Stoku i kromit pranë minierës së Bulqizës u ndriçua mbrëmjen e djeshme me afro 677 qirinj, të ndezur nga banorët e qytetit që jetën e punën e tyre e kanë patur të lidhur pazgjidhmërisht me minierën.

677 qirinj sepse këto janë jetët e humbura në galeritë e Bulqizës. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër minator gjeti vdekjen në galeritë minierës së Bulqizës. 60 vjeçari Muharrem Plaku la prapa fëmijët e të shoqen.

Lexo edhe: I shoqi u gjet pas 5 ditësh kërkime në minierë, gruaja në lot: E përcolla tek porta, një copë bukë i dhashë”

Miniera e Bulqizës është hapur në vitin ’48 dhe prej mëse 70 vitesh është vendi ku minatorët shqiptarë nxjerrin të metalin e çmuar në këmbim të sakrificës e vështirësisë së madhe të punës.

Ramazan Islami, ka punuar për 30 vite në miniera. Tregon në një intervistë për median se askush nuk është kujtuar për minatorët.

“Kam 30 e ca vjet në minierë , tani kam dalë në pension. Kam 4 vetë të rënë vetëm nga familja ime. Gjithmonë të drejtat e minatorëve janë shkelur me këmbë. Na kanë premtuar si e majta si e djathta, por janë vetëm premtime, realizime s’kanë bërë asnjëherë. Gjithmonë na kanë mashtruar. Kushtet në minierë janë mizerabël, nuk pyet askush për klasën punëtore. Ne kemi bërë disa herë protesta për kushtet e punës, por kanë rënë në vesh të shurdhër.”

Këtë vit minierat e Bulqizës i kanë marrë jetën tre personave dhe kanë lënë të plagosur dhjetëra të tjerë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re