Ardian Vehbiu, i trajtuar pak vite më parë nga media pranë opozitës si pjesë e enturazhit kulturor të pushtetit të Ramës – pat një çmim letrar në fillimet e këtij pushteti – duke qenë dhe kritik i ithët i ish-qeverisjes Berisha, sidomos në pjesën ligjërimore të saj, ka denoncuar hem me foto e hem me fjalë, aspektin teatral të dyshes Rama – Veliaj, duke revokuar copëza nga arti i realizimit socialist me funksion krahasues.

Kritik dhe në qasjen qeveritare ndaj fatit të Teatrit Kombëtar, Vehbiu, një ndër penat më kualitative dhe intelektuale të mendimit publik shqiptar, një “Edi Rama” i viteve ’90 i zhvendosur në kohë afro çerekshekulli më pas, siç këto vitet e fundit me një protagonizëm të spikatur për ta mbajtur të gjallë frymën kritike, me një amballazh sa më intelektual e deri akademik, sigurisht dhe etik, po tregohet i pamëshirshëm në fshikullimin e disa tabiateve të pushtetit të Ramës, sa i përket komunikimit publik.

Ja ç’shkruan ai ndër të tjera referuar fotove krahasuese, mes një të djeshmeje artistike, e të një sotmeje reale:

“Më tërhoqi sot vëmendjen një foto e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, e botuar te “Panorama” (dhe kushedi ku tjetër): fotoja e tregon kryetarin të rrethuar nga punonjës dhe makineri ndërtimi, ose në krye të detyrës. Megjithatë, kompozimi i fotos është bërë me kujdes dhe çdo element është në marrëdhënie me të tjerët, dhe brenda këtyre marrëdhënieve mbushet me kuptim dhe domethënie.

“Veliaj del atje i freskët dhe energjik, duke dëgjuar një inxhiniere që i shpjegon se çfarë po bëhet, madje i përgjigjet një pyetjeje të tij në lidhje me planin e punimeve (që inxhinierja e mban në dorë). Veliaj mban një orë me rrip plastik; inxhinierja byzylyk dhe ndoshta orë; Një person tjetër në krah të inxhinieres, ka edhe ai zinxhir floriri te kyçi i dorës. Personi i tretë, që i mban syzet të varura te jaka e bluzës, duket i vetmi që ka punuar gjatë, me doreza, në diell – për shkak të mënyrës si i është nxirë krahu i dorës së majtë.

Të tre figurat në të majtë të fotos kanë veshur jelekë lumineshentë pune, bojë portokalli; të cilët i identifikojnë si personel të kantierit, por edhe si lojtarë të “ekipit” Veliaj. Megjithatë, jelekët nuk janë pjesë e ndonjë veshjeje pune, as kanë synim tejtër përveçse të identifikojnë dikë nëpërmjet ngjyrës së ndezur, për ta dalluar nga ai tjetri, që nuk ka jelek. Janë më shumë shenja paralajmëruese, si zilja e biçikletës ose boria e makinës; dhe i lejojnë personat në fjalë të tregojnë se jo vetëm i përkasin kantierit si “të brendshëm”, jo thjesht si punëtorë (ose njerëz që transformojnë materien) por edhe si të bashkuar në një organizatë, ose edhe më mirë, organizëm. Dhe në kontekstin e fotos, kjo është një organizatë e cila “punon për Erin.” Gati si pa dashur, kemi kaluar kështu nga një lloj pune te një tjetër.

Të tre figurat mbajnë në duar materiale pune – plane, planimetri, kushedi edhe skica dhe tabela shifrash a specifikimesh dhe kushedi ç’tjetër teknike, precize dhe impenjuese (por jo vare, mistri dhe matrapikë): një emër për këtë efekt do të ishte: intelekti me llërët përveshur. Prapa grupit të përfshirë në shqyrtimin e dokumentit, duket një ekskavator me kovën pezull dhe një kamion që po mbushet me dhe, të cilët përftojnë kontekstin, me Tiranën, kodrat dhe retë e zeza në qiell si sfond. Një person në djathtë, që e ndjek bisedën me interes, e fton publikun të identifikohet me të – sepse nuk i ekspozon shenjat identifikuese të grupit.

Të gjitha elementet në këtë kompozim – që nga jelekët e punës si uniformë, te planimetritë si embrione të së ardhmes, kova e ekskavatorit, dheu i hedhur, kamioni dhe pyetja e kryebashkiakut të përcjellin idenë se “këtu punohet”, e cila është edhe ideja leitmotiv e propagandës së Bashkisë së Tiranës gjatë kësaj legjislature (nuk po shtyhem deri atje sa të them “këtu punohet për Erin”). E megjithatë, askush në foto nuk tregohet duke punuar – sepse fotoja është, siç e thamë, pozë. Më shumë se foto për t’u botuar në një media, poza e inskenuar si natyrale e ka vendin në një album privat”, shkruan ndër të tjera Adrian Vehbiu. Shkrimin e plotë mund ta lexoni në: https://peizazhe.com/2018/07/29/heren-e-dyte-si-farse/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re