Protesta me flamuj amerikane nga ana e banorëve të zonës së “Astirit”, rast i ndodhur ditë më parë në valën e protestave kundër prishjes së banesave e ndërtimeve të tjera për t’i hapur rrugë projektit të zgjerimit të Unazës, nuk kanë qenë asgjë përballë faktit se mbrëmjen e së shtunës u zgjodh të mbahej një minutë heshtjeje në nderim të ish-presidentit amerikan Geogre H.W. Bush, i cili ndëroi jetë të premten në moshën 74-vjeçare.

Ky ka qenë dhe akti i parë i protestës së radhës, zhvilluar dhe me praninë e një pjese të deputetëve të PD-LSI. Më pas ka nisur riti i bllokimit të rrugës, ku ka patur dhe tension për shkak të reagimit të drejtuesve të automjteve, “viktima” të pafajshme të kësaj rrethane.

Gjithashtu, protestuesit kanë prodhuar dhe një thirrje të rimuar, atë të tipit “O Edvin o diarre këtu i thonë Unaze e Re”.

Nga ana tjetër ka reaguar kryebashkiaku Veliaj, sipas të cilit, ata që sot bllokojnë rrugën dhe janë rebeluar ndaj shtetit, por më shumë ndaj zhvillimit, nesër nuk do kujtohen nga askush.

“Kur të shkruhet historia e Tiranës, askush nuk do kujtojë penguesit e vandalët, historia s’ka 1 rresht për këta tipa! Ama do kujtojë ata njerëz të mirë që çuan qytetin përpara e i hapën rrugë zhvillimit. Mirënjohje gjithë familjeve që çdo ditë e më shumë po lejojnë Unazën e Re”, shprehet Veliaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re