Lobistët amerikanë të paguar nga Arabia Saudite dhanë më shumë se 2.3 milionë dollarë për fushatat politike amerikane në fund të vitit 2016 dhe fillimin e vitit 2017, në kuadër të një operacioni të gjerë ndikimi për të zbutur qëndrimet anti-saudite në Kongres dhe për të nxitur interesat e tjera saudite në Shtetet e Bashkuara, thuhet në një studim të ri, bazuar në regjistrin federal amerikan për lobizmin.

Analizmi i të dhënave nga Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj për vitin 2017 nga Qendra për Politika Ndërkombëtare, gjeti se ndërsa 25 për qind e fondeve u ishin dhënë Komisioneve për Veprim Politik (PAC – organizata private që grumbullojnë dhe shpenzojnë fonde për fushata elektorale), më shumë se 1.5 milionë dollarë u përdorën për fushata elektorale individuale, me afro 400 mijë dollarë të dhëna për 75 anëtarë të Kongresit, të cilët u kontaktuan nga lobistët në emër të Arabisë Saudite.

Mes ligjvenësve, Kevin McCarthy, udhëheqësi i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, ishte përfituesi më i madh i donacioneve të fushatës nga lobistët në emërin e sauditëve dhe Senatori Bill Nelson, ishte përfituesi kryesor nga krahu i demokratëve.

Në 12 raste, anëtarë republikanë dhe demokratë, kanë marrë kontribute për fushatat e tyre në të njëjtën ditë, që zyrat e tyre ishin kontaktuar nga lobistë të sauditëve, që në shumë raste kishin lidhje me projekt-ligjin për të lejuar viktimat e sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara që të hidhnin në gjyq Arabinë Saudite.

Mes këtyre ligjvënësve janë republikani Bob Corker, Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë; republikani Richard Burr, që drejton Komisionin e Senatit për Zbulimin; demokrati Cedric Richmond që drejton grupin e ligjvenësve afrikano-amerikanë në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Në hulumtimet tona gjetëm se lobistët për sauditët bënë përpjekje të vazhdueshme në vitin 2017…dhe mendja ta do, që ata po bëjnë të njëjtën gjë tani”, tha Ben Freeman, që drejton Nismën për Transparencën e Ndikimit të Huaj dhe njëkohësisht autor i raportit.

Kontributet për fushata elektorale janë të lajuara. Ligjet në Shtetet e Bashkuara lejojnë që amerikanët të lobojnë në emër të qeverive të huaja dhe të japin kontribute financiare për fushatat e ligjvënësve, për sa kohë që aktivitetet e tyre dhe donacionet financiare raportohen pranë Departamentit të Drejtësisë.

Lydia Dennet, eksperte me Projektin për Mbikëqyrjen e Qeverisë në Uashington, thotë se ndërsa raporti të jep përshtypjen e një shkëmbimi të drejtpërdrejt favoresh, mes lobistëve dhe ligjvënësve, ai nuk sugjeron se “ata po veprojnë si përçues të një qeverie të huaj”.

“Shpesh këta njerëz veprojnë në kapacitetet e tyre përsonale ndaj është shumë e vështirë të thuhet nëse janë veçanërisht të motivuar politikisht ose nëse kanë marrëdhënie personale me individin në emër të të cilit dhurojnë para”, tha zonja Dennet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko