Nga Blendi Gashi

Serbia edhe një herë ka përplasur fort mazhorancën dhe opozitarët në Kosovë, ndërsa kryepersonazhi ishte presidenti Hashim Thaçi. Ky i fundit assesi nuk po shihet si njeri i duhur për t’i dhënë vulën finale dialogut Kosovë-Serbi i nisur prej vitesh që tashmë ka hyrë në etapën përfundimtare.

Opozitarët e shohin si të padenjë pasi thonë se nga nisja e bisedimeve të ashquajtura teknike vite më parë Thaçi ka bërë kompromise në dëm të shtetit, ndërsa kërkojnë që Kuvendi ta thotë fjalën se kush duhet të jetë ekipi dialogues, ndërkaq kanë dhënë tre propozime si duhet vazhduar tutje.

Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit, si nismëtare e këtij debati, përmes një rezolute mes tjerash kërkon që Kuvendi të marrë rolin udhëheqës në bisedime me Serbinë, duke ia kontestuar rolin Thaçit.

LDK-ja e ka propozuar që fillimisht të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në mënyrë që të fitohet një legjitimitet i plotë përfaqësues.

Ndërkaq Vetëvendosje ka propozuar që të ndërpritet formati aktual i dialogut me Serbinë, ngase sipas saj, aktualisht në dialog po negociohen çështjet e brendshme të Kosovës.

“Mos u fshehni në birë të minit”

Sigurisht se këto propozime nuk i kanë bërë përshtypje kryeministrit Ramush Haradinaj i cili  bëri thirrje që të bëhen pjesë e dialogut dhe të mos vajtojnë më pas për epilogun final.

Debati u nxeh kur deputeti i pavarur, Korab Sejdiu pyeti Haradinajn pse ish-presidentja Atifete Jahjaga nuk pati kompetenca si Thaçi, e as ish-presidentët Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli për të udhëhequr dialogun me palën serbe.

Kryeministri nuk u përgjigj në këtë pyetje, ndërsa shfrytëzoi rastin të thumboi LDK-në pjesë e të cilin grup parlamentar është deputeti Sejdiu.

“Presidentin Thaçi e kemi dhuratë të LDK-së, për tu bërë kryetar i qeverisë është dashur Thaçi të bëhet president, ka qenë e pa mundur të bëhet ndryshe dhe zoti Veseli kryetar parlamenti. Unë kanë bërë koalicion me PDK-në sot, i kam marrë përgjegjësit me ta, kam marrëdhënie korrekte me ta dhe i respektoj por nuk i keni dhuratë prej meje dhe nuk e kuptoj hipokrizin e juaj të disave që i keni pru dhe i keni lënë këtu, tash thoni ndrysh, u jeni kanë atëherë, kush jeni ju…krejt ata që i njoh unë po na thonë bëni ekip kredibile, uluni, po i thonë parlamentit merrenu vesh. Qeveria do ta përkrah këtë proces me seriozitetin, unë do të respektoj të arriturat institucionale që i kam gjet, pjesë e të cilave jam por po iu lus si parlament merreni përgjegjësin po ashtu, mos u fshihni në bira të minit“, tha Haradinaj.

Por deputeti Sejdiu ja bëri të qartë Haradinajt se ai nuk e ka votuar Thaçin si president.

Përplasja e vetëvevendosësit Selimi me pushtetarët…

Për Thaçin u përplasën edhe deputetë të Vetëvendosjes me ata të AAK-s dhe NISMA-s.

Vetëvendosësi Rexhep Selimaj ftesën e Haradinajt për pjesëmarrje në dialog e quajti thirrje për bashkëfajësi, çka tha nuk bëhen pjesë.

“Kjo nuk është ftesë e sinqertë, kjo është ftesë për bashkëfajësi, dhe jo ne nuk pranojmë”, ka tha Selimi.

Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj i tha Selimit se si mund të akuzoi njerëzit që bashkëpunojnë me Thaçin kur vet paslufte ka qenë ministër i Brendshëm i tij.

Por Selimi u kundërpërgjigj duke thënë se nuk i heq asnjë presje karrierës së tij.

Ky i fundit u përplas edhe me deputetin e NISMA-s, Zafir Berisha, pasi ky i fundit kërkojë nga partitë politike që të marrin parasysh ftesën e Limajt.

Selimi reagoi duke thënë se “thirrja e Fatmirit ishte ejani ti bashka ngjiteni Thaçit ashtu siç bëmë edhe ne”.

“Thirrje për bashkëfajësi, dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë këtu, sepse LVV është e interesuar ta shpëtoj pak sa ka mbetur”, tha Selimi.

Më pas reagoi deputeti Berisha ku tha se nuk duhet të përdoret Thaçi si pretekst, ai insistoi se thirrja e Limajt ishte e sinqertë.

Si përfundim Rexhep Selimi ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se VV nuk do të marrë pjesë në thirrjen e Limajt.

Vlen të theksohet se në këtë debat më të heshturit kanë qenë deputetët e PDK-së, çka e tha edhe vetëvendosësi Selimi i cili ju tha deputetëve të AAK-së e NISMA-s se po bëjnë “avokatin” e Thaçit.

Debati për dialogun pritet të vazhdojë deri në mbrëmje, ndërsa ai nisi të premten por u  ndërpre për shkak të vdekjes së veprimtarit politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re