hapi trekëndëshi botëror për trajtimin në rreth të ngushtë (SHBA-RUSI-KINË) të problemeve të luftës e të paqes. Presidenti amerikan Bajden ka shpallur se SHBA-ja synon dhe është gati të prijë me vendosmëri në përpjekjet që duhen bërë për të vendosur një rend të ri në botën njëpolare, që është bërë lëmsh. Sergei Lavrovi ka deklaruar se: “Tani Rusia, pasi e ka njohur mirë se çfarë është Perëndimi, nuk mund të pranojë më të jetojë në një botë unipolare, ku vetëm SHBA-ja do ta bëjë rolin e sherifit (xhandarit)”. Kina përkëdhelet si përpara me Rusinë, por e vë re që Amerika tani po e zbeh vrullin për ta trajtuar Kinën si armikun numër një e rivalin kryesor. Pas 23 shkurtit është bërë e qartë se kërkohen…
Prirje të reja gjeopolitike për rend më të mirë botëror

Jo shumë kohë më parë Presidenti Putin pat sugjeruar që të reformohet Këshilli i Sigurimit të OKB-së, për ta bërë atë si një forum të institucionalizuar të kryetarëve të shteteve të pesë anëtarëve të përhershëm të tij (SHBA-Rusi-Kinë-Francë-Angli) sipas modelit e fizionomisë së Aleancës së Shenjtë, që e krijuan monarkët e Fuqive të Mëdha të Krishtera në Kongresin e Vjenës të vitit 1815, pas fitores mbi Napoleonin, për të garantuar e qetësuar sigurinë në Europë. Para se të niste “ekspeditën ushtarake ndëshkuese” në Ukrainë, presidenti rus Putin bëri edhe disa orvatje që Rusia e SHBA-ja ta merrnin bashkërisht në dorë punën, si dy fuqitë e mëdha reale në Europë, e t’i përcaktonin bashkërisht prirjet e zhvillimit të ngjarjeve në këtë kontinent, sidomos në Ukrainë dhe në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.

Ndërkaq, SHBA-ja, prej disa vitesh, ishte përqendruar në idenë se kundërshtari, madje armiku i saj parësor, ishte Kina në Lindjen e Largët dhe tregonte më shumë interes që ta tërhiqte Rusinë (të cilësuar më shumë si fuqi rajonale në të folmen diplomatike amerikane) sa më larg bashkëpunimit aleancor me Kinën. Tani SHBA-ja përpiqet t’i drejtojë më ndryshe velat e anijes së saj lundruese diplomatike në Oqeanin Paqësor, duke synuar që ta largojë Kinën nga besnikëria e madhe ndaj Rusisë. Kinës, në këto rrethana, tani i kanë ardhur e mira dhe ndera tek dera për ta rritur edhe më rolin e peshën e saj politike dhe ekonomike në botë, por duke dëshmuar besnikëri, si më parë, ndaj mikes së saj, Rusisë, dhe duke dhënë sa më shumë “këshilla të vyera” për SHBA-në e Perëndimin edhe për çështje konkrete, si lufta në Ukrainë e rreziku i shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore. Kina, tani, hiqet flamurtare e idesë së krijimit të “treshes së madhe” në diplomacinë botërore larg “ndarjes së tyre në dy blloqe rivale antagoniste”, si gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë.
Më të ndëshkuarit në këto rrethana janë demokracitë europiane, që kërcënohen më drejtpërdrejt nga zhvillimet në Ukrainë, nga orekset e mëtejshme ekspansioniste të Rusisë dhe nga ulja e peshës së tyre specifike në peshoren e punëve botërore. Prandaj në Europë po kërkohen me ngut analiza të thella tani se si mund të dilet sa më shpejt nga kjo gjendje. Megjithatë, Europa është e dënuar tashmë të përpëlitet për mjaft kohë në darën e rrethanave më të pavolitshme për të, sepse deri tani merrej më shumë me mbrapshti të vogla diplomatike se me gjeostrategji serioze dhe e kishte vënë veten me lehtësi në vartësi të tepruar për mbrojtjen nga SHBA dhe për sukseset ekonomike nga lidhjet e shumta e të gjera me Rusinë.
Nuk mund të lë pa përmendur kalimthi edhe “paradoksin diplomatik” shqiptar të vërtitjes me përplasje të forta prej disa dekadash, më saktë nga viti 1948, të Shqipërisë që nëpër këndet e brinjët brenda trekëndëshit të madh diplomatik të sotëm (ish-BS Rusi-Kinës e SHBA). Fillimisht, Shqipëria ishte më shumë vetëm një zë i mekur dhe i vonuar në korin diplomatik socialist me në krye Bashkimin Sovjetik kundër imperializmit amerikan. Pastaj Shqipëria u bë përforcuese e zërit të Kinës Popullore komuniste kundër imperializmit amerikan e social-imperializmit sovjetik (vitet 1960-1980) dhe, së fundi, Shqipëria është sot një mbështetëse e përgjëruar e jehonës së politikës së SHBA-së deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Këtu shpresoj do të ndalet, si në stacionin e fundit të mundshëm më të rehatshëm, sepse për shumë kohë nuk mund mendohet të dalë ndonjë superfuqi tjetër, ku Shqipëria të ngjitet me aq lehtësi si më parë. Mendimet e mia edhe për aspekte të tjera të implikimeve të zhvillimeve në Ukrainë mbi pozitat e interesat e shqiptarëve në Europë i kam pas paraqitur mjaftueshëm në shkrimin e titulluar “Rikthimi tek Lufta e ftohtë” (“Shenja”, prill 2014) dhe ato qëndrojnë edhe tani. Sot, natyrisht, gjendja është përkeqësuar më shumë se atëherë, kur veprimet luftarake përqendroheshin në zonat më të kufizuara rusishtfolëse të Donjeckut e të Luganskut dhe të ngjallnin më shumë keqardhje për banorët rusishtfolës të këtyre zonave. Ndërkaq sot keqardhjen tonë duhet ta rezervojmë e ta shprehim tërësisht e me indinjatë ndaj asaj që po bën Rusia me luftën gjenocidale në Ukrainë. Nëse atëherë kishte vend për ta shprehur zemërimin kundër pushtimit e aneksimit me dhunë të Krimesë nga Rusia (ndaj të cilës bota demokratike perëndimore reagoi shumë vakët, siç kishte ndodhur dhe në rastin e luftës masakruese të Rusisë në Çeçeni), sot jemi para krimeve shumë më të rënda të spastrimit etnik të miliona ukrainasve brenda vendit vendit e jashtë, që na sjellin në kujtesë atë që bënte Serbia në Kosovë në vitin 1999. Sot zhvillimet në Ukrainë na sjellin në kujtesë edhe zhvillimet tragjike në Shqipëri në pranverën e vitit 1997, që synonin ndarjen territoriale të Shqipërisë, siç duhet besuar se mund të synohet sot të bëhet në Ukrainë si një variant më i lehtë i arritjes së kompromisit në një frymë krahasuese me ndarjen e Polonisë nga Traktati Ribentrop-Molotov në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Një nga kushtet e rënda, që u ka vënë Putini diplomacive perëndimore, është “ndreqja e gabimeve historike të bëra në dëm të Rusisë imperiale dhe sovjetike”. Nuk mund të thuhet se Rusia do të kënaqej lehtë vetëm me aq sa ka përfituar me aneksimin e Krimesë dhe shpalljen për njohjen ndërkombëtare të republikave të Donjeckut e Luganskit ose me një garanci për zgjidhje hibride. Harta e Ukrainës, që e shohim çdo ditë në ekranet televizive, tregon qartë se vendosja e ushtrive ruse është në gjithë zonat ku mund të shtrihen pretendimet e Rusisë, në rast se nuk do të funksionojë varianti për një ”bosnjëzim të të gjithë Ukrainës” me një veto të fuqishme të forcave pro-ruse.
Prandaj qëndresa që po bëjnë ukrainasit dhe udhëheqja e tyre shtetërore në rrafshin e luftës e të diplomacisë (sidomos deklaratat e Zelenskit se në bisedime me Putinin nuk mund të pranojë lëshime në dëm të sovranitetit dhe integritetin shtetëror e territorial të Ukrainës) janë për t’u admiruar. Këto duhet të shërbejnë si mësim model frymëzimi edhe për shqiptarët, sepse Ballkani mund të bëhet vatër e dytë e nxehtë e luftës gjenocidale pas Ukrainës, sepse “Rusia ballkanase” (alias Serbia) edhe një herë ia tregoi Europës dhe botës se asgjë nuk e lëkund në besnikërinë ndaj aleancës së saj me Moskën dhe në pretendimet e saj për të bashkuar “botën serbe”, ashtu siç shprehet Rusia për “botën sllave”. Serbia tani e ka hedhur vetë në erë projektin e saj mashtrues për “Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë do të bënte mirë të mos e zë në gojë këtë projekt.
Pavarësisht nga ankesat që kemi se Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, se helikopterët ukrainas në vitin 2001 morën pjesë në masakrat sllavo-maqedone mbi shqiptarët dhe ushtarë ukrainas u treguan më të ashprit e kontingjentit ndërkombëtar në Kosovë në vitin 2004, sot që në Ukrainë janë në lojë parime të mëdha politike juridiko-ndërkombëtare e morale njerëzore, janë në peshoren e të drejtës e të padrejtës interesa globale dhe nuk dihet se çfarë po gatuhet në fshehtësi, solidariteti shqiptar duhet të jetë pa mëdyshje e me gjithë zemër në anën e Ukrainës. Mësimin e 20 në librin e vet Timoti Snaider e ka titulluar “Be as courageous as you can” (Jini aq të guximshëm sa mundeni). Duket se Ukraina këto po i bën mirë, madje dhe përtej mundësive që ka. Të tjerët duhet të jenë solidarë në maksimumin e mundshëm. Një fjali tjetër në këtë mësim thotë: “If none of us is prepared to die for freedom, then all of us will die under tyranny” (Nëse askush nga ne nuk është i gatshëm të vdesë për liri, të gjithë ne do të vdesim nën tirani). Këtë mesazh e kanë përçuar çdo ditë Zelenski e ukrainasit “ne po luftojmë për të gjithë”.
Prandaj çdo shtetar, politikan apo qytetar atdhetar shqiptar e ka detyrë njerëzore të nderojë dhe të ndihmojë si mundet atë që po bën Ukraina, sot, siç kanë bërë edhe ndaj shqiptarëve dje.
Burimi: Shenja.tv

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re