Foshnjat e lindura nga nëna që janë abuzuar gjatë shtatzënisë tregojnë ndryshime në strukturën dhe zhvillimin e trurit të tyre, sipas hulumtimit të kryer nga Universiteti i Bath në Mbretërinë e Bashkuar.

Në fakt, amigdala, e cila ka qenë e lidhur me emocionet, dhe veçanërisht me frikën, është më e vogël tek vajzat, nënat e të cilave janë abuzuar gjatë 9 muajve që i mbanin.

Tek djemtë, nga ana tjetër, madhësia e bërthamës kaudate është rritur. Kjo zonë e trurit është e lidhur me funksione të shumta, duke përfshirë kujtesën, mësimin dhe shpërblimin.

Këto gjetje mund të shpjegojnë pse fëmijët e nënave që përjetojnë dhunë në familje kanë më shumë gjasa të vuajnë nga probleme të shëndetit mendor më vonë në jetë.

Studiuesit nga Universiteti i Bath, në bashkëpunim me studiues nga Universiteti i Cape Town, studiuan trurin e 143 foshnjave nga Afrika Jugore, nënat e të cilëve ishin viktima të dhunës nga partneri intim, duke përfshirë abuzimin fizik, emocional dhe seksual. Foshnjat ishin mesatarisht 3 muajsh dhe gjetjet janë publikuar në Developmental Cognitive Neuroscience.

Është hera e parë që shqyrtohet një lidhje e tillë dhe e vërteta është se përfundimet janë po aq shqetësuese sa edhe vetë fenomeni i dhunës dhe i të gjitha formave të abuzimit.

Rreziqet për shkak të abuzimit të grave gjatë shtatzënisë janë vdekja e nënës, lindja e parakohshme, vonesa e rritjes intrauterine, pesha e ulët e lindjes, komplikimet e shtatzënisë për shkak të traumës, shkëputja e placentës, aborti spontan, vdekja e fetusit ose infeksionet e nënës. Siç kanë treguar studimet, shkalla e abortit është shumë më e lartë te gratë e dhunuara krahasuar me ato me probleme shëndetësore si epilepsia ose astma.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re