Etja për pushtet ka shkaktuar një krizë të rëndë të qeverisjes demokratike në Shqipëri. Këto kushte e kanë cënuar rëndë sigurinë kombëtare nëpërmjet zhbalancimit të pushteteve dhe cënimit të të drejtave themelore kushtetuese.

Nga Alban Dafa

Janarin e kaluar, ndërkohë që pandemia e COVID-19 po i afrohej Evropës, vëmendja dhe puna e qeverisë shqiptare ishte mobilizuar për të marrë ‘Po’-në e shumëpritur të Brukselit për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE).

Duke qenë në shoqërinë shqiptare arritjet përgjatë rrugës drejt anëtarësimit në BE kuptohen si njësi matëse të suksesit qeverisës, qasja e qeverisë së zotit Rama – ashtu sikurse ajo e qeverive të mëparshme – ka qenë të përmbushin formalisht kushtet e Brukselit pa u siguruar që ky proces të çojë në ndërtimin e institucioneve të efektshme dhe të përgjegjshme. Përgjigjia e qeverisë ndaj pandemisë nxjerr në pah dështimin e kësaj qasjeje dhe nevojën për të ndërtuar një infrastrukture institucionale, e cila garanton të drejtat kushtetuese dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë.

Qeverisja e akteve normative dhe administrative

Në 31 janar – një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandeminë e COVID-19 – Këshilli i Ministrave miratoi një akt normativ – paketa ‘anti-KÇK’ – për të rritur efektshmërinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Miratimi i paketës para votimit të Këshillit të BE-së në datën 24 mars 2020 i jepte mesazhin vendeve anëtare se Shqipëria ishte e përkushtuar ndaj reformave në kuadër të procesit të anëtarësimit. Ndërkohë që shoqëria civile shqiptare kundërshtoi fuqishëm ndryshimet ligjore të paketës duke i vlerësuar si dispozita që cënojnë të drejtat themelore, ambasada amerikane, përfaqësia e BE-së në Tiranë, si dhe kryetari i Parlamentit Evropian i mirëpritën ato. Kjo mbështetje e jashtme i dha të kuptojë qeverisë shqiptare se ajo mund të ndërmerrte nisma ligjore pa marrë miratimin e Kuvendit nëse ato çonin në përmbushjen e kushteve të Brukselit.

Besimplotë nga një mbështetje e tillë, qeveria shqiptare vijoi praktikën e ndryshimeve ligjore në kuadrin e përgjigjes ndaj krizës së COVID-19. Në 11 mars, Këshilli i Ministrave ndryshoi nëpërmjet një akti normativ ligjin “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” në mënyrë që të legjitimohej përdorimi i Forcave të Armatosura në përgjigje të krizës. Në këtë mënyrë, Këshilli i Ministrave shpërfilli detyrimet kushtetuese dhe ligjore për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore, që do të mundësonte përdorimin kushtetues të Forcave të Armatosura.

Ndërhyrja në kohë e qeverisë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes së COVID-19 ishte padyshim e nevojshme dhe duket se ajo e parandaloi përhapjen e saj. E megjithatë, qeveria e ka trajtuar krizën si një emergjencë mjekësore, jo si një emergjencë kombëtare me pasoja thellësisht negative për ekonominë e vendit, mirëqënien dhe të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë. Prej datës 9 deri në 15 mars 2020, pezullimi i sistemit arsimor, mbyllja e aktivitetit ekonomik jo-thelbësor dhe masat për kufizimin e lëvizjes u morën nëpërmjet urdhërave të ministrit të Shëndetësisë, jo nëpërmjet një përpjekjeje të koordinuar ndërinstitucionale dhe kushtetuese për të përballuar me një krizë komplekse.

Vetëm në 24 mars 2020 do të shpallte gjendjen e fatkeqësisë natyrore Këshilli i Ministrave do të mblidhte Komitetin Nërministror të Emergjencave Civile (KNEC) në përputhje me kushtetutën. Megjithatë ky hap nuk përmirësoi përgjigjen institucionale ndaj krizës duke qenë se herët vendimi i pare i KNEC-it ishte miratimi i masave të mëparshme të qeverisë duke i veshur me kushtetueshmëri në mënyrë prapavepruese.

Qeverisja demokratike si nevojë themelore e sigurisë kombëtare

Etja për pushtet e qeverisë së bashku me bojkotin parlamentar të opozitës në shkurt 2019 dhe boshllëkun institucional të krijuar si pasojë e reformës së gjyqësorit kanë shkaktuar një krizë të rëndë të qeverisjes demokratike në Shqipëri. Këto kushte e kanë cënuar rëndë sigurinë kombëtare nëpërmjet zhbalancimit të pushteteve dhe cënimit të të drejtave themelore kushtetuese.

Një tregues i pasojave të rënda të mungesës së qeverisjes demokratike është miratimi i ndryshimeve të Kodit Penal në 16 prill 2020. Disa organizata të shoqërisë civile (OSHC) i kritikuan ndryshimet, të cilat parashikonin ndëshkime penale deri në 15 vjet burg për thyerjen e masave parandaluese të përhapjes së COVID-19, duke argumentuar se cenojnë dinjitetin njerëzor dhe se janë të tepërta për t’iu përgjigjur pandemisë. Për më tepër, procedura e përshpejtuar për miratimin e ndryshimeve u kritikua si anti-kushtetuese duke qenë se ato kërkojnë miratimin e 3/5 së deputetëve. Në kushtet e mungesës së krtikave nga SHBA-ja dhe BE-ja, kryeministri Rama i shpërfilli kollaj argumentet e OSHC-ve. Rreziku ndaj të drejtave themelore prej miratimit të këtyre ndryshimeve është rritur ndjeshëm duke qenë se Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese nuk punojnë pasi gjyqtarët e shkarkuar si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting) nuk janë zëvendësuar ende me anëtarë të rinj. Keshtu, qeveria nuk është e kërcënuar prej padive që mund të ngrihen kundër ndryshimeve.

Paradoksalisht, në vend që procesi i anëtarësimit në BE të shërbente për përmirësimin e qeverisjes demokratike, po përdoret prej qeverisë për të legjitimuar procese vendimmarrëse anti-demokratike: nga tejkalimi i Kuvendit nëpërmjet miratimit të akteve normative deri te shpërfillja e zërave kritikë të shoqërisë civile. Duke qenë se anëtarësimi në BE është parë si shëruesja e plagëve historike të Shqipërisë, shoqëria civile shqiptare ka besuar se SHBA-ja dhe BE-ja janë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj demokratike. Rrjedhimisht, mungesa e kritikës – dhe ndonjëhere mbështetja – e këtyre dy aktorëve për praktikat vendimmarrëse të qeverisë shqiptare ka parandaluar kritikat publike ndaj politikave të pandemisë.

Një shpresë e re

Ndërkohë që kriza e COVID-19 po çrregullon rrugët e furnizimit të tregëtisë botërore dhe po rrit konkurrencën gjeopolitike, e ardhmja ekonomike dhe demokratike e Shqipërisë duket e paqartë. Delegimi i kontrollit të punës së qeverisë te aktorët e jashtëm dhe rendja pas anëtarësimit në BE duke anashkaluar qeverisjen demokratike nuk ka rezultuar në dobi të Shqipërisë. Kjo krizë është një mundësi për të reflektuar rreth dështimeve dhe të ardhmes së vendit. Aleatët dhe miqtë e Shqipërisë duhet të kuptojnë se vetëm duke ndihmuar vendin të zhvillojë qeverisjen demokratike mund të ketë bashkëpunime të qëndrueshme. Ndërkohë, shoqëria shqiptare duhet të nisë një bashkëbisedim kombëtar dhe të zhvillojë një qasje strategjike që ka përparësi zhvillimin e qëndrueshëm institucional si domosdoshmëri për sigurinë kombëtare dhe që synon të ndërtojë aleanca dhe miqësi ndërkombëtare në dobi të interesit kombëtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re