Nga: Alban Gorishti

Në himnin Amerikan ekziston edhe kjo frazë “dhe pema e lirisë ujitet me gjak dëshmorësh”, po ashtu efektet shtetformuese që solli revolucioni Francez ishin një shndërrim i tërësishëm i mendësisë dhe filozofisë botërore, e kështu lindi iluminizmi i cili garantoi shumë të drejta, përfshi edhe atë për bashkëqeverisje, apo përfaqësim mbarëshoqëror duke i këputur dhunshëm lidhjet me të kaluarën.

Shpesh kemi parë në qytete Evropiane sesi pas ndonjë “vrasje” qeveritare (i çfarëdo lloji apo arsyeje qoftë) është nxitur një reagim zinxhir i cili ka shpënë në përmbysje regjimesh të kalbura dhe në fund arritje synimesh nga ana e protestuesve. Po ashtu këtu tek ne shpresa e pas viteve 90 ishte aq e madhe saqë njerëzit ishin të disponueshëm të ngriheshin dhe të sakrifikonin shumëçka duke dhënë edhe jetën nëse nevojitej, nëse bëhej fjalë për kauza që vlejnë, pra një kuptim dhe domethënie sublime në mënyrë që vdekja totale e iniciativës së reagimit të natyrshëm të një shoqërie mos të mbërrijë nivelin e “mumifikimit”. Ndaj dikur verbalizohej shprehja ‘se po u ngrit populli…. ” do të thoshte mbërritje synimesh si cak dhe rregullator i abuzimeve të mëdha me pushtetin. Për këtë në kryengritjen e 90-ës si përpjekje për të përmbysur sistemin komunist u vranë edhe disa qytetar të ketij vendi në lokacione të ndryshme përgjatë kryengritjes dhe kjo e nxiti atë duke e shtuar indinjatën dhe zemërimin mbarëkombëtar.

Po sot ku jemi? A ndikon më “gjaku” i derdhur padrejtësisht tek ne? A jemi popull që tashmë vdekjet nuk na bëjnë përshtypje?

Vrasja” aksidentale”e Klodian Rashës ishte një kthesë në këtë mendësi që tashmë besoj kishte filluar të ziente që me kryengritjen e kuqe të 97-ës. Kjo e fundit ia hoqi çdo dëshirë këtij populli për të pasur vullnetin e duhur në luftën kundër padrejtësive, aq shume saqë me ç’duket tashmë as vrasjet “qeveritare” nuk na krijojnë ndonjë farë përfytyrimi nxitës për të kerkuar minimumin e minimumit të të drejtave tona. Vrasja e tij ishte një moment qe edhe pse pati reagime duhet të ishte vazhduar më tej si kundër reagim ndaj lirive tashmë prej kohësh të humbura pasi vrasja e tij në vetvete (si edhe ajo e katër personave të 21 janarit) ishte derdhja e kupës së mbushur plot e përplot me padrejtësi dhe keqeverisje.

Në 21 janar gjatë një kryengritje politike u derdh gjak por reagimi nuk ishte popullor por partiak, misioni nuk ishte human por militantesk i dirigjuar. Në rastin e atyre që u vranë pasi cënuan simbolet shtetërore u derdhen madje edhe lot fallse, po në rastin e Klodianit i cili ishte një qytetar i thjeshte apolitik shqiptar përse nuk u bënë marshime përkujtuese nga klasa politike? A nuk duhet të jetë vrasja kulmi i zullumit të një pushteti, pas të cilës ai pushtet duhet të rrëzohet (siç ra pas 21 janarit)? Dhe e gjithë kjo jo për shkaqe thelbësisht politike por reagime mbarëpopullore për të mbrojtur shenjtërinë e gjakut dhe vlerën e jetës. Kjo mendoj se është e keqja me e madhe qe na ka ardhur nga “revolucioni” i kuq i 97-ës, ka vrarë fuqinë popullore e cila manifestohet në reagimet për të kërkuar më të mirën. Po ashtu sot rritja e çmimeve, mungesa e shërbimeve themelore apo bërja e tyre me pagesë janë pasojë e mos reagimit tonë në kohë për të mbrojtur të drejtën e përbashkët. Kjo ka edhe një të keqe pasi duke e ditur këtë “pikë të dobët” pushtetet autokratike e kanë me të lehtë të luajnë me popullin jo sipas interesave te tyre.

Halli ynë më i madh i këtyre viteve ka qenë vazhdimisht se për kë ngjyrë dhe njeri jemi të disponueshëm të ngrihemi, ashtu sikurse 97-ta edhe 21 janari treguan se ne ngrihemi nën ngjyra të caktuara politike dhe jo nën flamurin e interesit tonë te përbashkët. Sot duke parë sesi mekanizmat partiak dhe qeverisës i kanë zhbërë qoftë ligjërisht por edhe ekonomikisht çdo formë të protestës reagimi për cënimin që i bëhet të drejtave apo lirive themelore të pas Revolucionit Francez bëhet gjithmonë e më tepër mision i pamundur. Këtu kurrsesi unë nuk dua të nxis në revolucione apo kryengritje të përgjakshme por të nxis një reagim “te përgjakshëm” intelektual, social, etik dhe ligjor në zhbërjen e miteve që prodhoi 97-ta, dhe mbi të gjitha të mitit se shqiptarët ngrihen vetem nën simbole majtiste!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re