Sot jetojmë në kohën e dukjes së madhe, në kohën kur thënia “më mirë të dish se sa të kesh” është shndërruar në “më mirë të kesh se sa të jesh”. Jemi të ndikuar në çdo moment të ditës nga imazhi që duam të përçojmë e ai që të tjerët na shfaqin në facebook e instagram.

Nuk besoj se ka njeri që nuk ka bërë të paktën një “selfie” në jetën e tij, pa e menduar më thellë faktin se “selfie” nuk është thjesht një imazh i vetes, por një pozë në të cilën, ndryshe nga çdo tjetër, ti e vendos veten ashtu siç dëshiron të tjerët të të shohin, duke krijuar iluzionin se e ke veten nën kontroll, por në fakt është pikërisht “selfie” ajo që të kontrollon ty.

Kështu shkon kjo punë: të krijohet ideja sikur je ti që kontrollon jetën virtuale, por në fakt është ajo që po na drejton e varëson çdo ditë e më shumë. Thuajse e kemi harruar si ka qenë jeta dikur, kur këto platforma nuk ekzistonin, kur telefoni ishte veçse një mjet komunikimi dhe kaq, kur për të bërë foto përdorej aparati dhe duhej të prisje disa ditë për t’i parë ato.

Atëherë kur lexoheshin libra në dorë dhe jo në ekranin e një kindle dhe filmat e rinj apo shfaqjet e reja nuk kalonin pa u vënë re e diskutuar. Duket sikur ka kaluar një shekull nga kjo periudhë, por në fakt po mbushen vetëm dy dekada. Debord, një filozof francez i viteve gjashtëdhjetë, në librin e tij “Shoqëria e spektaklit”, shkruante se njeriu është bërë “gjithçka tjetër përveçse asaj që është”.

Duke qenë se vitet 2000 ngjasojnë me një periudhë të dytë të viteve gjashtëdhjetë përsa i përket revulocionarizimit të disa aspekteve të shoqërisë shqiptare, le të kthehemi pak në kohë e t’i analizojmë ato. Asokohe problemet ekzistonin, jeta nuk ishte një fushë me lule, por ama, disa gjëra ishin pak dhe të sigurta:

 

“Look”-u ynë

Na pëlqente të visheshim “sipas modës” por moda e atëhershme mes të rinjve rreth të njëzetave kishte në thelb rehatinë. Paraditeve vishnim rroba të gjera, mund të ishin edhe të grisura apo me thekë, por kryesisht qenë të rehatshme. Vishnim të sheshta, kambale dhe atlete, jo taka marramendëse ditën për diell. Na pëlqente pa masë e zeza.

Nuk kishim shumë tatuazhe, por ajo kohë mund të cilësohej pa frikë si një lloj Lëvizje Punk prej vathëve, piercing-ëve, unazave të shumta e byzylykëve pa fund të mbivendosur nëpër duar e djemve me flokë të gjatë. Vishnim edhe gjëra transparente, vërtet, por deri aty sa t’i linim pakëz vend fantazisë e të mos dukej gjithçka me sy të lirë.

Po minifunde, short-sa apo dekoltera? Patjetër që i vishnim, por nëpër festa a diskoteka. Duke qenë se diskot atëherë qenë të hapura në drekë (kjo për arsye sigurie e jo prapambetjeje apo fanatizmi) ne party-t i bënim kryesisht pas mësimit. Të rinjtë e sotëm duhet ta dijnë se ne adoleshentet e 90-ës minifundet i merrnim me vete në çantë e i vishnim atje.

Pas mësimit, uleshim nëpër banka, hapnim kutitë e make-up-it dhe fillonim e përgatiteshim “për të dalë”. Nuk kishte moment më të bukur mes shoqesh se sa ky: qyfyre, komente e këngë pafund, derisa mbaronte ky proces i “të bërit e bukur”. Vërtet disa prej nesh mund të mos i linin prindërit të pispilloseshin ndaj e bënin këtë pas mësimit dhe kjo për faktin se shkolla konsiderohej një vend i shenjtë.

Kishte edhe nga ata prindër që nuk e kishin fare problem këtë gjë, por në gjimnazin tonë “Sami Frashëri” fjala vjen (disa e mbajnë mend mirë besoj) edhe nëse i shpëtoje kontrollit prindëror, çdo mëngjes kaloje nëpër një filtër të dytë: atë të drejtoreshës së shkollës. Ajo të zinte pritë në derën kryesore dhe, pa asnjë teklif, mund të të linte jashtë atë ditë, nëse nuk kishe ardhur i përshtatshëm për të bërë mësim.

 

“In a relatshionship” në dritën e diellit

Edhe ne kishim lidhjet tona të dashuriçkave asokohe, por ndryshe nga tani, nuk i fshihnim ato. Ne kishim të dashur në dritën e diellit. Mund të ndaheshim e të lidheshim me dikë tjetër po në dritën e diellit. Nuk e konsideronim “të lëvizshëm” apo “të lëvizshme” dikë që ndërronte të dashurit/të dashurat, por atë që i fshihte ato, që i mbivendoste apo fliste prapa shpine.

Po po, ne kishim disa rregulla të pashkruara si për shembull: nuk mund të flisje keq për dikë pasi ishe ndarë pasi konsiderohej sikur të flisje keq për veten, një vajzë mund të hidhte vetë hapin e para nëse i pëlqente një djalë, me ish të dashurin/të dashurën mund të mbeteshe dhe shokë nëse nuk të pëlqente më, ishte më e udhës t’ia thoje hapur dhe, rregulli kryesor: ne nuk pëlqenim pasanikun/pasaniken e shkollës, atë me makinën më të bukur apo veshjen më të shtrenjtë.

Pëlqehej ai ose ajo që ishte më “tip”, po po, kështu e quanim atë që kishte aftësi të veçanta për kohën: që ishte hokatar, i mirëinformuar apo i guximshëm. Jo se pasanikët nuk ekzistonin, por ishim të gjithë të barabartë. Ai që konsiderohej “tip” mund të kishte edhe vetëm një biçikletë apo ajo të ishte e zgjuar vetëm ujë e sapun.

 

“Cool”-erët e shoqërisë

Kriteret për t’u pëlqyer në shkollën apo në grupin shoqëror ku bëje pjesë, qenë të ndryshme. Nuk ishin si sot, kur për të krijuar një ide mbi dikë, i hedh një sy profilit nëpër rrjete sociale dhe e vlerëson nga fotot që ka dashur t’i tregojë botës. Asokohe, njeriu më “cool” i shkollës, përgjithësisht zotëronte ndonjë aftësi apo talent të veçantë që e dallonte prej të tjerëve.

Për t’a konkretizuar, po përmend disa emra: Një nga vajzat më “tip” të shkollës time, për shembull, ishte Julka Gramo. Jo vetëm vishej me shije, por kishte një zë që, sa herë këndonte nëpër evenimentet e kohës, na bënte të ndiheshim krenarë. Edhe sot ajo është një artiste e cila nuk është komercializuar.

Një vajzë tjetër e njohur ishte Jonida Beqo. Ku kishte poezi, krijime letrare, konkurse të fjalës artistike, ajo ishte aty. Sot ajo drejton me sukses një institucion. Për Erion Veliajn mund të vihej bast që atëherë se do të merrej me politikë ose do të drejtonte. Nuk kishte debat apo argument që të mos e fitonte apo qëllim të cilin të mos e realizonte. Këta janë vetëm disa prej “të famshëve” të kohës sonë të cilët sot janë përsona publikë.

Lista mund të vazhdojë pa fund, pasi ata janë profesionistë të shumtë pas kuintave që kryejnë më përkushtim punën e tyre. Ata që nuk ishin doemos të pasur por ishin plot vullnet, ëndrra e pasione. Ata që organizonin koncerte të vërteta rock-u, bënin prova nëpër shtëpira, ndërtonin foninë e shkollës nga ku transmetohej muzikë live, organizonin ekskursione, evente, prezantonin spektakle, merrnin pjesë nëpër konkurse, debate apo koncerte, që punonin jo se kishin nevojë por për të fituar eksperiencë.

Në këtë kuptim nuk di vërtet se kur mund të quhej më i lirë apo më i emancipuar njeriu, asokohe apo sot? Vërtet atëherë nuk kishte facebook ose instagram, por jam e sigurt se nëse do të kishte, vitrina do të ishte tejet më e larmishme, me më shumë përmbajtje se sa dukje.

 

Nga Klodiana Beshku

Burimi: Konica.al

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re