Skip to content

E bija e prekur nga autizmi, epilepsia e skolioza, lotët e nënës: Mendova të shes veshkën për ta operuar

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Kur Suzana i mbyll sytë në darkë për të fjetur, vetëdija i venitet me mendjen tek e bija. Kur sytë i hap në mëngjes, mendja vrapon sërish atje.

Adela është 21 vjeçe, i përket spektrit autik. Veçse autizmi nuk është e vetmja sprovë, pasi Adela vuan edhe nga episodet epileptike. Vetëm shpirti i Suzanës, mbase ia ndien vuajtjet të bijës. Suzana qëndron në shtëpi për t’u kujdesur për të bijën… ditën dhe natën.

“Problemi është me vajzën që vuan nga disa sëmundje. 24 orë në 24, ditën dhe natën, vajza ka nevojë për ndihmën time. Ajo është, si ta them, e pavetëdijshme. Është autike, epileptike… nuk është në gjendje të bëjë asnjë gjë vetë, as të ushqehet.”-rrëfen Suzana për “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Këto janë fjalë e një nëne të vuajtur. Por sprova e autizmit dhe epilepsisë nuk ishin të vetmet. Prej disa vitesh Adela vuan edhe nga skolioza. Kur Suzana ka mësuar nga doktori se sëmundja po përparon dhe se e bija do të përballet me vuajtje, i është thyer zemra. Lotët e kësaj nëne, janë një dëshmi e qartë…

“Vajza është me ilaçe, me pampersa, me shumë probleme. Por tani për momentin problem është skolioza. Ka 7-8 vjet që vuan, ka dhimbje. Vajza tani nuk rri dot drejtë, është shtrembëruar… e bëmë grafinë dhe doli që ishte 52 gradë. Pas 6 muajsh kur doktori e ka vizituar prap vajzën, skolioza ka ecur akoma. Nga 52 ishte bërë 55 gradë. Doktori më tha që rrezikohet jeta e vajzës. Më tregoi që do të vuajë shumë, do të ketë probleme me infeksione në mushkëri, me zemrën e se nuk do shumë kohë që të vijë kjo ditë… brenda 6 muajsh tre gradë janë shumë (qan).”-rrëfen nëna.

Si mundet të durojë një nënë kur sheh të bijën duke vuajtur? Mes lotëve, Suzana na tregon se jo në pak raste ka menduar të shesë veshkën për të mbledhur para për operimin e të bijës.

“Doktori më tregoi se vajza mund të operohet dhe se kushton afro 30 mijë euro. Ne vetë nuk ia arrijmë dot kurrë. Edhe kështu siç jemi, e kemi të vështirë t’a kalojmë muajin. Unë veshkën time do e shisja që të gjeja paratë…. por është një shumë e madhe. Prej 6 muajsh nuk fle dot, vërtet është fëmijë i sëmurë, por unë marr frymë për Adelajdën… (qan)

Thjesht dua vetëm që ajo të jetojë, Zoti ma dhuroi e ajo duhet të jetë me mua. Të gjithë njerëzve që kanë mundësi sado pak, mendoj se po të bëjnë diçka të gjithë sadopak, unë mund t’ja dal (qan).”-përmbyll rrëfimin Suzana.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë