Abir Um Hasan, e cila u arrestua me fëmijën e saj dy vjet e gjysëm gjatë rrugës për në spital në vitin 2016 në kryeqytetin sirian Damask, tha: “Mua më morën në pyetje pesë herë. Ata më torturuan edhe pse e dinin se isha shtatzënë. Më rrihnin vazhdimisht. Arrestimi i pafajshëm i një gruaje shtatzënë është krimi më i madh i luftës”.

Fëmijët dhe gratë janë viktimat më të mëdha të luftës civile në Siri, e cila është në vitin e saj të 11-të.

Sipas të dhënave të Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut, të paktën 1.2 milionë persona u arrestuan nga forcat e regjimit dhe iu nënshtruan torturave të ndryshme gjatë luftës civile. Të paktën për 132 mijë prej tyre ende nuk është marrë lajm.

Abir Um Hasan nga Damasku është vetëm një nga gratë që u torturuan duke u mbajtur e pafajshme në njësi të ndryshme të sigurisë së regjimit.

Um Hasan, 39-vjeçare shkoi në spital kur e mësoi se ishte shtatzënë në vitin 2016. Ajo u arrestua nga njësitë e sigurisë në kryeqytetin Damask, me djalin e saj dy vjet e gjysëm.

Nëna e re, e cila ishte mbajtur në burgjet e Damaskut për 4 muaj, emigroi në Idlib me familjen e saj pasi u la e lirë me ryshfet.

Um Hasan lindi një djalë të quajtur Ammar vetëm një javë pasi ajo u la e lirë.

– “Në mendjen time ishte vetëm djali im dhe situata e foshnjës sime në barkun tim”

Um Hasan në një prononcim për (AA) foli rreth torturave të regjimit në burgje dhe krimeve të luftës që ajo pa.

Ajo thotë se nuk mund t’i fshijë ato ditë nga kujtesa e saj edhe pse kanë kaluar rreth 5 vjet. Um Hasan tha se ajo donte të fliste në mënyrë që të gjithë të dinin për krimet çnjerëzore të praktikuara në qelitë e regjimit.

“Ne ishim shumë të frikësuar kur na arrestuan. Unë dhe djali im u përqafuam dhe qanim. Kur na morëm në pyetje për herë të parë, ata duke e rrahur e dëbuan djalin tim nga unë. Ata e çuan në një vend tjetër ku ishin vajzat. Britmat e djalit tim janë akoma në veshët e mi. Në atë moment, sikur shpirti ishte ndarë nga trupi im”, tha ajo.

Duke theksuar se nuk e harroi kur u mor në pyetje për herë të parë, Um Hasan tha: “Djali im ishte me mua gjatë marrjes në pyetje herën e parë. Djali im ishte shumë i frikësuar nga ajo që pa, ai po bërtiste. Ata e larguan atë për shkak të britmave. Pas kësaj unë nuk e pashë atë. Sa herë që merresha në pyetje, në mendje kisha vetëm djalin tim dhe situatën e foshnjës në barkun tim”.

– “Ata kërcënonin gratë me fëmijët e tyre gjatë marrjes në pyetje”

Duke theksuar se ata ishin subjekt i abuzimit të rëndë me fjalë si dhe torturave fizike, Um Hasan u shpreh: “Kur nuk mundën të merrnin përgjigjen që donin, ata më goditën dhe më shkelën belin me çizmet e tyre dhe mi shkelnin duart. Kur e ndanë djalin tim nga unë, isha e shkatërruar dhe nuk dija çfarë të bëja. U sëmura, por ata nuk u kujdesën për ne duke na trajtuar si terroristë”.

Um Hasan duke treguar habinë e saj kur hyri për herë të parë në burg tha:

“Kur më dërguan për herë të parë në burg, u habita se për çfarë të mërzitesha. Unë tashmë kisha hequr dorë nga vetja. A të mërzitesha për djalin tim që u mor nga unë ose për foshnjën në barkun tim. Nuk e dija se ku do të na çonin. Jam marrë në pyetje pesë herë. Ata më torturuan edhe pse e dinin që isha shtatzënë. Më rrihnin vazhdimisht. Arrestimi i pafajshëm i një gruaje shtatzënë është krimi më i madh i luftës”.

Um Hasan tha se ishin rrahur për sa kohë që nuk i pranonin akuzat e bëra kundër tyre gjatë marrjes në pyetje. “Ata po kërcënonin gratë me fëmijët e tyre gjatë marrjes në pyetje. Një grua në qelinë tonë humbi ndjenjat për shkak të kësaj. Ata vazhdimisht e rrihnin atë për shkak të britmës së saj”.

Ajo thotë se asaj i ishin lidhur sytë gjatë marrjes në pyetje. “Unë do të jepja gjithçka tash për të parë personin që na ngacmoi dhe torturoi gjatë marrjes në pyetje. Ai gjithmonë më kërkonte të rrëfeja diçka. Fjalët që thanë gjatë marrjes në pyetje ishin më poshtëruese dhe më të rënda se rrahjet”, tha Um Hasan.

– “Veshkët e mia ishin pezmatuar”

Um Hasan shtoi se ajo ende nuk mund t’i harrojë ato ditë të dhimbshme dhe të frikshme.

“Për shkak të torturave të forta në njësitë e sigurisë në Damask dhe gjumit në tokë, veshkët e mia ishin pezmatuar dhe kisha shumë dhimbje. Më dërguan në spital dy herë. Më dërguan në spital me pranga. Pasi më bënë analizat, mjeku tha se gjendja ime ishte e keqe dhe duhej të ushqehesha shëndetshëm”, tha ajo.

Um Hasan thekson se pavarësisht se ishte shtatzënë, ajo u transferua në burgun qendror Adra në Damask pasi u mbajt në njësi të ndryshme të sigurisë. “Pas burgut Adra më dërguan në Gjykatën kundër terrorit. Unë i thashë gjyqtarit se gjatë marrjes në pyetje ata më akuzuan për një krim që nuk e kam bërë dhe se ata vazhdimisht më bënin presion për të rrëfyer diçka. U tregova që kërcënohesha vazhdimisht. Por, gjykatësi kërkoi ryshfet prej 1.000 dollarë për të më lënë të lirë”, tha Um Hasan.

 “Pinim nga uji i tualetit”

Sipas saj, kushtet e jetesës në njësitë e sigurisë ishin shumë të këqija. “Ne i shkruanim emrat tanë në muret e qelisë ku qëndruam në njësinë Khatib (njësia e sigurimit). Këtu ata na drejtoheshin me numra në vend të emrave tanë. Prandaj, ne u jepnim mesazh atyre që erdhën këtu pas nesh se kemi qëndruar këtu. Pinim nga uji i tualetit”, tha Um Hasan.

Ajo potencoi se dhjetëra gra flinin njëra mbi tjetrën në repartin e vogël në të cilin mbaheshin. “Reparti ishte shumë i vogël. Kishte dhjetëra njerëz. Nuk mund të merrnim as frymë. Vendi ku mbaheshim ishte i mbyllur dhe i errët. Ishte më e vështirë për mua sepse isha shtatzënë. Ne nuk e dinim se sa ishte ora dhe se çfarë dite ishte”, tregon ajo.

Nëna Um Hasan pasi u la e lirë u ribashkua me fëmijën e saj, i cili iu dorëzua familjes së saj më parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re