E ftuar në studion e ‘Fax News’, Ina Zhupa ka komentuar aktualitetin politik në vendin tonë, e veçanërisht atë se çfarë po ndodh në Partinë Demokratike, vetëm pak ditë pas Kuvendit Kombëtar të kësaj force politike, që duhet thënë se është shoqëruar edhe me një sërë zërash kundër dhe kritikash në drejtim të drejtuesve të lartë të saj.

Sipas Zhupës, ky Kuvend tregoi edhe njëherë se ku ndryshon Partia Demokratike nga cdo forcë tjetër politike në vend, pasi sipas saj, ky kongres tregoi forcën, bashkëpunimin e brendshëm, duke i shtrirë dorën të gjithë asaj pjese të shoqërisë, që kërkon medoemos ndryshimin e madh.

Duke komentuar zërat kundër, Zhupa u shpreh se, çdo anëtar i PD meriton të promovohet dhe se kudo ku ka një garë të brendshme, ka gjithmonë disa emra që fitojnë dhe disa të tjerë që humbin, por kjo nuk do të thotë që për humbësit kjo do të jetë fundi i marrëdhënies së tyre me PD.

“Kuvendi Kombëtar i PD tregoi se sa shumë ndryshon PD nga PS apo edhe nga gjithë spektri politik shqiptar. Me këtë kongres ne treguam forcën tonë, bashkëpunimin, i shtrimë dorën shoqërisë për tu bashkuar të gjithë kundër regjimit dhe për të arritur ato rezultate, të cilat shqiptarët i kërkuan dhe për të cilat ata kanë nevojë. Për mua çdo anëtar i PD meriton të promovohet. Megjithatë kur ka një garë të brendshme ka gjithmonë disa emra që fitojnë dhe disa të tjerë që nuk e arrijnë dot këtë, por megjithatë kjo nuk mund të konsiderohet si fundi i marrëdhënies me Partinë Demokratike, përkundrazi të gjithë duhet të vijojnë të jenë kontribuues të kësaj force politike, sepse kjo ndryshon vetëm një pozicion në strukturat vendimmarrëse të PD.”, u shpreh Ina Zhupa.

Ndërkohë, duke folur për legjislaturën e re, Zhupa u shpreh se Partia Demokratike do të jetë në Kuvendin e ri, pasi sipas saj beteja e tyre do të vazhdojë nga aty, për tu përpjekur për të minimizuar maksimalisht masakrën që PS po bën në këtë vend, duke qenë zëri dhe mbrojtësi i interesave të qytetarëve shqiptarë në atë sallë.

“Ne jemi në çdo skaj të vendit. Beteja jonë do të vazhdojë edhe në Parlament. Ne do të mundohemi të minimizojmë masakrën që po bën Partia Socialiste me vendimet e saj në dëm të vendit dhe do të jemi zëri i qytetarëve dhe do të mbrojmë interesat e tyre. Ne do të jemi në Parlament, sepse Parlamenti është një fushë-betejë e rëndësishme, të cilën ne kemi rastin tashmë që të bëjmë të gjitha propozimet, betejën tonë edhe për ndryshime të rëndësishme që prekin qytetarët shqiptarë.”, tha në lidhje me këtë çështje Ina Zhupa.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re