Presidenti serb Aleksandar Vuçicc ka mbajtur një fjalim dramatik para opinionit publik në të cilin ka paraqitur informacione se vendimet e autoriteteve të Kosovës për targa janë marrë me qëllim të dëbimit të serbëve nga veriu i Kosovës, ndërsa vendimi për letërnjoftimet po shkurtonte të drejtën për të hyrë në Kosovë.

Pas takimit me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, Aleksandar Vuçicc iu drejtua publikut për të “thënë të vërtetën dhe për të mos e vënë Lajçak në një situatë të vështirë”.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm për dialog, ndërsa disa të tjerë nuk janë kurrë të gatshëm për një dialog thelbësor, por kanë mbështetjen e fuqive perëndimore. Bëhet fjalë për faktin se kanë marrë dy vendime në institucionet e tyre dhe njëri është shkurtimi i të drejtës për të hyrë në Kosovë me letërnjoftime”, tha Vuçicc.

Vuçiç tha se Prishtina po planifikon një “sulm të përgjithshëm në veri të Kosovës deri më 1 tetor”.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për hyrjen e qytetarëve serbë në Kosovë. Në një takim të mërkurën, qeveria e Kurtit vendosi të zbatojë të njëjtën masë si Beogradi zyrtar, i cili nuk pranon kartat e identitetit, por u jep qytetarëve të Kosovës një letër në hyrje që zëvendëson dokumentet e identifikimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re