Brazili duket në vështirësi të mëdha në këtë edicion të Kupës së Amerikës dhe kjo u pa qartësisht në ndeshjen e fundit në grup të “seleçaos”, që nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 me Kolumbinë, për më tepër duke vuajtur për një pjesë të madhe të ndeshjes.

Që në fillimin e sfidës, Vinicius bëri një gabim duke u ndëshkuar me karton të verdhë pas një goditje më bërryl ndaj Hames Rodriguez. Kështu, sulmuesi do të mungojë në çerekfinale i pezulluar për kartonë. Por Brazili e mori veten dhe gjeti shpejt avantazhin me Rafinjan. Avantazh i cili nuk mbijetoi deri në pushimin e ndeshjes, pasi Kolumbia mori kontrollin e duelit dhe barazoi në minutat shtesë me anë të Munjoz.

Në pjesën e dytë, dominimi i kolumbianëve ishte i dukshëm, me qarkullimin e gjatë të topit duke vënë në vështirësi disa herë Allison. Por ata shpërdoruan rastet e mira që krijuan, duke bërë që sfida të mbyllej 1-1, aq sa u mjaftonte gjithsesi për të ruajtur kreun e grupit dhe për të shmangur kundërshtarin më të komplikuar në çerekfinale, Uruguain.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Kosta Rika mundi Paraguain me shifrat 2-1, por të dy skuadrat nuk mundën të kalonin në fazën me eliminim direkt të turneut.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re