Të gjithë mendonin se Shqipëria do të thyente tersin dhe do të kthehej me një fitore nga Letonia, por kuqezinjtë shfaqën një performancë të dobët, duke përfunduar me vetëm një pikë, duke regjistruar kështu barazimin e gjashtë në histori me këtë rival.Ndeshja filloi me drithërima për një penallti të fituar nga vendasit, por për fat Strakosha gjeti krahun e duhur dhe e neutralizoi. Ndërkohë, fati ndihmoi kuqezinjtë pak më vonë të gjenin rrjetën me një autogol të kapitenit të vendasve. Por para fundit të pjesës së parë, ishte përsëri kapiteni ai i cili tundi rrjetën, këtë herë duke mposhtur Strakoshën për të barazuar rezultatin.
Ndërkaq, në pjesën e dytë, Shqipëria mbajti më shumë topin, por nuk e gjeti momentin e duhur për të rrezikuar ashtu siç duhet portën vendase, me sulmin që dukej i izoluar apo larg katërkëndorit vendas. Kështu, sfida u mbyll me shifrat 1-1 që vështirësojnë edhe më shumë rrugëtimin e Shqipërisë në ëndrrën e Botërorit 2026.
Pas përfundimit të sfidës lojtarët e Kombëtares shfaqen tepër të mërzitur për këtë rezultat, por trajneri Silvinjo shkon pranë tifozëve dhe i duartroket për mbështetjen e tyre. (VIDEO)