Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka publikuar buletinin ditor të datës 30 prill, në lidhje me përhapjen e pandemisë në kontinentin evropian dhe në botë.

Në buletin thuhet se në të gjitha vendet evropiane janë regjistruar tregues të ulët të rritjes ditore të sëmundshmërisë për shkak të Corona-virus-it

Gjithashtu në mbi 22 shtete të kontinentit tonë vazhdoi ulja e numrit të të sëmurëve faktikë krahasuar me ditët e mëparshme.

Akademia e Shkencave vë në dukej faktin se numri i të shëruarve gjithsej ndaj numrit tërësor të të sëmurëve në vendin tonë u dëshmua me ngjitje, deri në 61 për qind

Buletini

Me gjithë një rritje ndaj një dite më parë, në shkallë botërore dhe në SHBA treguesi i shtimit ditor të të sëmurëve ishte në nivel të pranueshëm

Humbjet në jetë njerëzore, me rreth 6500 vetë – tregues i rëndësishëm i përkeqësuar për të dytën ditë radhazi në shkallë globale

(Nga relacioni ditor i E-group-it ndërdisiplinar “Në ndjekje të pandemisë”, themeluar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, për gjendjen, prirjet dhe parashikimet për sëmundshmërinë e shkaktuar prej saj në shkallë botërore, në Europë dhe në vend)

Gjatë ditës së djeshme në Europë vazhdoi trendi pozitiv i shtimit të të infektuarve të rinj në nivelin nën 2 për qind në ditë. Në vendet e mëdha të kontinentit (Francë, Itali, Gjermani e Spanjë) shtimi dior i të sëmurëve dje ishte gjegjësisht 0.3 për qind, 1 për qind, 1.1 për qind dhe 2 për qind.
Në tërësi të gjitha vendet europiane kanë regjistruar tregues të ulët të rritjes së sëmundshmërisë, veçanërisht vendet e rajonit tonë, në të cilat ky tregues dje ishte nga 0.4 për qind deri në 3.4 për qind. Përjashtim bëjnë Ukraina, Bosnja e Hercegovina, Rusia dhe Bjellorusia, me përqindjet respektive të shtimit të të sëmurëve ditorë me 4.8 për qind, 5.8 për qind, 6 për qind dhe 7.9 për qind. Vlen të theksohet se Rusia shenjoi ditën e djeshme nivelin më të ulët të rritjes ditore të të sëmurëve deri më tani.
Shkalla e ulët e rritjes së të sëmurëve të rinj në Europë, e shoqëruar me një ritëm pozitiv të shtimit të të shëruarve, ka bërë që në 22 shtete europiane të vazhdojë ulja e numrit të të sëmurëve faktikë. Shumica e vendeve europiane vërtetuan rritje të numrit të të shëruarve në raport me numrin e të prekurve gjithsej. Kështu, në Spanjë ky raport u ngjit në 57.57 për qind, ndërsa në Gjermani në 76 për qind. Përmirësim të këtij treguesi kanë shenjuar dhe vendet e rajonit. Në Shqipëri të shëruarit gjithsej ndaj numrit tërësor të të sëmurëve arrijnë në 61 për qind, ndërsa në Kroaci – 65 për qind dhe në Mal të Zi – 64 për qind.
Rritja e shenjuar dje në vendin tonë për të prekurit e rinj, një rritje me 0.9 për qind, e shoqëruar me një shtim nën 3 për qind në vatrën e Krujës – dëshmi e frenimit të vatrës së re dhe e rikthimit tek ecuria e dëshiruar.
Në shkallë botërore dhe në SHBA numri i të sëmurëve ditorë është rritur me një përqindje pak më të lartë se një ditë më parë. Ky tregues gjatë dy ditëve të fundme ishte gjegjësisht 2.6 për qind (nga 2.5 për qind pardje) dhe 2.7 për qind (nga 2.5 për qind pardje), duke rezultuar përsëri në nivel të pranueshëm (nën 3 për qind). Përkeqësim për të dytën ditë radhazi ka pasur numri i humbjeve në jetë njerëzore, i cili është ngritur deri rreth 6.500 në shkallë globale, si rezultat i përkeqësimit të të njëjtit tregues kryesisht në SHBA.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re