Këshilli Bashkiak i Himarës pritet të zhvillojë të premten zgjedhjet për kryetarin e ri të komanduar të Bashkisë pas dorëheqjes së Blerina Balës, e cila mori postin vetëm pak javë më parë pas arrestimit të Jorgo Goros me urdhër të SPAK.

Dy janë kandidatët për të pasuar Blerina Balën në krye të bashkisë së Himarës, janë nënkryetarët Pervin Gjikuria dhe Arqile Bollano.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak, Blerina Bala shkruan se vendimin e ka marrë për arsye personale dhe se është i parevokueshëm.

“Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë”, shprehet ajo.

LETRA E DOREHEQJES

Të nderuar anëtar të Këshillit Bashkiak Himarë!

Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua.

Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje.

Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë.

Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë.

Dua të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen më të thellë stafit të Bashkisë Himarë, Këshillit Bashkiak Himarë dhe cdo banori të Himarës për mbështetjen dhe për vlerat njerëzore që kemi ndarë gjatë kësaj periudhe.

Përulësisht kërkoj të pranoni mirënjohjen time të sinqertë, për bashkëpunimin dhe për cdo gjë që kemi arritur së bashku.

Me respekt, Blerina Bala

ZGJEDHJE

Bala u zgjodh në këtë post më 29 mars mes tensioneve brenda këshillit bashkiak, pasi dy kryebashiakët, Jorgo Goro dhe Fredi Beleri përfunduan në burg, njëri për tjetërsim pronash dhe tjetri për blerje votash.

Tensionet dy muaj më parë ndodhën pasi disa mbështetës të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg, hynë në ambientet e sallës ku po zhvillohej mbledhja e këshillit në Bashkinë e Himarës, duke kundërshtuar praninë e përfaqësuesve të PS-së dhe Prefekturës së Vlorës.

Në lidhje me zgjedhjen e Balës reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në rrjetet sociale shkroi se zgjedhja e saj nga Këshilli Bashkiak i Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore.

Por nuk dihet se çfarë do të ndodhë tani që Blerina Bala u largua nga posti i kryetares së bashkisë Himarë.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re