Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij gjatë inagurimit të projektit të ri të rikonstruksionit të godinës së Piramidës, që do të transferohet në një qendër Dixhitale, që sipas socialistëve do të kthehet në më të madhen e kësaj lloji në rajon.
Rama tha se tranformimi i Piramidës ka qenë një nga më të vështirët, duke marrë parasysh faktin që duhej bërë një përshtatje mes të shkuarës dhe të ardhmes. Edhe pse e pranishme ishte ambasadorja Yuri Kim, Rama nuk kurseu as deklaratat politike, kur tha se qeveria e kaluar ka shpenzuar miliona lekë për këtë godinë, e në falt materialet u vodhën.
“Më vjen shumë mirë që ne sot këtu po inagurojmë nisjen e një projekti, që na ka marrë më shumë kohë për të marrë formën e tij, në tërësinë e projekteve që unë mbaj mend. Ka marrë më shumë kohë, pasi është projekti për të harmonizuar jetësimin e të shkuarës me të ardhmen, që lidhet me të tashmen.
Kjo është një ndërtesë që nga pikëpamja arkitektonike ishte ndryshe nga të tjerët. Kjo ndërtesë u la në një proces degradimi, ku asnjëherë nuk u gjet mënyra se për çfarë kjo godinë mund të shërbente, për funksione të tjera.
Qëkur u bëra kryetar i Bashkisë së Tiranës e kam pasur në mendje këtë godinë, por është një sfidë shume e vështirë , pasi hapësirat e saj nuk janë lehtësisht të përdorshme për çdo qëllim, dhe shumë e rëndësishme është përmbajtja që do të ketë brenda. U shpenzuan disa miliona dollarë , u bë një barbari dhe u vodhën një pjesë e konsiderueshme pllakash, për të bërë asgjë në fund”, tha Rama.
Ndërkohë që më herët kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se Ramës i kishte mbetur peng ndërtimi i Piramidës, pas 11 vite në krye të Tiranës.
”I thashë Edi cila është gjëja që të ka ngelur peng. Fjala e parë ishte Piramida. Nuk ka qenë vetëm peng i Edit, por i kujtdo, kujtdo që ka qenë pjesë e Tiranës, është rritur me të, apo ka rrëshkitur këtu tek Piramida.
Projekti fitues është nga Holanda, na duhen dhe financat përvec saj. Në këtë bashkëpunim tashmë, kemi mundësuar gjithë financimin për një punë 2-vjeçare, për rijetësimin e Piramidës që do jetë qendra më e madhe dixhitale në Ballkan. Në pamundësi për një event të madh, duhet të shtyjmë festën e madhe afër fundit.
Duam ta kthejmë në një ekosistem dixhital, jo vetëm mësimin, start-up, apo kompanitë teknologjike”, tha Veliaj.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb



