Nga: Hoxhë Alban Gorishti

Këto ditë patëm një rikthim të përvitshëm të një date mjaft të rëndësishme të kalendarit islam, si dhe një moment thelbësor për jetën shpirtërore të çdo besimtari musliman. Një moment për të cilin besimtari pret dhe shpreson, përpiqet dhe përgëzon, e ky moment është nata e kadrit. Ndërsa po zhytesha në “festivitetin” shpirtëror të shpresës që i përshkron këto netë të fundit të muajit më të mirë, Ramazanit, mu kujtua diferenca e celebrimit dhe e madhërimit të dy festiviteteve mbarëbotërore, nëse kisha parasysh natën e kadrit si festvitetin e parë përballë saj mendja më mbivendosi vitin e ri si celebrim i ndryshëm në lloj por i ngjashëm në manifestime.

Kështu pra gjatë kësaj nate (netëve të fundit të Ramazanit) turma e njerëzve që sa vinte bëhej më e madhe, mbledhja në xhami, përkushtimi maksimal në përmendjen e Zotit, serioziteti i pakrahasueshëm në kthimin e të keqes me të mirë e kjo veçanërisht përgjatë një nate, më bën të kuptoj se përnderimi për diçka nuk është dekor që manifestohet me pompozitet dhe zhurmë mediatike, por shpenzim i më të mirës së mundshme e cila fle tek besimi i heshtur i shumicës për të mbërritur procesin e ndryshimit përmirësues të pakicës, individit, qelizës më thelbësore të shoqërisë. Këtë e tregon edhe Allahu kur në Kuran specifikon se për termin njeri , Zoti në mënyrë të vazhdueshme shfaq një kujdes të veçantë kur përsërit fjalën: All-llahu është i kujdesshëm për robtë” Ali imran 15. E këtë proces ma kujtoi përplasja e shmangur fizike që pata me dikë i cili deshi të më provokojë, por përnderimi i një shumice të konsiderueshme gjatë këtyre netëve më kujtoi se materializimi i fuqisë së vërtetë, e cila njëkohësisht si onomastikë është edhe prej kuptimeve të kësaj fjale “kadr”- fuqi-, nuk është tek mënyra e jashtme e përnderimit të festivitetit por tek cilësia shpirtërore e cila është fuqia e lëvizjes së vërtetë orientuese brenda një shoqërie.

Nga ana tjetër mu kujtua qëndrimi i gjatë pa gjumë përgjatë festivitetit të vitit të ri, festivitet i cili po ashtu karakterizohet nga tubime, shpresë, hare kulinare dhe dhurim i njeriut për njerinë (procesi i shkëmbinit të dhuratave) etj. Kështu edhe unë si tërë shqiptarët e kam përjetuar dikur atë praktikë hedoniste (Kënaqësia trupore si qëllim kryesor në çdo aktivitet), ndërsa nga kahu tjetër duke shijuar angazhimet aspak hedoniste të festivitetit religjoz përgjatë netëve të Ramazanit, sot jam i aftë të bëj dallimin midis tyre. Dallim i cili më çon të përcaktojë qartë në mendjen time sakralen tek gjithsecila prej festiviteteve si dhe të specifikoj qëllimet e tyre qoftë ato që njihen por edhe ato që fshihen, qoftë të vullnetshmet por edhe të pavetëdijshmet.

Prej pyetjeve që dikur më kanë përshkuar mendjen gjatë festivitetit të vitit të ri ishte edhe dilema se a i dëgjonte Zoti lutjet tona në momentin më të rëndësishëm gjatë natës së ndërrimit të viteve, në momentin kur gotat përplaseshin me njëra tjetrën apo qielli ndizej nga ngjyrat e shumllojta të barutit? Realisht me sa mbaj mend kjo ishte një shpresë e zbehtë, pasi për çdokënd kjo hare e kësaj nate dhe ai garim për ta mbushur tavolinën me ushqime të shijshme, ishte fokusi më kryesor i asaj nate ,ndërsa me sa kujtoj shpresa që Zoti (apo çdo entitet tjetër superastral në varësi të besimeve të shumëllojta të çdokujt) apo dikush tjetër atje lart do ti pranonte dëshirat tona ishte diçka që llogaritej si tërësisht e mirëqenë. Ndërsa përjetimet pak hedoniste dhe shumë shpirtërore gjatë kërkimit të natës së kadrit në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit favorizojnë bindshëm besimin se kushdo që përpiqet me sinqeritet të “mbrrijë” tek Zoti (pra nëpërmjet përkushtimit dhe lutjes) ka për t’ia qëlluar mirësisë dhe pranimit përgjatë natës së kadrit, për këtë edhe Allahu thotë: “E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua” Bekare 186. Por kjo përgjigje e lutjes është një mirësi e jashtëzakonshme që sikur njeriu ta zbulonte kohën apo vendin e saj me siguri do të bënte çmos që të kërkonte në realitet fuqinë e vërtetë, që me siguri nuk ka të bëjë me materialen pasi Zoti është trashendencial, pra i pakapshëm për shqisat tona të dobta dhe për arsyen e brishtë, por jo për shpirtin dhe përgjërimin e sinqertë që ky i fundit di të lartësojë (trashendente), pasi vet shpirti është krijesa eternale që Zoti ka specifikuar duke ritheksuar se ai, shpirti, është prej Tij , për këtë Ai thotë: “e Ne e frymëzuam atë me shpirt nga ana Jonë” Enbija 91.

Dikur besoja se nata e ndërrimit të viteve ishte një moment shumë solemn në jetën e njeriut, por pasi përjetova ndjesi të jashtëzakoshme përgjatë këtij angazhimi 10 ditor e kuptova se urtësia kërkon që virtytshmëria mos të shfaqet në një manifestim pompoz (si ai i vitit të ri) por në një kuptim specifik i cili qëndron në themel të mos zbuluarit se si mund të dallohet Nata e Kadrit, për këtë nata e kadrit nuk kërkon tryeza super të shtrenjta por zemra super të pastra. Në natën e ndërrimit të viteve e kishim zakon që të “deheshim” nga varietet e ushqimeve dhe pijeve duke u mbyllur në një rreth vicioz e nesërmja e të cilit na gjente shpesh të zbrazur nga çdo kuptim i saktë për ato që mundet të ishin pritshmëritë tona të një viti pas dhe para.Ndërsa për atë që u përpoq përgjatë natës së kadrit i tilli e ndjeu se fitorja e më e madhe e jetës është ajo ku të thellohet shpresa për të ardhmen për shkak të sigurisë dhe paqes shpirtërore të një nate të vetme. Për këtë është thënë se ajo natë e kremtimit shpirtëror është paqe nga ëngjëjt, që do të thotë, përshëndetjet e paqes nga ëngjëjt për të gjithë besimtarët. Dhe disa thonë: “melaiket zbresin me çdo urdhër, paqe është deri në çeljen e agimit””, që do të thotë, se njeriu është i sigurtë nga të gjitha llojet e fatkeqësive dhe mundimeve.

Shpesh nata e vitit të ri është një event nën “thundrën” e presionit të opinionit publik, ndërsa kremtimi i kësaj nate (natës së kadrit) përzgjedhje personale e zemrës e cila e ndjen se tek përulësia ndaj krijuesit gjendet materializimi më i plotë i lutjeve dhe shpresave të njeriut, qofshin ato edhe të pavetëdijshme, e kjo pasi nuk ka gjë më të vështirë për nefsin sesa largimi nga Krijuesi i vet dhe përulësia ndaj Tij (të qenit rrob i Tij, krijesë prej krijesave). E kështu duke menduar tërë këtë, erdhi koha të ndahesha nga xhamia, vendi i adhurimit dhe përulësisë asaj përulësie që njeriut ia kthen kuptimin, e bën rrob,përgjatë këtij largimi ndjeva një emocion të veçantë, një ndjenjë nostalgjie për atë që lash pas dhe mall duke shpresuar se do të ritakohem me këtë natë vitin tjetër e kështu mu kujtua se dikur largimi nga tryezat e stërmbushura të vitit të ri ishte thjesht ngopje kulinare e shoqëruar nga një ndjesi paaftësie në lidhje me të ardhmen dhe një projektim filmash me tematikën më komerciale që kanë njohur shekujt e fundit atë të një burri me bark tek goja që fluturon nëpër çatitë e shtëpive për të shpërndarë dhurata, një mit pagan që i distancon njerëzit nga feja duke i lidhur më tepër me fantashkencën tokësore.

Por sa të ndryshme janë këto net nga njëra tjetra mundet t’ua tregojë vetëm ai i cili i ka “shijuar” të dyja, i tilli mundet të përshkruaj me fjalë dallimet thelbësore të secilës. Por që ta përjetojë sigurinë e diçkaje njeriu duhet të futet në të ashtu sikurse tregon Allahu kur thotë për një tjetër element madhështor të këtyre ditëve, Qabja e bekuar: … dhe kush hyn në të, ai është i sigurt…” Ali imran 97, e si t’ia tregosh ndryshe konsumuesit të vitit të ri atë që shumë besimtarë ndjejnë prej sigurisë dhe begatisë përgjatë asaj nate nëse i tilli nuk futet në “shtëpinë” e përjetësisë shpirtërore (“aty është vendi i tyre i përhershëm” Fusilet 28) atë vend që Zoti e ka përgatitur për ata të cilët e kthejnë të keqen me të mirë e kur e bëjnë këtë : …atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt…” Fusilet 34, por këtë nuk mund ta arrijë dot konsmuesi i rëndomtë por këtë e mbrrin ai i cili beson se me të vërtetë All-llahu di për shumë gjëra që i bëjnë njerëzit, se me të vërtetë “sot” askujt nuk do ti bëhet padrejtësi derisa një thirrës do të thotë: Ata aty (në xhenet)kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë” Kaf 35.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re