VALENTINA MADANI/ Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, kërkoi dje garantimin e votës së emigrantëve, pavarësisht sfidave dhe problemeve që sjell ky proces.

I pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare “Votimi nga jashtë vendit”, Soreca vuri në dukje se kjo është një e drejtë shumë e rëndësishme, teksa theksoi se Shqipërisë do t’i duhet të vendosë në zbatim votimin nga jashtë vendit. Po ashtu, Soreca apeloi se Shqipëria duhet të ofrojë garanci të konsiderueshme të integritetit zgjedhor, duke përmendur fshehtësinë e votës, garën e drejtë dhe përfaqësimin e drejtë.

“E drejta për të votuar është një e drejtë e rëndësishme politike e njeriut dhe në botën që jetojmë, t’u ofrosh qytetarëve që jetojnë jashtë që të votojnë në vendin e origjinës, është shumë e rëndësishme dhe gjëja e duhur për t’u bërë. Sa i përket votimit nga jashtë vendit, është shumë e rëndësishme, pavarësisht sfidave që sjellë ky opsion. Nuk është e lehtë dhe ka sfidat e veta. Është një ndërmarrje e madhe administrative dhe ka kosto të mëdha financiare.

Shumë vende kanë pasur probleme për të gjetur formulën e duhur, por kjo do të thotë se ka shumë ku të mësosh. Në fund, Shqipërisë do t’i duhet të vendosë si ta vërë në zbatim votimin nga jashtë vendit. Do të duhet të ofrojë garanci të konsiderueshme të integritetit zgjedhor si psh., fshehtësinë e votës, garën e drejtë, përfaqësimin e drejtë. Kur të krijohet ky sistem i ri, ne besojmë që është i një rëndësie shumë të madhe që procesi të jetë i gjerë sa i përket konsultimit dhe të kërkohet konsensusi i të gjithë aktorëve të përfshirë”, – u shpreh Soreca.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Soreca u shpreh duhet të vendoset në mënyrë konsensuale “dhe nuk ka rrugë tjetër veç saj”.

“Dëshiroj të nxis të gjitha palët që t’i vënë në zbatim pa vonesë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese për proceset zgjedhore. BE-ja ka qenë dhe vijon të jetë mbështetëse e Shqipërisë për të fuqizuar sistemin zgjedhor. Fuqizimi i funksionimit të institucioneve demokratike është në thelb të misionit tonë të BE në Shqipëri, si dhe një nga kërkesat thelbësore të anëtarësimit në BE. Ne vazhdojmë të kërkojmë një këmbëngulje ndërpartiake për këto çështje, Reforma Zgjedhore duhet të vendoset në mënyrë konsensuale dhe nuk ka rrugë tjetër veç saj”, – theksoi Soreca.

QËNDRIMET

Edhe pse ndryshimet në Kodin Zgjedhor që legjitimojnë votën e emigrantëve në zgjedhjet parlamentare janë miratuar në korrikun e 2020-ës, kjo e drejtë duket ende e pamundur për t’u ushtruar edhe në 2025-ën. Komisioneri Celibashi, në tryezën e organizuar për këtë çështje me mbështetjen e OSBE-së, i kërkon ndihmë politikës, e cila duhet të bashkojë votat dhe të miratojë aktet ligjore që nevojiten.

“Nxisim pozitën dhe opozitën të dakordësohet mbi ndryshimet e kërkuara të Kodit Zgjedhor”, – deklaroi Celibashi.

Me deklarata, të dyja palët tregojnë vullnet për t’i miratuar amendimet në Kodin Zgjedhor, por realiteti është pak larg asaj që thuhet. Komisioni i Reformës Zgjedhore, të cilit i është shtyrë mandati tri herë, është mbledhur për herë të fundit dhjetorin e vitit të shkuar. E veç kësaj, qëndrimet e palëve për modelitetet e votimit duken të kundërta.

“Jam pro sistemit me postë, se sa sistemit elektronik”, – deklaroi socialisti Gjiknuri.

Kurse demokrati Enkeljed Alibeaj u shpreh: “Aplikimi i teknologjisë së informacionit është një mënyrë e mirë. Duhet të votojnë të gjithë, përfshirë edhe ata që nuk kanë mundësinë të regjistrojnë një vendbanim të tyre”.

Demokratët që kanë një tjetër debat në gjirin e tyre, atë se kujt i takon përfaqësimi në Komisionin e Reformës Zgjedhore, të cilin e eksportuan dhe në këtë tryezë.

Vetë përfaqësuesit e diasporës i kujtojnë politikës detyrimin për të përmbushur deri në 6 dhjetor vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të miratuar boshllëqet në ligjin elektoral për të bërë të mundur votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë. Për Oerd Bylykbashin, mundësia teknike është, por thjesht duhet vendosur nëse do të ndërmerren të gjithë hapat për votën e diasporës.

“Zgjidhjet teknike janë, ne duhet të ndajmë mendjen, duhet ta synojmë për 2025-ën apo jo? Nëse nuk bëjmë veprime konkrete, nuk arrijmë gjë”, – tha Bylykbashi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re