Ekspozohen 44 foto të rralla Aleksandër Moisiut në Qendrën për Hapje dhe Dialog. Studiuesi Pjetër Logoreci rrëfen për “Shekulli”-n momentin që aktori i konsideron shqiptarët bashkatdhetarë, si i shpëtoi fatalitetit që pësuan çifutët dhe pasardhësit e tij

Anila Dedaj

 

Ishte ende fëmijë kur do t’i binte për herë të parë në dorë një libër për aktorin e famshëm Aleksandër Moisiu. Admirimin për këtë figurë do t’ia shtonte edhe pasioni i tij për aktrimin, ndaj studiuesi Pjetër Logoreci kërkonte të mësonte edhe më për këtë artist me origjinë shqiptare që kishte bërë për vete personalitetet më të mëdha botërore të artit si; Pirandelo, Chaplin, Stanislavski, Kafka, Caruso, Cvajg etj. Një jetë e mbushur me sfida, vuajtje për mbijetesë, pasione të mëdha, që Logoreci deshi t’ua sillte shqiptarëve përmes 44 fotografive të rralla me objektet personale të aktorit, pronë e Muzeut Kombëtar të Teatrit Austriak.

Mes tyre ka edhe dokumente shkresorë, si dhe korrispodenca e tij personale, që në 1958-ën iu dhurua Muzeut nga bashkëshortja dhe kolegia e tij Johanna Terwin. Studiuesi rrëfen për “Shekulli”-n se cilat janë faktet më pikante të jetës së aktorit dhe momentet, që e lidhin me Shqipërinë; si një mbrëmje patriotike në Austri me bashkatdhetarë apo 7 nëntori i vitit 1993 kur ai së bashku me bashkëshorten Terwin u paraqitën në konsullatën tonë për të kërkuar nënshtetësinë shqiptare. Një dokument që do ta shpëtonte nga Hitleri, i cili sipas Logorecit e konsideronte si çifut. Por jo vetëm dokumenti, në mbrojtje të Moisiut, gjatë asaj periudhe vuajtje për artistin shqiptar, do të ishte edhe Duçja.

 

Zoti Logoreci, sillni në Shqipëri 44 foto nga aktori me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu. Cila është zanafilla e kësaj nisme, edhe cilat janë burimet arkivore me të cilat keni punuar?

Dashuria ime ndaj asaj figure ka nisur që në vegjëli, kur pata fatin të lexoja të parin libër në shqip që u bë për të. Mandej me kalimin e kohës sa më shumë mësoja për të aq më shumë admirimi rritej. Kur kam shkuar në Austri me teatrin popullor “Migjeni”, falë një kontrate 1-vjeçare që pata asokohe kureshtja u thellua edhe më.

Kështu në një farë mënyre e ndjeva si detyrim shpirtëror që të “zbuloja” edhe më shumë rreth jetës së tij. Me ndihmën e Teatrit Popullor të Vjenës, munda të gjej vendin se ku gjendej dokumentacioni i Moisiut, të cilin e shoqja, aktorja  Johanna Terwin ia kishte dhuruar Teatrit në ‘58-ën. Mandej pas ’58-ës arkiva e teatrit në Austri u organizua dhe sot është një muze.

Muzeu i Teatrit Kombëtar Austriak është sot një institucion, ku gjendet i gjithë dokumentacioni, jo vetëm i Moisiut, pori të gjithë aktorëve të famshëm të këtij teatri. Unë aty nisa të bëj kërkimet e para 7-8 viteve, duke arritur të identifikoj objektet e tij personale, që më bënë që të lidhem edhe më shumë pas kësaj figure.

 

Përpos fotove, cilat janë të dhënat në këto arkiva që ju kanë tërhequr më shumë vëmendjen?

Mjaft interesante është korrespodenca e tij me personalitete të ndryshme të artit si; Charlie Chaplin, Lev Tolstoj apo me Max Reinhardt, regjisorin e aktorin që e ndihmoi në hapat e parë të karrierës etj. Mandej është korrespodenca e tij më personale, letrat që ka shkëmbyer me nënë, e cila ishte personi më i afërt për të, çdo shqetësim apo sukses e ndante me të, por edhe me të motrat. Kështu të tilla mund të përmend letrat që u ka dërguar prindërve ne rastin e festave, në Pashkë apo Këshndella.

 

Cilat janë ato informacione që krijojnë një urë lidhje mes tij dhe Shqipërisë?

Për të qenë i sinqertë, unë kam bërë shumë kërkime, po mes mijëra dokumenteve, letrave e gazetave, nuk kam gjetur asnjë rresht që aktori të pohojë në një farë mënyre se është shqiptar. Ka pasur vetëm një rast që krijohet një qasje mes tij e shqiptarëve. Ka qenë mbrëmja e 29 qershorit të vitit 1920,  ku studentë shqiptarë, shumica prej të cilëve shkodranë kishin shkuar për të parë shfaqjen e tij dhe e ftojnë për të pirë diçka.

Ai i shoqëron në një lokal përballë teatrit dhe mandej mbrëmja kthehet në një festë kombëtare, ku nisin të këndojnë këngë patriotike shqiptare. Një festë që do ta emocionojë artistin e do ta bëjë të pohojë  se: “Jam shumë i lumtur që jam në mesin e bashkatdhetarëve të mi!”.

 

Informacionet rreth viteve që ai kaloi në Shqipëri, shpesh janë kontradiktore. Ç’keni mundur të zbuloni më shumë rreth atyre viteve të fëmijërisë që Moisiu kaloi në Kavajë?

Aleksandër Moisiu lindi në Trieste dhe në moshën 4-vjeçare erdhi në Kavajë. Ka jetuar atje deri në moshën 12-vjeçare e mandej e ëma e ka marrë përsëri në Itali. Gjatë periudhës që Moisu jetoi në Tiranë, u bë si të thuash shumë i prapë, grindej shumë. E i ati detyrohej të paguante dëmet që ai shkaktonte.

Për shembull në rrugë kishte fshatarë që shisnin vezë, ai shkonte e ua thyente. Episode të tilla u bënë të shpeshta, përpos kësaj ngeli 3-4 herë në klasë. Në kushte të tilla e ëma u detyrua ta merrte në Trieste për t’i dhënë një kulturë perëndimore, pasi edhe shkolla këtu ishte në turqisht.

Në moshën 12-vjeçare shkoi në Trieste, ku qëndroi për 5 vjet. Mandej kur ishte 17 veç, e ëma do ta dërgonte në Graz të Austrisë për të studiuar, ku kishte një kushëri të sajin prift. Ai e mori që Moisiu të kryente gjimnazin, mirëpo pas dy vitesh prifti u transferua. Çka bëri që edhe aktori më vonë, kur ishte vetëm 19 vjeç të shkonte në Vjenë.

 

Nga 44 fotot e ekspozuara në COD cilat do të mund të veçonit?

E kam të vështirë të veçoj ndonjërën prej tyre, pasi janë të gjitha shumë të dashura për mua. Madje pikërisht prej kësaj, përzgjedhja e tyre është bërë me ambasadorin shqiptar në Vjenë. Imazhet kanë qenë rreth 2000 dhe unë tek secila prej tyre gjej një moment jetësor e artistik të tijin tepër të çmuar. Pikërisht pasi i konsideroj të një rëndësie të tillë, doja që ti ndaja me bashkatdhetarët e mi.

Mua personalisht më emocionojnë më shumë fotot e ndarjes nga jetë të Mosiut, diagrama e temperaturave të çasteve të fundit, që në një farë mënyre paraqet vuajtjen e tij shpirtërore. Mandej janë fjalët e fundit, pasi ai përpara se të largohej fizikisht nga kjo botë, donte që të përshëndeste të gjithë fansat e tij dhe u ka shkruar atyre: “Shumë të dashtunit e mi…”.

Tepër me rëndësi janë dokumentacionet që tregojnë se gjatë kohës që ai akuzohej se ishte çifut ka marrë nënshtetësinë shqiptare për vete dhe të shoqen, gjithashtu edhe një dokument nga Metropolia Ortodokse e Durrësit për të treguar se ishte ortodoks. (“Më 7 nëntor 1933 u paraqit në konsullatën shqiptare në Vjenë, artisti i famshëm Aleksandër Moisiu, i cili bëri kërkesën për marrjen e shtetësisë shqiptare për vete dhe bashkëshorten Johanna Terwin Moisiu. Ky refuzoi gjithë shtetësitë e tjera dhe dëshiron të pranohet vetëm si shtetas shqiptar, siç ka qenë dhe familja e tij e dalun me kohë prej Kavaje”).

Gjatë kësaj kohe duhet të themi se Hitleri e ka luftuar shumë, por ajo që e shpëtoi nga fataliteti ka qenë mbrojtja e Duçes (Benito Mussolini). Ka qenë një periudhë shumë e vështirë ajo për aktorin shqiptar, të cilën e ka vuajtur shumë.

 

Cilët janë sot pasardhësit e Aleksandër Moisiut?

Ka pasardhës të tij. Unë mund të përmend aktorin e njohur vjenez Gedeon Burkhard, i cili ka luajtur në serialin “Komisari Rex”. Gedeon është djali i mbesës së tij. Madje ne kemi korrespodencë me të, edhe  ftuam edhe në Vjenë për ekspozitën që hapën, por për shkak të agjendës ai nuk mundi të vijë. Ai e ka vizituar disa herë Shqipërinë madje ruan lidhjet edhe me ish-presidentin Moisiu.

 

Zoti Logoreci, ndër hapësirat ekspozuese që ofrohen. Përse zgjodhët që Aleksandër Moisu të ishte në Kryeministri, para së cilës çdo javë protestohet?

Të jem i sinqertë jam impresionuar kur kam parë aty gjithë ata njerëz në uniformë, si të ishte gjendje lufte.

Siç e ceka mësipër kjo është një ekspozitë, e cila fillimisht është shfaqur në Vjenë, pasi siç dihet pa mbështetje është e vështirë të përballosh sallat. Atje ka ndenjur tre muaj e hapur. Pati shumë vizitorë, austriakë e shqiptarë. Mirëpo unë që në nisje të këtij projekti kam dashur ta paraqes publikut në të gjitha trevat shqiptare, edhe atje ku ai nuk është aq i njohur.

U kam shkruar disa instancave për këtë, përfshirë edhe COD, por nuk kam marrë përgjigje prej tyre. Kjo është një punë e realizuar falë interesit të ish-presidentit Alfred Moisiu dhe fondacionit të tij, i cili më ka kontaktuar 3 vite më parë sapo ishte vënë në dijeni të materialeve që posedoja.

 

Keni pasur mbështetje nga ana e instancave shtetërore?

Absolutisht jo! Unë madje i kam falur Arkivës së Shtetit qindra dokumente dhe nga ana e tyre nuk kam marrë asnjë falënderim. Ndërkohë që çdo gjë e kam bërë me shpenzime të miat.  Përpos kësaj, madje dua të përmend këtu faktin se para 4 viteve i kam dhuruar Arkivit një publikim me shumë vlerë të një prej shtëpive diskografike më të famshme në Austri.

Bëhet fjalë për një album të cilin unë e pata blerë në treg të zi për ta pasur për vete, por duke u ndërgjegjësuar për vlerat që ka mendova ta ndaj me bashkatdhetarët e mi. Ka të incizuar thirrjen e perandor Napolonit, ku u flet ushtarëve të qëndrojnë në luftë. Mandej për nga vlera i dyti regjistrim është i Moisiut.

Unë i dhurova kur drejtoreshë ishte zonja Nevila Nika, e ajo i përket Arkivit, por dëshiroja që me këtë rast të ishte bashkë me fotot. Ua shpreha kërkesën time stafit të Arkivit, por më sollën një tjetër disk. Kjo është një neglizhencë që mund të ishte shmangur. Pasi janë dokumentacione me vlerë.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re