Po bëhet gjithmonë e më paradoksale situata në Romë, ku përtej problematikave që hasin të gjithë metropolet europiane, në dekadën e fundit i është shtuar edhe një tjetër, pothuajse e pabesueshme.

Bëhet fjalë për derrat e egër, që nga pyjet që rrethojnë kryeqytetin italian, duke përfituar edhe nga ligje që për vite të tëra e kanë kufizuar gjuetinë e tyre, janë shumuar në mënyrë të shpejtë, dhe në kërkim të ushqimit janë afruar drejt qendrave të banuara.

Nga periferitë e skajshme, të një territori bashkiak tejet të shtrirë, kafshët gjithçkangrënëse po i afrohen edhe lagjeve më qendrore, duke sulmuar në disa raste edhe vetë banorët.

Si në rastin e raportuar disa ditë më parë, ku shihet qartësisht një grua e sulmuar nga disa derra, në daljen e një supermarketi. Derrat ndjekin personin e frikësuar deri sa e shtrëngojnë të lej në rrugë qeset që ka blerë dhe të ikë me vrap e frikësuar.

Autoritetet kanë vënë gjoba të kripura, deri në 2mijë euro, për ata që i japin ushqim derrave, por edhe pëllumbave, një tjetër specie që mbizotëron në faunën urbane.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re