Lulzim Basha ka theksuar edhe njëherë qëndrimin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Basha thotë se do të veprojë në interes të demokratëve dhe në interes të së nesërmes së PD dhe Shqipërisë.

Ai thekson se PD nuk do të bunkerizohet nga interesat personale të askujt.

Luftën, thotë Basha, Berisha nuk e ka me atë por me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo besoj se e shpjegon fare qartë qëndrimin tim, qëndrim që më mirë se kushdo e ka patur të qartë Sali Berisha, qëndrimet e të cilit ndryshojnë si nata me ditën, si e bardha me të zezën.

Deri para 9 shtatorit isha lideri më i mirë i Partisë Demokratike. Ndonjëherë, citoj atë, duke tejkaluar edhe vetën e tij në këtë moment. Isha kandidati më i mirë për kryeministër, isha njeriu që në jetën time kisha realizuar gjëra që Edi Ramës do t’i duheshin 3 jetë për t’i realizuar.

Çfarë ndryshoi pas 9 shtatorit?!

Qëndrimi im si kryetar i Partisë Demokratike në interesin më të mirë të demokratëve dhe në interes të të nesërmes së Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë për të pezulluar Sali Berishën.

Duke respektuar kështu dhe duke konkretizuar angazhimin e tij që nuk do të përfshinte Partinë Demokratike dhe Grupin Parlamentar në betejën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vendim që duhet ta merrte vetë siç kam kërkuar ta merrte vetë.

Në momentin që Sali Berisha nuk i qëndroi premtimit të bërë publik që nuk do ta përfshinte Partinë Demokratike, as Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike në betejën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkundrazi nisi një betejë ku përfshiu tërësisht Partinë Demokratike.

Pa pikë diskutimi që ka qenë minimumi i vendimit që duhet të merrja me përgjegjësitë e mia si kryetar i zgjedhur me një anëtar një votë, me votë plebishitare në respekt të sakrificës së demokratëve”, shprehet Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re