Akademia e Shkencave në buletinin ditor ka paraqitur gjendjen në vend, të ndikuar nga COVID-19.

Sipas akademisë, Shqipëria prej dy javësh vazhdon zbritjen nga piku, numri i të sëmurëve aktivë zbriti nga 289 me 28 prill në 161 sot

Gjithashtu, koeficienti i transmetimit të sëmundjes prej 26 prillit është nën një, nivel që çon në mbyllje të pandemisë

Ndërkohë që në të gjithë Botën dje u regjistruan mbi 70 mijë të shëruar; ndërsa rritja mesatare ditore e numrit të të shëruarve ishte 2 për qind

Ballkani dhe tërë vendet europerëndimore gjenden tashmë në procesin e daljes: rritja ditore e numrit të të sëmurëve në Evropë zbriti në 1.37 për qind

Vendet e Lindjes, megjithëse me tregues të moderuar të ritmeve të përhapjes së sëmundjes (2-4 për qind), ende nuk e kanë filluar fazën ulëse

Sipas Akademisë së Shkencave, treguesi përcaktues i shkallës së dominimit të pandemisë, koeficienti i transmetimit të sëmundjes, parashikuar të zbriste nën një (1) që nga 19 prilli u vërtetua me një zhvendosje disaditore

Kahjet dhe prirjet e zhvillimeve të pandemisë tek ne në dy javët e fundit kanë rikonfirmuar parashikimet e njoftuara nga ekspertët E. Gjini dhe prof. Kaçiroti, pranë komisionit të përhershëm të matematikës dhe informatikës

(Relacion i E-group-it “Në ndjekje të pandemisë” të Akademisë së Shkencave)

Prej dy javësh Shqipëria vazhdon zbritjen nga piku i sëmundjes. Tek ne piku u arrit me 26-28 prill, kur u regjistrua numri maksimal i të sëmurëve aktivë prej 289. Që nga kjo datë vazhdon ulja e tyre dhe sot numërohen vetëm 161. Sipas parashikimeve (edhe të bashkëpunëtorëve tanë), faza e pikut pritej me 8-15 prill. Dhe në fakt në këtë periudhë filloi ulja e parë e kurbës. Ndërkohë u shfaq vatra e Krujës dhe e Kurbinit, që e vonuan daljen nga pandemia me dy javë. Treguesit e periudhës 19-26 prill e dëshmojnë këtë, pasi në këtë kohë numri i të sëmurëve të rinj në Durrës-Krujë dhe Lezhë-Kurbin u rrit me mesataren ditore 11-12 për qind. Pas kësaj date-kufi, ritmi i shtimit ditor të të prekurve zbriti tek rreth 2 për qind, ndërsa javën e fundit u vërtetua rritje tek 1.1 për qind, duke përfshirë këtu edhe Tiranën, çka paraflet për mbyllje të kësaj vale brenda 40 ditësh.
Në Europë, gjendja e përhapjes, dominimit dhe shërimit të popullatës prej pandemisë gjatë kësaj periudhe dyjavore paraqitet si vijon:

a). Rritja ditore e numrit të të sëmurëve në shkallë kontinenti zbriti në 1.37 për qind;

b). Tërë vendet europerëndimore gjenden tashmë në procesin e daljes, duke përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Italinë dhe Francën, vende që prej ditësh kanë rritje minimale ditore të numrit të të prekurve të rinj, nën 0.5 për qind si mesatare ditore;

c). Vendet më të avancuara në fazën dalëse nga pandemia janë Gjermania, Spanja, Austria, Zvicra, Danimarka, Finlanda, Sllovenia, Çekia dhe vendet balltike;

d). Belgjika, Hollanda dhe Norvegjia, duke përfshirë Francën, e kanë minimizuar rritjen ditore, por ende kanë tregues jo të kënaqshëm të numrit të të shëruarve.

Vendet e rajonit të Ballkanit vazhdojnë ecurinë pozitive të mbylljes së pandemisë, proces të cilit së fundmi, i është bashkuar edhe Serbia. Në gjashtë vende ballkanike, duke përfshirë dhe Turqinë, nga 70 deri në 82 për qind të numrit të përgjithshëm të të infektuarve rezultojnë të shëruar. Greqia njohu këto ditë një frenim të ritmit të të shëruarve në ditë.
Në një fazë më të vonuar për kontrollin dhe daljen prej pandemisë gjenden disa nga vendet e Lindjes, si Polonia, Ukraina, Bjellorusia, Moldavia dhe Bullgaria, të cilat, megjithëse me një përhapje të kufizuar të sëmundjes dhe me moderim te treguesit te ritmeve të përhapjes ne kufijtë nga 2 për qind deri në 4 për qind, prapë se prapë ende nuk e kanë filluar fazën ulëse, pasi ritmi i shërimeve është ende i ulët dhe se rritja ditore e të sëmurëve te rinj duhet të zbresë nën 2 për qind.
Në shkallë globale dje janë regjistruar mbi 70 mijë të shëruar. Rritja mesatare ditore e numrit të të shëruarve ishte 2 për qind dhe numri i të sëmurëve në terapiintensive vazhdoi të ulet. Në qendrat kryesore të pandemisë dëshmohet kjo gjendje: a). Në SHBA, numri i të sëmurëve u rrit me 1.66 për qind (nën 2 për qind), u regjistruan mbi 30 mijë të shëruar dhe për herë të parë kurba e të sëmurëve aktivë njohu ulje; b). Në Britaninë e Madhe rritja ditore e të sëmurëve ishte me 1.5 për qind, situate kjo që shkon drejt pikut; c). Ndërsa në qendrat e tjera kryesore jashtë Europës dhe SHBA (Rusi, Brazil, Peru, Indi), me rritjet ditore prej 5 për qind, shihet një frenim i përhapjes së pandemisë, por me një kurbë ende në ngjitje drejt pikut.

Këtij buletini i bashkëngjitur studimi i anetares se komis te mat- informatikes E. Gjini, përditësuar me 10 maj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re