Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Komuniteteve organizoi në Shkup konferencën “Përtej Ohrit”, ndërsa moderator i kësaj konference kushtuar 20-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit ishte ministri i kësaj ministrie, Artan Grubi.

Përveç presidentit Pendarovski, në konferencë morën pjesë kryeparlamentari Talat Xhaferi, kryeministri Zoran Zaev, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s George Robertson si dhe një numër i madh ministrash të qeverisë, zyrtarë të qeverisë, ish-politikanë të përfshirë në procesin e negociatave për përfundimin e Marrëveshjes Kornizë, përfaqësues diplomatik në vend dhe mysafirë të shumtë të ftuar.

Zv/kryeministri i parë dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Komuniteteve, Artan Grubi kishte rolin e moderatorit të konferencës “Përtej Ohrit”.

Presidenti Pendarovski beson se vetëm zgjidhjet politike mund të garantojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe demokratike. Sipas tij, çdo krizë duhet të sillet brenda institucioneve dhe të menaxhohet përmes strukturave demokratike.

“Ne morëm statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian (BE), kryesisht për shkak të zbatimit të Marrëveshjes Kornizë. Asnjë organizatë nga Aleanca Perëndimore nuk dëshiron të përfshijë në radhët e saj mosmarrëveshje dypalëshe midis fqinjëve, aq më pak mosmarrëveshjet që ekzistojnë midis kanaleve të të njëjtit komunitet politik të përçarë brenda në linja etnike”, tha presidenti Pendarovski.

Pendarovski beson se vendi nuk ka nevojë për një koncept të ri të politikës së brendshme dhe të jashtme, sepse Marrëveshja e vjetër e vitit 1991 dhe ajo pas vitit 2001 ofrojnë potencial për zhvillim. Ai shtoi se stabiliteti dhe prosperiteti i Maqedonisë së Veriut varet nga kapaciteti i vendit për t’u pozicionuar në Grupin e Kombeve Euro-Atlantike.

“Unë jam i bindur se një vizion i tillë për të ardhmen, arsyeja për të cilën u arrit Marrëveshja Kornizë e Ohrit, është një avantazh dhe jo një pengesë për zhvillimin dhe prosperitetin tonë. Në këtë është sfida kryesore për ne, për brezin aktual të politikanëve, për të shpjeguar se shteti nuk mund të humbasë nëse ndonjë nga bashkëqytetarët tanë fitojnë të drejta, kur këto të drejta nuk merren në kurriz të humbjes së të drejtave të bashkëqytetarëve tanë dhe komuniteteve të tjera etnike”, tha Pendarovski.

Zaev: Marrëveshja e Ohrit solli një frymë të re të politikbërjes

Ndërkaq, kryeministri Zaev tha se në vitin 2017 përparësia e tij ishte t’i japë jetë kësaj marrëveshjeje, ndërsa ajo është miratimi i Ligjit për gjuhët që sipas tij plotëson dispozitat e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, detyrim i cili, siç tha ai, u shty pa nevojë për më shumë se një dekadë.

“Maqedonia e Veriut është një mozaik i bukur i komuniteteve etnike dhe shumëllojshmërive të tjera. Duke respektuar këto veçanti dhe në të njëjtën kohë duke e forcuar në mënyrë institucionale vendin tonë duke ndërmarrë politika gjithëpërfshirëse dhe masa pozitive, ne kemi hedhur themelet e Maqedonisë së Veriut, si një shoqëri e barabartë”, tha Zaev.

Ai beson se Marrëveshja Kornizë e Ohrit dërgoi mesazhin e mirëkuptimit dhe faljes së ndërsjellë midis maqedonasve dhe shqiptarëve dhe mes qytetarëve të tjerë.

“Marrëveshja solli një frymë të re të politikbërjes, politikë që ndërton ura dhe nuk i shkatërron ato, politikë që bashkon qytetarët dhe nuk i ndan ata në rrugën drejt një të ardhme të sigurt në shtëpinë tonë të përbashkët euro-atlantike, së bashku me kombet e tjera”, tha kryeministri Zaev.

Kryeparlamentari Xhaferi, nga ana e tij, beson se Marrëveshja e Ohrit përcaktoi rregullat e reja të kohezionit shoqëror dhe funksionimit më të mirë ndëretnik, që sipas tij është themeli më i fortë dhe më solid mbi të cilin dukshëm është transformuar një shoqëri multi-etnike, multi-funksionale dhe multi-kulturore.

“Themelimi i Komunitetit për Marrëdhëniet midis Komuniteteve, zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës, themelimi i Universitetit “Nënë Tereza”, Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Agjencia për Aplikimin e Gjuhës, Inspektorati, emërtimi i rrugëve tona me përfaqësues të denjë të të gjithë komuniteteve në vend, këto janë një realitet që rezultoi nga pajtimi, respektimi dhe bashkëpunimi etnik. Unë, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Artani (Grubi), Bujari (Osmani) dhe një sërë përfaqësuesish të tjerë në krye të institucioneve vendore jemi realiteti”, deklaroi Xhaferi.

Po ashtu edhe ish-sekretari i NATO-s, George Robertson u adresua para të pranishmëve, i cili shprehu bindje se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit u bë gjëja e duhur në kohën e duhur.

“Një ditë fëmijët do të rriten në një vend evropian paqësor, ata do ta dinë se çfarë është bërë, nga kush është bërë dhe do të jenë mirënjohës. Sot këtu në Shkup, kur shohim prapa më 13 gusht të vitit 2001, të gjithë duhet të jemi mirënjohës. Shumë punë duhej bërë për këtë marrëveshje dhe ende shumë punë duhet të bëhet mbi të. Marrëveshja nuk ishte fundi, por fillimi”, tha Robertson.

Maqedonia e Veriut shënon 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend, shqiptar dhe maqedonas.

Gjatë konfliktit, që zgjati disa muaj, në kryeqytetin Shkup filluan negociatat mes palëve, për të vazhduar më tej në Ohër ku u bë përafrimi i dokumentit. Këto negociata zgjatën dy muaj dhe u mbyllën me sukses më 13 gusht të atij viti me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë në rezidencën presidenciale në Shkup. (Anadolu Agency – AA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re