Erion Veliaj u takua me banorë të Njësisë 7, kryesisht të zonës së ish-Fushës së Aviacionit, me të cilët mbolli disa pemë në vijim të fushatës së gjelbër drejt 14 Majit.

 

Ai tha se prej ndërhyrjeve të Bashkisë, vlera e pronës në zonë është rritur me të paktën dyfishin e saj.

 

“Sot, po të shohësh se si me zhvillimin e ish Fushës së Aviacionit dhe me hapjen e Astirit pas tre vitesh bllokim, krejt papritur e gjithë lagjja tjetër po konturohet dhe qyteti po rritet me të njëjtën shpejtësi, do të thotë që jo vetëm mund të ecim përpara, por edhe mund të mbajmë ritmin me zhvillimin e pjesëve të tjera të qytetit. Fakti që edhe gjysma tjetër që konsiderohej një xhep midis Lanës dhe Fushës së Aviacionit, sot është kantieri më i madh i zhvillimit dhe urbanizimit, flet vetë dhe mezi pres që ta vazhdojmë këtë punë dhe të ecim përpara,” u shpreh Veliaj.

 

Veliaj ftoi qytetarët të votojnë për ata që kanë besim se do i çojnë gjërat përpara.

 

“Familja më e rëndësishme politike është familja jote. Nëse ty të intereson çerdhja, kopshti, shkolla, do lidhësh kontratë me ata që të bënë kopshtin, çerdhen e shkollën. Nëse dikush thotë hajde bëjmë luftë me Amerikën, nuk besoj se ka njeri këtu që do të bëjë luftë me Amerikën. Kur mendoj se sa ka qenë çmimi i pronës te ish Fusha e Aviacionit në 2015 dhe si në disa raste është 2 apo 3-fishuar, do të thotë që kjo mbjellje pemësh, ky pastrim, ky mjedis këtu me terrenet sportive, i japin vlerë. Kur bëhet edhe rruga, edhe infrastruktura arsimore, në atë zonë që konsiderohej xhep, sot i jep vërtetë vlerë pronës,” deklaroi më tej ai.

 

Kryebashkiaku tha se Partia Socialiste do të vijojë fushatën larg sherreve e debateve politike.

 

“Kur shikoj ata që paguajnë 100 mijë euro stadiumin, ndërkohë flasin për varfërinë dhe të nxjerrin sytë për tërmetin dhe për pandeminë, pa bërë dhënë një pjatë supë apo një pako ushqimore me lekët që u vijnë nga Rusia – se qartazi, rusët janë korrektë me pagesat që kanë për agjentët e tyre këtu – është mëkat se si në 2023 udhëheqës politikë u flasin stadiumeve bosh, ndërkohë mund të bënin shumë e më shumë punë”, tha kryebashkiaku.

 

Në fund, Veliaj e mbylli fjalën e tij me një urim për të gjithë besimtarët myslimanë, që festojnë nesër Bajramin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re