Nga Dr. Ilir Shyta

 

(Meditim mbi filmin e Vishkës “Doda-The life and adventures of Franz Baron Nopcsa”)

 

Teksa pashë me një frymë filmin dokumentar “Doda-The life and adventures of Franz Baron Nopcsa”, me skenar dhe regji të Visar Vishkës, m’u kujtua menjëherë novela e Ismail Kadaresë “Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna”. Në qendër të dokumentarit dhe veprës letrare qëndron një nyje çelës, dashuria e një shtatshme ose dashuria homoseksuale.

 

Më saktë në qendër të tyre është një xhelozi mashkullore që metamorfozohet në zanafillën e një vrasjeje. Personazhet e novelës kadareane janë: Prenk Curri dhe Gaspër Cara. Prenk Curri është një malësor i ri, i bukur dhe i fortë. Tjetri, Gaspër Cara, gazetar nga kryeqyteti i viteve ‘30. Ai është homoseksual dhe dëshirat e tij preferenciale janë për gjininë mashkullore.

 

Në ato anë, dashuria e njështatshme, siç emërtohej në kanun homoseksualizmi, ende përbën një faj mortor.  Novela ka gjithësej 67 faqe. Në gjatësinë e saj, vetëm njëri nga dy personazhet përfundon në mënyrë tragjike prej plumbit jetëmarrës, kuptohet për shkak të xhelozisë së njështatshme.

 

Dëshira për ta përqafuar a për ta vrarë ishin kaq të shkrira me njëra-tjetrën, saqë kur dallova karafilin e rënë mbu syprinën e lerës, m’u duk se ishte plaga e tij a, më mirë, shestimi i saj, që ende skuqte në trajtë luleje, në mënyrë për t’u kthyer në plagë ose për të mbetur ashtu…   Edhe personazhet e filmit dokumentar janë dy, Nopcsa dhe Doda, të cilët përfundojnë tragjikisht, pasi i pari vret të dytin për xhelozi po të njështatshme.

 

Është kjo drama e një studiuesi vrasës dhe vetëvrasës. Franc Nopcsa, 55-vjeçar, vrau sekretarin e tij, të punës dhe jetës, shqiptarin 45-vjeçar Bajazid Elmas Doda, në banesën e tyre në katin e tretë, të shtëpisë së parë, në rrugën Singer, numër 12, dhe pastaj vrau veten para tavolinës së dhomës së punës me një të shtënë në gojë.

 

Nga hulumtimi mjekësor zyrtar doli që sekretari kishte pësuar dy të shtëna gati në të njëjtin vend në tëmblën e majtë, të cilët shpuan kafkën krejtësisht, thuhet në ekspertizën mjekësore, e cila ishte edhe zanafilla e hetimit të mëpasshëm të krimit. Filmi dokumentar  i Vishkës zgjat plot 107 minuta dhe të gozhdon deri në minutën e fundit të tij.

 

Në qendër të dokumentarit është jeta dhe vepra e shkencëtarit Franz Baron Nopcsa, i cili u afeksionua pas shqiptarëve, veçanërisht trajton gjerësisht edhe njohjen dhe bashkëjetesën me sekretarin dhe të dashurin e tij, Bayazid Elmas Dodën, të cilin e mori edhe në botën tjetër me vete. Pasi mbarova së pari filmin, menjëherë i shkrova z. Vishka, se materialet e hulumtuara për këtë dokumentar janë shteruese dhe me gjithë atë volum të përdorur në mënyrë të detajuar, ai mund të mbronte një teze të mirëfilltë doktorature.

 

Me këtë paragraf dua të dëshmoj edhe njëherë idenë që filmi dokumentar “Doda-The life and adventures of Franz Baron Nopcsa”, mbetet një prodhim origjinal në të vërtetat faktike që përcjell, të vërtetat origjinale, të cilat sigurisht i vlejnë botës akademike… Thënë shkurt, ky është një dokumentar që të mençuron. Theksoj, gjithashtu që ky skenar i ndërtuar me elementë dokumentarë, artistikë dhe mitologjikë, ndërthur edhe elementë fiction, të cilat, të gjitha bashkë, e bëjnë edhe më tërheqës filmin.

 

Ndër referentët kryesorë të filmit, të inetrvistuar branda kohëzgjatjes së tij, personi që më së shumti di për jetën e këtyre dy njerëzve, është saktësisht studiuesi Robert Elsie. Gjeografia dhe gjeologjia e Shqipërisë Veriore është vepra më e madhe e Nopçës, kulmi i jetës së tij shkencore. Në lidhje me Shqipërinë, Nopça ka qenë i njohur kryesisht si etnolog, por ishte edhe një gjeolog, gjeograf dhe paleontolog me famë.

 

Si studiues i pavarur Nopça ishte tepër aktiv gjatë periudhës së largimit nga jeta politike. Qëndrimi i tij në favor të interesave shqiptare ishte ai në Kongresin e Triestës në vitin 1913, për zgjedhjen e një princi evropian për Shqipërinë, ku ai ka qenë kandidat. Franc Nopça duke qenë i informuar mirë për Shqipërinë, ka mundur të mbrojë interesat e saj në Vjenë. Si kandidat për postin e mbretit të Shqipërisë nuk besoj se ai ka qenë i rëndësishëm.

 

Kishte mbështetjen e shqiptarëve të Veriut, por që është më thelbësore, nuk kishte mbështetjen e Austrisë, apo të Fuqive të Mëdha. Botoi më pas 186 punime, 54 të këtyre veprave janë për Shqipërinë dhe për kulturën shqiptare. Fokusi kryesor i veprimtarisë së tij hulumtuese, dekaloguese dhe promovuese ishte kryesisht në fushat e etnologjisë dhe gjeologjisë.

 

Nëse dashuria e tij për sekretarin ka qenë pasoja e dashurisë së tij për Shqipërinë, ose dashuria e tij për Shqipërinë ka qenë pasoja e dashurisë së tij për Bajazidin nuk mund të them, por ka shumë raste të ngjashme të aristokratëve dhe të albanologëve të huaj që kanë patur marrëdhënie intime apo të ngushta me shqiptarë vendas dhe që me siguri u frymëzuan nga këto lidhje.

 

Tjetër risi që përcjell filmi dokumentar, është se zbulon realisht varrezat e harruara të dy protagonistëve, Dodës dhe Nopcsës, dy personave të dashuruar që e përfundojnë jetën përmes plumbave, tragjikisht. Ndërkaq, përfundoj këto radhë, duke specifikuar, se edhe kur e tregon brendinë e filmit me dikë, sërish ai ngjall interes tek tjetri për ta parë, për t’u njohur me këto figura interesante, që të mbajnë të mbërthyer, deri në minutën e 107-të të dokumentarit…!

 

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re