Mjekja shqiptare që jeton e punon në Gjermani, Marsela Ceno, është shprehur se vendimi i qeverisë për kushtëzimin e diplomave për studentët e mjekësisë, nuk sjell ndonjë përfitim për shtetin.

Komentet Ceno i bëri përmes një interviste në Panorama TV, ku tha se studentët pasi mbarojnë 6 vite të Universitetit, nuk janë ende të përgatitur për të shërbyer si mjek, pasi sipas saj, ata kanë mangësi të shumta nga ana praktike.

Ceno shtoi se nëse studentët që janë të papërgatitur nga ana praktike, nuk mund të sjellin përfitime për sistemin shëndetësor dhe mund të vendosin në rrezik jetën e pacientëve.

“Studentët njëzëri e kundërshtuan projektidenë e propozuar nga 2 ministret. Nëse do të isha pjesë e studentëve, do e kundërshtoja një masë të tillë, sepse ne kemi dhënë shembuj sesi funskionon specializimi në Gjermani dhe kemi dhënë shembuj për mbajtjen e studentëve në Shqipëri.

Duhet masa për të frenuar këtë fenomen, masat duhet të jenë në tërësi dhe nuk duhet të nisë nga intimidimi i studentëve, përpara se ata të nisin universitetin. Duhet përmirësuar i gjithë procesi, kushtet në të cilat ata mësojnë dhe praktikojnë. Heqjen e kuotave të pambuluara. Pra janë shumë gjëra që të marrë bashkë, do të mund të çonin në largimin largimin e mjekëve nga Shqipëria. Studentët fokusohen vetëm te kjo pikë.

Ne duhet të ulemi përpara rektoratit dhe të shikojmë kushtet që duhet të përmirësohen. Është ëndrra e të gjithëve që të kryejnë specializimin jashtë vendit. Të gjithë duan të kenë kontakt me mjekësinë europiane. Nëse unë do nisja sot mjekësinë dhe do më kërkohëj llogari jo vetëm ditën e provimit, por gjatë gjithë ciklit, pra nëse përmirësohen të gjitha hapat e sipërpërmendura dhe do të na jepej mundësia për të punuar në Shqipëri… Nga ana tjetër e shikoj si shans që qeveria i jep mundësinë studentëve që të punojnë 3 vite në Shqipëri.

Por duhet të kemi sigurinë që pas kësaj pune, studentët të kishin mundësi për të bërë specializimin. Nuk jam penduar që jam larguar nga Shqipëria, por nuk do të pendohesha edhe nëse do të kthehesha në Shqipëri dhe të ktheja njohuritë e fituara atje në kontribut për Shqipërinë.

Shteti nuk ka përfitim nëse i detyron këta nxënës që të punojnë pas shkollës, pasi ata në fund të 6 viteve të shkollës nuk kanë njohuritë e duhura. Studenti që të punojë në mënyrë të pavarur, duhet një fazë përgatitore, pas përfundimit të lëndëve praktike. Studentët e mjekësisë në Gjermani në vitin e 6 duhet të marrin pjesë në praktikë. Situata e studentëve sot në vitin 2023 ngjan njësoj me atë në vitin 2010 kur ishim ne. Nëse ke student që nuk dinë të bëjnë asnjë gjë, çfarë mund të përfitosh nga ata, vetëm vë në rrezik jetën e pacientëve. Unë kam pasur komunikim të ngushtë me palët përkatëse të ministrive dhe momentalisht nuk ka asnjë draft”, u shpreh Ceno.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re