Pas gati tre javësh në koma, avokat Sokol Mëngjesi ka dalë prej saj, në një spital në Athinë, aty ku u dërgua për trajtim të specializuar. Është e motra e tij që në Facebook shkruan për këtë çast fatlum nën dhimbjen e asaj se çfarë ka pasuar i vëllai nga goditjet brutale të katër  personave, ndodhur në zemër të kryeqytetit, ditën për diell, teksa la fëmijën në kopësht.

“Në emrin e vëllait tim të shtrenjtë. Në emër të prindërve të mi heronj. Në emër të Anxhelës së dashur dhe engjëjve tanë të bekuar, dhe me gjithë qenien time do doja t’ju falënderoja nga zemra çdo njërin prej jush, të njohur e të panjohur që e mbuluat Sokolin me një mburojë të papërshkruar dashurie njerëzore, derisa sytë e tij të zgjuar u zgjuan nga kjo ëndërr e keqe.

Zoti ka mënyrat e tij për të na provuar ekzistencën e gjithëfuqishme, nëpërmjet mrekullive që bën herë pas here me njerëzit dhe ai do e ngrejë Sokolin në këmbë!

Në këto ditë të kobshme që kanë zgjatur si muaj kemi mësuar se asgjë nuk vlen sa fuqia e mbinatyrshme e dashurisë njerëzore që u derdh mbi të dhe mbi ne në një mënyrë të papërshkruar me fjalë!

Drita e qirinjve të ndezur në të katër anët e botës, drita e çdo lutjeje të pëshpëritur nga buzët e dridhura dhe drita e mirësisë qoftë me ju çdo çast dhe mbretëroftë e mira në jetën dhe në shpirtin tuaj! E mira nuk humbet!”, shkruan motra e avokatit Mëngjesi.

Avokat Sokol Mëngjesi u godit mëngjesin e 29 majit në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Për këtë akt, deri tani është vënë në pranga Dritan Nano, si organizator i sulmit, dhe dhëndri i tij Dorian Alia, një nga agresorët ndaj avokatit.

Gjykata e Tiranës më 1 qershor caktoi masën “arrest me burg” ndaj tyre, për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim dhe kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim.” Edhe për tre agresorët e tjerët që janë në kërkim nga policia, Drivaldo Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, gjykata caktoi masa “arrest me burg” në mungesë.

E gjitha kjo, pasi avokat Mëngjesi po hapte një proces për të marrë pjesën që i takonte sipas një kontrate me shtetasin Dritan Nano, nga mbrojtja e një çështjeje prone të këtij të fundit. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re