COVID-19 ka shkaktuar pasoja në ekonominë shqiptare. Në një intervistë për “ABC New” zv. ministrja e financave, Irena Beqiraj ka folur për pasojat financiare të pandemisë dhe paketat e ndihmës të ofruara nga qeveria për menaxhimin e koronavirusit.
Gjatë intervistës me Mirela Milorin, zv. ministrja tha se sa më i fortë karantinimi aq më i fortë do të jetë recesioni ekonomik dhe aq më shumë do të ketë nevojë për stimuj nga qeveria për të zbutur këtë recesion.
Beqiraj gjithashtu u shpreh se vendet më të suksesshme të cilët kanë luftuar më mirë pandeminë, kanë qenë ato vende që kanë pasur një rrjedhje informacioni të qartë dhe transparent për publikun , ndërsa theksoi se në vendin tonë kjo ka munguar.
“Nëse kushtet e karantinës do të lehtësohen disi nga maji për kompanitë prodhuese mund të ketë një përmirësim, por situata do të varet edhe nga niveli i kontratave që mund të kenë kompanitë prodhuese.
Paketa e dytë e qeverisë ofroi një ndihmë sociale me bazë më të gjerë se në paketën ku u përfshinë 176 mijë individë punonjës të sektorit privat, me një pagesë fikse 400 mijë lekë të vjetra. Kjo nuk është gjë tjetër veçse pagesa e papunësisë për muajin mars, prill dhe maj.
Këtë gjë duhet ta kishte bërë që në paketën e parë. Lajmi i keq është se bashkë me ata që janë trajtuar me paketën e parë dhe këta që do trajtohen në paketën e dytë, numri i të trajtuar në pagesë për papunësinë do të jetë 236 mijë persona që janë gati sa 46% e punësimit në sektorin privat dhe kjo është një goditje e madhe për ekonominë e shqiptare.
Shtyrja e tatim fitimit dhe pagesa e interesave ka sjellë atë që kishte nevojë biznesi”, theksoi Beqiraj.
Nga pikëpamja ekonomike, masat duhen rihapur apo duhet vazhduar me masa shtrënguese për bizneset?
Beqiraj: Për restorante dhe kafeteneritë duhet të tregohet kujdes shumë i madh. Por edhe sikur Shqipëria të hapet dhe të jetë e gatshme të punojë do të varemi shumë nga hapja e partnerëve tregtarë.
Ecuria e ekonomisë tonë varet edhe nga hapja e partnerëve tanë tregtarë. Shikoj si të domosdoshme lehtësimin e lëvizjes së individëve pasi është e rëndësishme të kujdesemi për shëndetin mendor.
Si e shihni perspektivën e turizmit në këto rrethana që jemi?
Beqiraj: Kemi arritur të shmangim kontaminimin nëpërmjet karantinimit. Sot thonë që turizmi mund ta marrë veten vetëm në tremujorin e katërt të vitit 2020.
Mendoni që ka shërbime të vogla që duhet të ishin hapur ?
Beqiraj: Mendoj që ka shërbime që ka ardhur koha të hapen. Besoj që për parukieritë është koha që të hapen, por besoj që në nivelin makro, ndërhyrjet e qeverisë duhet të ishin në ndërhyrje afatshkurtra dhe ndihma për të krijuar një rimëkëmbje.
A ishte paketë ekonomike apo jo ?
Beqiraj: Qeveria ka bërë atë që duhet të bënte. Te biznesi qeveria është treguar shumë më e kursyer. Nuk shikoj ndihmë të detajuar sa i përket turizmit, por duhet të shohim edhe një politikë të detajuar për rimëkëmbjen. Ky do të jetë një recesion më i thellë.
Gjithashtu ajo theksoi se qeveria nuk ka dhënë mesazhe të qarta.
“Shpeshherë është dhënë ideja që biznesmenët duhet të shesin pronat e tyre, por sot është e rëndësishme që solidarizimi të mos bëhet më forcë. Qeveria duhet të ketë komunikim më të drejtpërdrejtë”, u shpreh Beqiraj.