Merkatoja e verës te Milani nuk po zhvillohet vetëm në drejtim të largimeve, por edhe në ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Pas largimit të afërt të Teo Hernandezit, i cili tashmë ka arritur marrëveshjen personale me Atletiko Madridin, edhe pse ende mungon ajo mes klubeve, drejtuesit kuqezinj kanë nisur kërkimin për një zëvendësues të denjë në krahun e majtë të mbrojtjes.
Sipas raportimeve nga Italia, një përfaqësues i Milanit ka udhëtuar drejt Londrës për t’u takuar me drejtuesit e Arsenalit, me qëllim nisjen e bisedimeve për transferimin e Oleksandër Zinçenko. Mbrojtësi i kombëtares ukrainase, i lindur në vitin 1996, ka kontratë me “Topçinjtë” deri në vitin 2026 dhe vlerësohet të kushtojë midis 15 dhe 18 milionë euro. Ai përfiton një pagë prej 5 milionë eurosh neto në vit, një shifër që Milani është i gatshëm të shqyrtojë.
Pista është e hapur, sidomos duke marrë parasysh faktin se Arsenali është në negociata për transferimin e mbrojtësit të ri Hato nga Ajaksi, gjë që do ta ulte hapësirën për Zinçenkon në “Emirates Stadium”. Si alternativa për krahun e majtë, Milani po vëzhgon gjithashtu emra si Destini Udogi, Andrea Kambiazo dhe Maksim de Kajper.