Kishte diçka të ndryshme duke shikuar përsëri filmin ‘Dita zë fill’ në kohën e Covid-19 – në kohën e pasigurisë ekonomike! Përmes situatës së vështirë që po jetojmë kohën e fundit në lidhje me koronavirusin dhe ndikimin socio-ekonomik që ka pasur kudo që është përhapur, ARTALB FILM PRODUCTIONS njoftoi publikun, përmes platformës Facebook, se filmi tani më është i hapur online për ta parë.

Filmi ishte kandidatura zyrtare e Shqipërisë për kategorinë e Filmit më të mirë të huaj në edicionin e 90-të të Academy of Motion Picture Arts and Sciences, protagonistja Ornela Kapetani fitoi çmimin ‘Aktorja më e mirë’ në Sarajevo Film Festival, dhe regjisori Gentian Koçi fitoi çmimin ‘Regjisori më i mirë’ në edicionin e 15-të të Tirana International Film Festival.

Dita zë fill është një histori që mbi të gjitha tregon se sa e brishtë është busulla morale e njeriut, një dramë psikologjike, e trishtë dhe e fuqishme, dëshpëruese dhe pesimiste, disi e lodhshme në disa aspekte por edhe shumë prekëse në aspekte të tjera. Regjisori Gentian Koçi ka kaluar nga dokumentari tek filmi artistik duke ruajtur stilin e vet dhe të njëjtën entuziazëm për storytelling.

Fabula jepet në 5 minutat e para: Leta nuk ka mundësi të paguajë qiranë e apartamentit ku ajo jeton me djalin e saj, dhe është në një pozitë të vështirë duke qenë pa punë – dhe para se të kemi shansin të shqetësohemi për fatin e saj, ajo po diskuton me Arianën, e cila po i ofron punë si kujdestare për të ëmën e saj të sëmurë, një punë që u prezantua kaq shpejt në fillim të tregimit si një lloj ndërhyrje hyjnore dhe i jep Letës pak shpresë.

Në vazhdim filmi është një akumulim aktesh të përditshme, një kolazh imazhesh – në shtëpi duke bërë punë ose duke u kujdesur për Sophien, në spital, në farmaci, në dyqani i lagjes të cilit i shtojnë tregimit një sens natyror. Por, në kombinim me dialogët lakonikë kjo rezulton në një tregim të ngadalshëm, aq sa, disa herë duket kaq i fiksuar me detajet për të përcjellë të përditshmen dhe për të ndihmuar të ndërtojë me vërtetësi skena rreth personazhit kryesor, sa na bën të përpiqemi të ndjekim temën kryesore.                        

Organizimi hapësinor të planeve synon drejt një qëllimi kryesor – të sjellë në pah dhe të fiksojë gjendjen psikologjike të personazhit kryesor, Leta, dhe nëpërmjet këtij shkallëzimi planesh të shohim dëshpërimin e saj. Megjithatë, me përjashtim të skenës në dush ku Leta shpërthen në lot, ajo qëndron krejtësisht si një fortesë e padepërtueshme, e mbyllur hermetikisht,  – tamam si muri që ndërtoi brenda shtëpisë së Sophias ku ajo tani jeton bashkë me djalin e saj njëvjeçar.

Nëse duam t’i shtojmë një dimension poetik tregimit, mund të sugjerojmë se muri funksionon si një alegori e qëndrimit të Letës ndaj vështirësivë që ajo po përjeton – një single mum, pa mbështetje, në pamundësi për të përballuar jetën, është shndërruar në një njeri pa shprehje dhe pa shpresë, një tableau noir.

Interpretimi i aktores Ornela Kapetani ka arritur të krijojë karakterin-fortesë me besueshmëri, por problemi qëndron se kjo shkakton një mospërputhje midis asaj që regjisori ka dashur të arrijë përmes planeve që ka zgjedhur të përdorë dhe zbrazëtisë në portretin e karakterit të saj që i reziston ende. Filmi mundohet të na bëjë pjesëmarrës aktivë duke na ftuar brenda dhe afër personazhit ndërsa Leta vazhdimisht na përball me një fytyrë bosh, dhe këtu qëndron thyerja e brendshme strukturore e filmit.

Regjisori është shprehur se shumica e skenave zhvillohen brenda në vende të mbyllur për të lejuar kamerën t’i afrohet personazheve dhe të tregojë zhvillimin e tyre, dhe vërtet në përgjithësi kjo është një teknikë e suksesshme, por jo në rastin e Letës – ajo ende është një personazh i rëndomtë, statik, gjë që është jashtëzakonisht e lodhshme për një spektator që do të identifikohet me të si personazh kryesor.

Në rastin e Sophias, kjo afërsi e kamerës me personazhin funksionon për mrekulli! Momenti më i bukur dhe më i ngarkuar emocionalisht i filmit është ai kur Sophia mundohet të heqë maskën e oksigjenit për t’i dhënë fund jetës së saj. Por momentin e fundit ndalon, shikon Letën të shtritë në divan me fëmijën e saj të vogël, dhe me një gjest krejt vetëmohues tregon se është aq zemërmirë sa zgjodhi mirëqenien e Letës mbi lirinë e saj nga dhimbja dhe sëmundja. Dhe për këtë nuk iu desh as një fjalë! Pra, busulla morale e njeriut mund të jetë po aq e brishtë sa dhe e pathyeshme. Një skenë e veçantë dhe absolutisht çliruese.

Në përpjekje për ta dramatizuar më tepër skenarin, Koçi ka shtuar një dramacitet të papritur në fund të filmit, ndoshta një truk i guximshëm, por që krijon problemet e veta rreth besueshmërisë. Gjithsesi, mbase është thjesht një truk sipërfaqësor për të justifikuar eliminimin e Letës më në fund, i cili ka arsye më të thella: shoqëria jonë është ende një shoqëri patriarkale dhe mjaft e rreptë për t’i falur një gruaje të pamartuar që është nënë e një fëmije, marrëdhënie seksuale!

Duhet disi të dënohet për aktin e saj! Gjë që është ironike – pse na kërkohet të simpatizojmë me Letën gjatë gjithë filmit kur në fund ne duhet të ndahemi nga ajo! Është tepër mizore për spektatorin! Fatkeqësisht, fundi i filmit frenon qëllimin e tregimit të portretizojë sinqerisht dhe pa gjykim ndeshjen e një gruaje të vetmuar me jetën moderne – dhe kështu miraton dhe përkrah idealet e shoqërisë tonë, nxjerr në pah bazën kulturore të personazhit.

Në një nivel të dytë, konflikti kryesor i filmit, përveç atij ndërmjet heroit dhe problematikës kryesore që zotëron historinë, është ai midis heroit (Leta) dhe rregullave shoqërore të cilat ajo i shkel dhe për këtë duhet të ndëshkohet. Gjithsesi, pavarësisht të metave të tij, filmi zgjon interes te spektatori në lidhje me problematika siç është papunësia, familja me një prind, eutanazia, dhe sigurisht moraliteti.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re