Familja e Diane Keaton zbuloi se shkaku i vdekjes ishte pneumonia, në një deklaratë të publikuar në revistën People. Ata falënderuan të gjithë fansat e saj për “mesazhet e tyre të dashurisë dhe mbështetjes”.
Familja inkurajoi këdo që dëshiron të dhurojë në kujtim të saj, për një organizatë bamirësie ose kujdesi për kafshët që ishte e dashur për aktoren, muzën e Woody Allen dhe fituesen e çmimit Oscar për Annie Hall.
Mesazhi i familjes: “Familja Keaton është thellësisht mirënjohëse për mesazhet e jashtëzakonshme të dashurisë dhe mbështetjes që kanë marrë ditët e fundit për të dashurën e tyre, Diane, e cila ndërroi jetë më 11 tetor nga pneumonia,” tha familja në një deklaratë, duke i nxitur të gjithë të mbështesin kauzat në të cilat besonte aktorja. “Ajo i donte kafshët dhe ishte e përkushtuar fort për të mbështetur komunitetin e të pastrehëve, kështu që çdo dhurim në kujtim të saj për një bankë lokale ushqimore ose strehë kafshësh do të ishte një homazh i mrekullueshëm dhe shumë i vlerësuar.”
Dalja e fundit publike e Diane Keaton, sipas një aktori që luajti me të në The Book Club, ishte një festë e kohëve të fundit për ditëlindjen e Jack Nicholson. I intervistuar nga People, Ed Begley Jr. tha: “Ishte shumë mirë ta shihja atje. Ajo e donte Jack-un dhe Jack e donte atë. Kështu që nuk dua të flas në emër të tij, por jam i sigurt se ai është i shkatërruar nga vdekja e saj.” Diane luajti me Nicholson në filmin Something’s Gotta Give të vitit 2003 dhe më pas në filmin And So It Goes të vitit 2014. Aktori mbushi 88 vjeç në prillin e kaluar dhe nuk është e qartë se kur u zhvillua festa ku thuhet se mori pjesë Keaton.
Lamtumira e Woody Allen dhe Al Pacino: “Si mund të biesh në dashuri kaq shpejt?”
Woody Allen, në një ese në faqen e internetit The Free Press, kujton dashurinë e tij për Diane Keaton gjatë një audicioni në Teatrin Morosco të Broadway-t: “Kaq inteligjente, kaq e bukur, kaq magjike. Dyshoja në shëndetin tim mendor.” “Nëse Huckleberry Finn do të kishte qenë një grua e re e bukur, do të kishte qenë Diane.” Woody, me të cilin Keaton mbeti mike përgjithmonë, ishte ajo që e mbështeti atë kur regjisori u akuzua përsëri nga vajza e tij e birësuar, Dylan, se e kishte ngacmuar seksualisht kur ishte fëmijë. Ai kujtoi në faqen e internetit të Bari Weiss (kolumnisti konservator i emëruar së fundmi redaktor i CBS News) takimin e tij të parë me Diane në vitin 1969 gjatë provave për shfaqjen e tij në Broadway Play It Again, Sam: “Me kalimin e kohës, fillova të bëja filma për një audiencë prej një personi: Diane. Nuk lexova kurrë një recension të punës sime, më interesonte vetëm se çfarë kishte për të thënë ajo,” shkroi regjisori gati nëntëdhjetëvjeçar, i cili e drejtoi Keaton në tetë filma, pothuajse të gjithë pas përfundimit të marrëdhënies së tyre.
Edhe Al Pacino, i cili ishte partneri i saj me ndërprerje për një dekadë, pasi u takuan për herë të parë në vitin 1971 në sheshxhirimin e filmit “Kumbari”, shprehu keqardhjen e tij më të madhe: “Nuk i kërkoi asaj të martohej me të”. Dhe kur Diane, e cila kishte “një dashuri të madhe” për bashkë-yllin e saj në filmin e Francis Ford Coppolas, i paraqiti një ultimatum, Michael Corleone i Hollivudit u frikësua dhe iku. Megjithatë, sot ai pranon se Diane ishte dashuria e jetës së tij: “Ai do të pendohet përgjithmonë që nuk e bëri atë hap kur mund ta bënte, dhe tani është tepër vonë”, tha një mik i aktorit.
