
Nga Muhamed SYTARI* –
Para disa ditësh ndërroi jetë një burrë i nderuar, që në fjalorin e
shoqërisë sonë qytetare quhet: “Zotni Shkodre”. Shpeshherë e kam parë në
xhami. Një burrë i qetë, i buzëqeshur, komunikues. Nuk e mbaj mend
ndonjëherë jashtë kësaj kornize. Jemi përshëndetur disa herë, me shumë
dashamirësi e respekt. Ai me buzëqeshjen e tij, me respektin dhe finesën
e zotnillëkut të tij, ka lënë gjurmë respekti e nderimi në kujtesën
time.

Akoma sot, kujtimi i tij më sjell ndër mend fjalën e urtë profetike
të shekujve të shkuar: “Ata që do të jenë më afër meje në tubimet e
ditës së kiametit, janë ata që kanë sjelljen më të mirë”. Sepse, në të
vërtetë, në Islam: “Feja është mënyra e sjelljes”!
Pikërisht, ky model esencial i marrëdhënies së myslimanit në shoqëri,
është përgjigjja më e urtë praktike për krejt ata që frikësohen nga
propaganda islamofobe dhe thonë: “Islami na urren!”.
E vërteta është se, shoqëria e jonë ka nevojë për modele frymëzuese
të myslimanit-qytetar, atij që qytetarinë islame e ka në gjen dhe di ta
shfaqë edhe me heshtjen e tij, edhe me një buzëqeshje, edhe me një gjest
fisnik, edhe me një fjalë të urtë, që ndërton e përhap dritë…
Realisht, shoqëria jonë ka nevojë për prekjet begatuese të Islamit që
e zbut natyrën njerëzore, që e bën njeriun, Njeri; të paqtë, paqtues,
paqebërës, dhurues i sigurisë me sjelljen dhe moralin e tij, garanci për
këdo, me të cilin ka një kontakt a një marrëdhënie, përtej fesë e
bindjes, tamam sikurse udhëzojnë tekstet e shenjta të fesë islame!
Shoqëria e jonë ka nevojë për njerëz me fytyra të qeshura, që hyjnë
në xhami e dalin prej saj me fytyrë të qeshur, me nur besimi, me shenjat
e prehjes, që konvertohen në mirësjellje e mëshirë për krijesat e Zotit
në marrëdhëniet e përditshme, mbështetur në udhëzimin muhamedan:
“Buzëqeshja në fytyrën e vëllasë tënd është sadeka!”, pra, buzëqeshja
barazohet me lëmoshën e lavdëruar, që gëzon zemrën dhe shëron plagën!
Shoqëria jonë, përherë e më shumë ka nevojë për modelin e myslimanit,
me mirësjelljen e të cilit zbulohen perdet e hirta të paragjykimit,
dyshimet vrastare që mbushin kokat e njerëzve të zakonshëm, që nuk na
kanë as u kemi asnjë borxh, përveç mirësjelljes dhe respektit për shkak
të origjinës së përbashkët.
Modeli i zotnive myslimanë me fytyra të qeshura, më kujton shpesh
fjalën e urtë, plot kuptime qytetëruese, me të cilën profeti i Islamit i
drejtohej njerëzve: “Krijesat janë krejt nevojtare për All-llahun, më i
dashuri i tyre për Të, është më i dobishmi i tyre për krijesat e Tij”!
Dhe, unë mendoj se shoqëritë njerëzore sot, janë nevojtare për
modelin e myslimanit; njeriut të paqtë, dhuruesit të sigurisë,
shembullit në mirësjellje, ndërtuesit të urave të komunikimit,
njeriut-NJERI, atij që pa asnjë paragjykim pret në derë të xhamisë edhe
terroristin e fshehur vrastar, me buzëqeshje të sinqertë dhe me një
mirëseardhje: “Hello brother!” të sinqertë, ndonëse myslimani dhe
terroristi qëndrojnë larg njëri-tjetrit, si vetë polet e kundërta..!
Ka nevojë të madhe bota e jonë të çlirohet nga “tregtia” e pandershme dhe e paligjshme e islamofobisë, sepse, në fund të fundit, Njeriu i sotëm dhe ata që vijnë duhet ta dinë e të binden se: Islami nuk ju urren, zotëri!
*Myfti i Shkodrës.

