Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar vendim të paligjshëm, atë të ministrisë së drejtësisë për të izoluar në regjimin 41 Bis Emiljano Shullazin.

Kushtetuesja ka pranuar në këtë mënyrë kërkesën e avokatëve të Shullazit, të cilët e konsideronin të paligjshëm izolimin e Shullazit në regjimin 41 bis, fillimisht me pretendimin se në momentin e dhënies së vendimit, ndaj klientit të tyre nuk kishte një vendim të formës së prerë.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese, thuhet se Shullazit iu mohua e drejta për të pasur një proces të drejtë gjyqësor.

Kushtetuesja ka gjetur parregullsi ligjore, qoftë në procesin gjyqësor në shkallën e parë, qoftë në atë të Apelit të posaçëm.

Regjimi 41 Bis u krijua si një regjim i posaçëm për të dënuarit që kanë kryer vepra të rënda penale, dhe ka indicie që të vijojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm nga ambientet e burgut.

Vendimi i Kushtetueses  është i formës së prerë, dhe detyron organet që të nxjerrin Shullazin nga regjimi i posaçëm, në një kohë që i dënuari ndodhet sot në spital, ku do ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Shullazi:

  1. Për legjitimimin e kërkuesit

Çështja e legjitimimit (locusstandi) është vlerësuar nga Gjykata si një ndër aspektet kryesore që lidhet me inicimin e një procesi kushtetues. Sipas neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i” dhe pika 2, të Kushtetutës, si dhe nenit 71 të ligjit nr. 8577/2000, çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, mund të vërë në lëvizje Gjykatën për gjykimin përfundimtar të ankesave kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor, që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë.

Ankimi kushtetues individual, në çdo rast, duhet të plotësojë kriteret e nenit 71/a të ligjit nr. 8577/2000, që lidhen me shterimin e mjeteve juridike, afatin e paraqitjes së kërkesës, pasojat negative të pësuara në mënyrë të drejtpërdrejtë e reale, mundësinë për rivendosjen e së drejtës së shkelur, si dhe rregullimet e veçanta ligjore të shqyrtimit paraprak të kërkesës.

Kriteret për pranueshmërinë e ankimit kushtetues individual janë të natyrës kumulative, pra duhet të plotësohen njëkohësisht. Në këtë vështrim, mjafton mosplotësimi i njërit prej tyre që kërkuesi të mos legjitimohet për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues.

Gjykata vëren se kërkuesi, si individ, legjitimohet rationepersonae, në kuptim të neneve 131, pika 1, shkronja “f”, 134, pika 1, shkronja “i” dhe 134, pika 2, të Kushtetutës, pasi ka qenë palë në procesin gjyqësor, për të cilin ka ngritur pretendime në këtë Gjykatë dhe ka interes të drejtpërdrejtë në çështjen e parashtruar.

Një tjetër kriter paraprak, që duhet të përmbushet nga individi përpara se t’i drejtohet kësaj Gjykate, lidhet me shterimin e mjeteve juridike efektive. Sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, që individi pretendon se i janë cenuar nga akti i pushtetit publik.

Qëllimi i këtij neni të Kushtetutës është, ndër të tjera, të mundësojë, brenda sistemit gjyqësor të zakonshëm, parandalimin ose riparimin e shkeljeve të pretenduara, përpara se të tilla pretendime të paraqiten në Gjykatën Kushtetuese (shih vendimet nr. 23, datë 29.04.2021; nr. 54, datë 24.07.2017 të Gjykatës Kushtetuese).

Duke qenë se mbrojtja kushtetuese ka një funksion subsidiar, ajo mund të kërkohet vetëm për një vendim përfundimtar, të çfarëdolloj forme, që përmbyll procesin gjyqësor. Cenimi i së drejtës për një proces të rregullt ligjor, e garantuar nga neni 42 i Kushtetutës, mund të pretendohet në këtë Gjykatë vetëm pasi të shterohen të gjitha mundësitë e ofruara nga sistemi i apelimeve dhe kjo vlen edhe në rastet kur procedurat gjyqësore paraprake çojnë në një rëndim të mëtejshëm ose në tejzgjatjen e cenimit të kësaj të drejte (shih vendimet nr. 14, datë 11.03.2021; nr. 29, datë 30.03.2017 të Gjykatës Kushtetuese).

Në jurisprudencën e saj, Gjykata ka mbajtur qëndrimin se, përjashtimisht, kontrollit të saj i nënshtrohen edhe ato vendime të ndërmjetme, karakteri i të cilave do të konsiderohet përfundimtar për qëllimet e nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës dhe nenit 71/a, pika 1, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577/2000.Ky përjashtim zbatohet vetëm kur plotësohen së bashku tri kritere:

  1. i) vendimi i ndërmjetëm duhet që të ketë vendosur mbi të drejtën e individit të pretenduar të cenuar, të jetë bërë objekt i ankimit të veçantë dhe të jetë shqyrtuar edhe nga gjykatat më të larta, të cilat të jenë shprehur, qoftë edhe tërthorazi, për të drejtën që pretendohet të jetë cenuar;
  2. ii) ky lloj vendimi i ndërmjetëm duhet të ketë një masë autonomie nga procesi i themelit, në kuptimin që pavarësisht se shqyrtimi gjyqësor i mosmarrëveshjes së themelit vazhdon, vendimi përfundimtar që do të jepet në themel nuk është i aftë të ndryshojë vendimin e ndërmjetëm dhe as të riparojë në masën e duhur efektet që ai ka sjellë;

iii) shkelja e pretenduar duhet të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të ndërmjetëm të kundërshtuar, pra kërkuesi duhet të provojë se është viktimë e shkeljes së të drejtës kushtetuese (shih vendimet nr. 14, datë 11.03.2021; nr. 40, datë 18.07.2012; nr. 28, datë 23.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese).

Në rastin konkret, Gjykata vëren se vendimet e kundërshtuara i plotësojnë kriteret e mësipërme të vendosura nga jurisprudenca kushtetuese. Në ankimin kushtetues individual kërkuesi ka ngritur pretendime për masën e regjimit të posaçëm të vendosur ndaj tij përmes urdhrit nr. 253/2020, të cilën ai e ka kundërshtuar gjyqësisht deri në Gjykatën e Lartë.

Në vendimet e tyre gjykatat janë shprehur për pretendimet e kërkuesit dhe vendimmarrja e këtyre gjykatave, përfshirë edhe ajo e Gjykatës së Lartë, janë objekt i ankimit të tij kushtetues. Me anë të këtyre vendimeve kërkuesit i është kufizuar liria në një regjim të posaçëm, përmes një procesi të veçantë gjyqësor, që ai e kundërshton si të parregullt në aspektet e së drejtës së mbrojtjes, të aksesit, si dhe të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit.

Po në këtë drejtim, Gjykata vëren se pavarësisht se shqyrtimi gjyqësor i çështjes së fajësisësë kërkuesit vazhdon ende, vendimi përfundimtar që do të jepet për themelin e saj nuk është i tillë që të mund të ndryshojë vendimet e kundërshtuara përvendosjen e tijnë regjimtë posaçëm në burg të sigurisë së lartë. Për rrjedhojë, procesi gjyqësor i zhvilluar në këtë drejtim është autonom nga procesi i shqyrtimit të çështjes së themelit për akuzat penale në ngarkim të kërkuesit.

Vendosja në këtë regjim të posaçëm, i ndryshëm nga regjimet e zakonshme të sigurisë për vuajtjen e dënimeve penale, ka çuar në kufizim të mëtejshëm të të drejtave që kërkuesi kishte si i paraburgosur në IEVP-në “JordanMisja”, çka bën që procesi gjyqësor në lidhje me këto të drejta të qëndrojë i pavarur nga të drejtat e tij përgjatë procesit penal të themelit, në lidhje me akuzën penale në ngarkim të tij.

Në linjën e këtij arsyetimi, Gjykata vlerëson të theksojë edhe qëndrimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), e cila i ka konsideruar vendimet e dhëna nga gjykatat kombëtare ndaj një urdhri të ministrit të Drejtësisë për vendosjen e një të pandehuri ose të burgosuri në regjim të posaçëm të burgut të sigurisë së lartë si procese të veçanta nga procesi penal i themelit i zhvilluar ndaj tij (shih vendimet e GJEDNJ-së Barbaro k. Italisë, datë 16.02.2010; Enea k. Italisë, datë 17.09.2009; Asciutto k. Italisë, datë 27.11.2007; Ganci k. Italisë, datë 30.10.2003). Gjykata konstaton, gjithashtu, se shkelja e pretenduar nga kërkuesi është pasojë e drejtpërdrejtë e vendimeve të kundërshtuara.

Për sa më lart, Gjykata vëren se për vendimet gjyqësore, objekt kërkese,kërkuesi i ka shteruar mjetet efektive në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të tij kushtetuese, prandaj ato janë të një natyre të tillë që i nënshtrohen kontrollit kushtetues.

Lidhur me legjitimiminrationetemporis, nga materialet bashkëlidhur kërkesës rezulton se vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili ka mbyllur procesin gjyqësor në gjykatat e zakonshme, mban datën 25.05.2021, ndërsa kërkesa është paraqitur në Gjykatë në datën 02.09.2021. Në këto kushte, Gjykata vlerëson se kërkesa është paraqitur brenda afatit 4-mujor, të përcaktuar nga neni 71/a, pika 1, shkronja “b”, i ligjit nr. 8577/2000.

Në lidhje me legjitimimin rationemateriaetë kërkuesit, sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, si dhe nenit 71/a të ligjit nr. 8577/2000, Gjykata evidenton se kërkuesi, në objektin e ankimit kushtetues, ka pretenduar shkeljen e së drejtës për proces të rregullt ligjor, në aspektin e së drejtës së mbrojtjes, aksesit, barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit, të cilat kanë natyrë kushtetuese, për rrjedhojë Gjykatavlerëson se në vështrim të neneve 42 dhe 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, pretendimet e tij përfshihen në juridiksionin kushtetues.

Gjykata vëren se sipas GJEDNJ-së, masat përmes të cilave një i paraburgosur ose i burgosur vendoset në regjim të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burg të sigurisë së lartë, në vetvete, nuk kanë karakter ndëshkues, por parandalues (shih vendimin e GJEDNJ-së Provenzano k. Italisë, datë 25.10.2018, § 150).

Për rrjedhojë, kufizimet që i bëhen të drejtave të një të burgosuri si rezultat i vendosjes së tij në regjim të posaçëm burgimi, bien brenda sferës së të drejtave personale dhe, si të tilla, përfshihen brenda konceptit të “të drejtave dhe detyrimeve civile”, të parashikuar në nenin 6/1 të KEDNJ-së që garanton të drejtën e procesit të rregullt(shih vendimet e GJEDNJ-së Enea k. Italisë, datë 17.09.2009, §§ 97-98; Papalia k. Italisë, datë 04.12.2007, § 27; Musumeci k. Italisë, datë 11.01.2005, § 36; Ganci k. Italisë, datë 30.12.2003, §§ 20-26).

Sipas GJEDNJ-së, garancitë e procesit të rregullt ligjor, të tilla si e drejta për akses, për t’u dëgjuar, për barazi të armëve dhe kontradiktoritet, zbatohen edhe në këto lloj procedurash (shih vendimet e GJEDNJ-së Musumeci k. Italisë, datë 11.01.2005, §§ 48-49; Ganci k. Italisë, datë 30.10.2003, §§ 20-26; Ëerner k. Austrisë, datë 24.11.1997, § 66).

Gjykata thekson se, në kushtet kur objekt i gjykimit kushtetues janë vendimet gjyqësore  që lidhen me urdhrin e parë nr. 253/2020,  në situatën kur regjimi i posaçëm i burgut të sigurisë së lartë ndikon në të drejtat dhe liritë themelore të individit, kërkuesi legjitimohet rationemateriae për pretendimet e tij kushtetuese për cenimin e së drejtës së mbrojtjes, aksesit, barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit.

Gjykata konstaton, gjithashtu, se kërkuesi,në thelb,kundërshton urdhrin nr. 253/2020, duke paraqitur në përmbajtje të kërkesës edhe pretendime për urdhrin pasues nr. 474/2021, që ka zgjatur më tej me 1 vit vënien e tij në regjim të posaçëm në burg të sigurisë së lartë. Nga ana tjetër, në parashtrimet e saj para Gjykatës, Prokuroria e Posaçme ka pretenduar se efektet e urdhrit nr. 253/2020 kanë zgjatur vetëm 1 vit dhe kanë pushuar në datën 28.07.2021. Në këto kushte, ky akt nuk mund të sjellë më pasoja, për shkak të mbarimit të afatit të përcaktuar ligjërisht.

Në jurisprudencë konstante, Gjykata ka përcaktuar disa standarde kushtetuese, të cilat janë të lidhura nga pikëpamja organike dhe funksionale me njëra-tjetrën, në mënyrë të tillë që cenimi i njërit standard ndikon në mënyrë të pashmangshme në cenimin e të tjerave (shih vendimin nr. 8, datë 23.02.2021 të Gjykatës Kushtetuese). Konkretisht, e drejta e kërkuesit për akses dhe për t’u njohur me provat, mbi bazën e të cilave ai është vendosur në regjim të posaçëm në burg të sigurisë së lartë, është e lidhur ngushtësisht me ushtrimin e të drejtave të tij të mbrojtjes, barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit në gjykim.

Gjykata vëren se, në thelb, kërkuesi ka pretenduar se gjykatat i kanë cenuar atij të drejtën për proces të rregullt ligjor, duke mos i dhënë mundësi të mbrohet efektivisht dhe të ushtrojë të drejtën e kontradiktoritetit në gjykim. Për rrjedhojë, në zbatim të parimit iuranovitcuria, Gjykata vlerëson të analizojë pretendimet e ngritura nga kërkuesi nëkëndvështrim të së drejtës për kontradiktoritet, si pjesë thelbësore e procesit të rregullt ligjor, duke qenë se cenimi i saj ndikon edhe në elemente të tjera të procesit të rregullt, të tilla si e drejta e mbrojtjes, aksesi dhe baraziae armëve.

  1. Për themelin e pretendimeve

B.1. Për cenimin e parimit të kontradiktoritetit

Kërkuesi ka kundërshtuar në Gjykatë vendimet gjyqësore, të cilat kanë shqyrtuar ankimin e tij ndaj urdhrit nr. 253/2020, përmes të cilit ai është vendosur në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burg të sigurisë së lartë. Sipas tij, vendosja në këtë regjim është bazuar në katër shkresa të institucioneve të ndryshme shtetërore të klasifikuara “sekret” dhe “i kufizuar”, sipas ligjit nr. 8457/1999, me përmbajtjen e të cilave nuk është njohur as ai dhe as gjykatat.

Ndërkohë që fillimisht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vlerësuar të nevojshme tërheqjen nga Ministria e Drejtësisë të praktikës për nxjerrjen e urdhrit nr. 253/2020, me vendim të ndërmjetëm ka revokuar vendimin e saj për kërkimin e këtij dokumentacioni, me arsyetimin se aktet ishin të klasifikuara “sekret” dhe se ajo nuk ishte e certifikuar për t’u njohur me to.

Po sipas kërkuesit, legjislacioni në fuqi njeh të drejtën e gjykatës për të pasur akses në informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror” dhedetyrimi për ruajtjen e sekretit nuk e pengonte atë të vlerësonte ligjshmërinë e akteve, të cilat qenë në themel të vendimmarrjes së ministrit të Drejtësisë për vendosjen e kërkuesit në regjim të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burg.

Mosshqyrtimidhe mosvlerësimii këtyre akteve nga gjykatat i ka cenuar atij të drejtën e aksesit e të mbrojtjes, në drejtim të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit. Po kështu, Gjykata e Lartë, ndërsa pranon të drejtën e palëve në gjykim për t’u njohur me aktet shkresore, provat dhe faktet që administrohen në proces, në mënyrë paradoksale ka vendosur për mospranimin e rekursit.

Subjekti i interesuar, Prokuroria e Posaçme, ka pretenduar se si organ të cilit i janë adresuar aktet që përbëjnë sekret, nuk ka qenë e autorizuar nga institucionet që kanë prodhuar këto akte për të bërë ekspozim të tyre për gjykatën ose kërkuesin.

Kërkuesi dhe gjykata janë njohur mjaftueshmërisht me thelbin e përmbajtjes së informacionit të klasifikuar, për aq sa është e nevojshme për debatin gjyqësor dhe vendimmarrjen. Njohja me përmbajtjen e këtij informacioni u ka dhënë mundësi palëve, përfshirë dhe kërkuesin, të debatojnë në lidhje me të, si dhe gjykatës që të vlerësojë dhe të krijojë bindjen e saj për këto akte.

Kërkesa e ish-drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe konfirmimi i saj nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, kanë qenë të mjaftueshme për gjykatën për të konkluduar për çështjen dhe për të garantuar parimin e kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve për palët në gjykim. Në këto kushte, njohja me aktet ka qenë efektive dhe parimi i barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit është garantuar. Kjo mënyrë procedimi nuk ka cenuar thelbin e parimit të procesit të rregullt ligjor.

Neni 42, pika 1,i Kushtetutës parashikon se liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Kjo dispozitë sanksionon të drejtën për gjykim, ku e drejta e aksesit, që është e drejta për të vënë në lëvizje gjykatën, përbën një aspekt të saj. E drejta e aksesit u garanton subjekteve të cenuara të drejtën t’i drejtohen një gjykate, e cila do t’i dëgjojë pretendimet e tyre dhe do të shpallë një vendim pas një gjykimi të drejtë dhe publik.

Kjo e drejtë e individit nuk përfshin vetëm të drejtën për të vënë në lëvizje gjykatën, por edhe të drejtën për të pasur prej saj një zgjidhje përfundimtare për mosmarrëveshjen objekt gjykimi, pasi aksesi në gjykatë duhet të jetë substancial dhe jo thjesht formal. Në rast se mohohet kjo e drejtë procesi konsiderohet i parregullt, sepse aksesi në gjykatë është, para së gjithash, një kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e të drejtave të tjera të individit(shih vendimet nr. 22, datë 29.04.2021; nr. 3, datë 23.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese).

Sipas Gjykatës, parimi i barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit nënkupton se çdokush që është palë në proces duhet të ketë mundësi të barabarta që të paraqesë çështjen e tij dhe se asnjë palë nuk duhet të gëzojë avantazh të konsiderueshëm ndaj palës tjetër, por duhet të përcaktohet një ekuilibër i drejtë mes palëve. Nëse nuk do të ekzistonte barazia e armëve në gjykim, atëherë argumentet e njërës palë do të mbizotëronin mbi argumentet e palës tjetër, për rrjedhojë e drejta për të marrë pjesë në gjykim do të zhvishej nga funksioni i saj kushtetues për të garantuar një proces të rregullt ligjor.

Bazuar në këto parime, gjykatës i dalin një sërë detyrash, mes të cilave rëndësi të veçantë merr krijimi i mundësive të barabarta për pjesëmarrjen e palëve ose përfaqësuesve të tyre në proces, si dhe mundësia e deklarimit të tyre për faktet, provat dhe vlerësimet ligjore që janë të lidhura ngushtë me çështjen që shqyrtohet në gjykatë (shih vendimet nr. 22, datë 29.04.2021; nr. 19, datë 01.04.2021të Gjykatës Kushtetuese).

Gjykata ka theksuar, gjithashtu, se marrja e provave, paraqitja dhe vlerësimi i tyre, është në juridiksion të gjykimit të zakonshëm dhe jo atij kushtetues. Është vetë gjykata që vlerëson nëse provat duhet të merren dhe mënyra e vlerësimit dhe konkluzionet lidhur me to janë po ashtu në kompetencë të saj (shih vendimin nr. 83, datë 30.12.2016të Gjykatës Kushtetuese). Gjykata mund dhe duhet të investohet kur ndaj një procesi gjyqësor ka pretendime për rrugën e mënyrën e marrjes dhe fiksimit të provave, por jo të vlerësimit të tyre (shih vendimin nr. 19, datë 01.04.2021 të Gjykatës Kushtetuese).

Referuar akteve të dosjes gjyqësore të administruar për qëllime të shqyrtimit kushtetues të çështjes, Gjykata vëren se përmes shkresës nr. 166 prot., datë 01.11.2019, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda i është drejtuar ministrit të Drejtësisë me kërkesë për vendosjen e kërkuesit në regjim të posaçëm në burg të sigurisë së lartë për një afat 1-vjeçar, pasi ishte informuar nga agjencitë ligjzbatuesese gjatë kohës kur ndodhej në ambientet e IEVP-së “JordanMisja”,ai vazhdonte të ushtronte veprimtari kriminale që konsistonin në dyshime për kanosje të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda me qëllim për të ndikuar në vendimmarrjen e tyre, dyshime për realizimin e takimeve me të paraburgosur të tjerë pranë IEVP-së,si dhe transmetim urdhrash jashtë saj për kryerje veprimtarie kriminale të paligjshme.

Po kështu, kjo prokurori ka informuar ministrin e Drejtësisë se edhe ndaj drejtuesve të IEVP-së nr. 313, Tiranë ishte bërë kallëzim penal për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i KP-së, pasi i kishin mundësuar kërkuesit kushte lëvizjeje dhe takime në kundërshtim me ligjin. Në këto kushte, vendosja e tij në regjimin e posaçëm të burgut të sigurisë së lartë do të shërbente për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë si në ambientet e vuajtjes së dënimit, ashtu edhe jashtë.

Me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, kërkesa e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e datës 01.11.2019, është rikonfirmuaredheprej saj, përmes shkresës nr. 27 prot., datë 10.03.2020. Në vijim, bazuar në shkresat eDrejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministrisë së Brendshme, si dhe në të dhëna e informacione të vëna në dispozicion nga agjenci të tjera ligjzbatuese, ministri i Drejtësisë ka nxjerrë urdhrin nr. 253/2020 për vendosjen e kërkuesit në regjim të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burg të sigurisë së lartë.

Gjykata vëren se kërkuesi ka paraqitur ankim ndaj urdhrit nr. 253/2020 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, e cila në vendimin e saj nr. 2, datë 12.01.2021 ka arsyetuar, ndër të tjera: “Në gjykim të kësaj natyre, çështja që shtrohet për zgjidhje lidhet me ligjshmërinë e urdhrit të Ministrit të Drejtësisë, tek bazueshmëria e këtij urdhri në ligj, nëse është respektuar forma dhe procedura e parashikuar në ligj, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 13/1 të ligjit nr. 8328, datë 16.04.1998, të ndryshuar, dhe jo tek vlerësimi i këtyre provave në vetvete.” (shih paragrafin e dytë, faqja 7,të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë), arsyetim i cili është pasqyruar edhe në vendimin nr. 00-2021-360, datë 25.05.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për çështjen(shih paragrafin e dytë, faqja3,të vendimit të Gjykatës së Lartë).

Gjykata thekson se sipas pikës 6 të nenit 13/1 të ligjit nr. 8328/1998, e drejta e ankimit ndaj urdhrit për vendosjen në regjim të posaçëm nuk kufizohet vetëm për shkaqe procedurale, që do të thotë se përmes ankimit kërkuesit i jepet e drejta të ngrejë jo vetëm shkaqe procedurale, por edhe substanciale, që lidhen me thelbin e masës së vendosjes në regjim të posaçëm. Në këtë drejtim, Gjykata vëren se, në zbatim të parashikimit të nenit 42 të Kushtetutës, edhe nenet 27 dhe 28 të saj parashikojnë garanci të shtuara procedurale dhe substanciale, që i referohen kufizimeve të të drejtave themelore për personat të cilët ndodhen në kushtet e kufizimit të lirisë së tyre në ambientet e paraburgimit ose të burgimit.

Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se urdhri iministrit të Drejtësisë duhet vlerësuar jo vetëm nga ana formalo-procedurale, por në veçanti nga ana substanciale, pasi një urdhër i tillëkufizon në shkallë të lartë të drejtat dhe liritë e kësaj kategorie personash. Në këtë pikëpamje, në aspektin kushtetues merr rëndësi përcaktimi i shkaqeve dhe i të dhënave mbi të cilat është bazuar vendosja e kërkuesit në këtë regjim.

Edhe pse në pretendimet e tij kërkuesi e ka cilësuar urdhrin nr. 253/2020 si një urdhër me natyrë administrativo-penale, Gjykata konstaton se ai përbën një akt administrativ dhe se kompetenca për nxjerrjen e tij i është njohur ministrit të Drejtësisë me ligj, e konkretisht me ligjin nr. 8328/1998.Në këtë kuptim, Gjykata do të analizojë procesin me objekt kundërshtimin e këtij urdhri në drejtim të cenimit të së drejtës së kërkuesit për njohjenme aktet mbi të cilat është bazuar vendosja e tij në këtë regjim me qëllim të garantimit të parimit të kontradiktoritetit në gjykim, i cili është i zbatueshëm edhe në rastin e shqyrtimit nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm të urdhrave të kësaj natyre.

Gjykata thekson se në rastet e vendosjes së të burgosurit në regjim të posaçëm të sigurisë së lartë, juridiksioni i zakonshëm duhet të vlerësojë thelbin e çështjes, e konkretisht nëse urdhri i ministrit të Drejtësisë është në përputhje me standardin e procesit të rregullt ligjor, sipas nenit 6/1 të KEDNJ-së(shih vendimet e GJEDNJ-së Gancik. Italisë, datë 30.10.2003, § 31; Asciuttok. Italisë, datë 27.11.2007, § 38). Pavarësisht se e drejta e një pale në gjykim për akses në dokumente nuk është absolute, çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të jetë i tillë që nuk cenon thelbin e së drejtës për proces të rregullt ligjor, të garantuar në nenin 42 të Kushtetutës dhe nenin 6/1 të KEDNJ-së.

Në këtë drejtim, gjykatat duhet të kenë akses të pakufizuar në të gjithë dokumentacionin e klasifikuar mbi të cilin është bazuar vendimmarrja e autoritetit shtetëror. Ato duhet të kryejnë një shqyrtim të detajuar të arsyeve të autoritetit shtetëror për mosbërjen me dije të dokumenteve të klasifikuara, t’i vlerësojnë ato, si dhe të urdhërojnë bërjen të ditur të atyre dokumenteve që vlerësojnë se nuk justifikojnë klasifikimin.

Për më tepër, gjykatatjanë të pajisura me pushtet për të vlerësuar thelbin e vendimmarrjes së autoritetit shtetëror,të heqin kufizimin për pasjen e certifikatës së sigurisë, si dhe të shfuqizojnë, kur është rasti, një vendim arbitrar të autoritetit. Ato duhet të ushtrojnë pushtetin e tyre duke treguar kujdes në shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre, si për sa i përket konfidencialitetit të dokumenteve të klasifikuara, ashtu edhe të arsyeve të masës së dhënë ndaj kërkuesit, duke arsyetuar vendimmarrjen e tyre në varësi të rastit konkret(shih vendimin e GJEDNJ-së Regner k. Republikës Çeke,datë 19.09.2017, §§ 153, 154).

Sipas GJEDNJ-së, është thelbësore që shtetet të kenë një hapësirë vlerësimi në lidhje me mjetet e përdorura për garantimin e sigurisë dhe rendit në një kontekst të vështirë siç është burgu. Megjithatë, “drejtësia nuk përfundon në dyert e burgut” dhe të burgosurve nuk duhet t’u mohohen garancitë e nenit 6 të KEDNJ-së. Çdo kufizim i këtyre të drejtave duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor […] me qëllim që të arrihet një ekuilibër i drejtë mes detyrimeve me të cilat përballet shteti në kontekstin e burgjeve, nga njëra anë, dhe mbrojtjes së të drejtave të të burgosurve, nga ana tjetër (shih vendimin e GJEDNJ-së Eneak. Italisë, datë 17.09.2009, §§105-106).

GJEDNJ-ja ka theksuar, gjithashtu, se autoritetet shtetërore nuk mund t’i shmangen kontrollit efektiv të akteve të tyre nga gjykatat, duke pretenduar se bëhet fjalë për çështje të sigurisë kombëtare ose terrorizmit, pasi ekzistojnë teknika që mund të përdoren, të cilat marrin parasysh shqetësimet e tyre të ligjshme për natyrën dhe burimet e informacionit të inteligjencës, duke garantuar njëkohësisht edhe të drejtat procedurale të individit(shih vendimet e GJEDNJ-së Dağtekindhe të tjerëk. Turqisë, datë 13.12.2007, §§ 34-35; Chahalk. Mbretërisë së Bashkuar, datë 15.11.1996, § 131).

Duke iu rikthyer rastit konkret, Gjykata vëren se nga materialet e dosjes gjyqësorerezulton se gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, mbrojtësit e kërkuesit kanë kërkuar të njihen me përmbajtjen e shkresave të klasifikuara “sekret” dhe “i kufizuar”, të cituara në urdhrin nr. 253/2020 të ministrit të Drejtësisë (shih faqet 108-110 të dosjes gjyqësore).

Në referim të procesverbaleve të seancave gjyqësore të zhvilluara në këtë gjykatë,rezulton se në seancën e datës 06.10.2020 gjyqtarja e çështjes ka çmuar se ishte e nevojshme të tërhiqej dosja mbi të cilën është mbështetur urdhri nr. 253/2020 i ministrit të Drejtësisë për vënien e kërkuesit në regjimin e posaçëm të sigurisë në burg(shih procesverbaline seancës së datës 06.10.2020, faqja 11)dhe i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë për vënien në dispozicion të kësaj praktike, duke i sjellë në vëmendje respektimin e kufizimeve të vendosura në ligjin nr. 8457/1999 në përcjelljen e saj.

Kjo praktikë është vënë në dispozicion të gjykatës me shkresën nr. 443/4 prot., datë 27.10.2020 të Ministrisë së Drejtësisë, gjithsej 16 akte, të cilat në përshkrimin e statusit të tyre përbënin “sekret” sipas ligjit nr. 8457/1999.Pas kërkesës së mbrojtësittë kërkuesit që gjyqtarja të konfirmonte nëse ishte e pajisur me certifikatën e sigurisë për vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë dhe, nëse jo, t’i drejtohej Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për t’u pajisur me këtë certifikatë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur t’ia kthejë të gjitha aktet e përcjella për çështjen Ministrisësë Drejtësisë, me arsyetimin se nuk kishte akses në këto dokumente bazuar në nenin 21 të ligjit nr. 8457/1999, pasi ato ishin të klasifikuara si “sekret shtetëror” (shih procesverbalin e seancës së datës 18.12.2020, faqet 5-6).

Gjykata vëren seligji nr. 8457/1999dhe vendimi nr. 188, datë 04.03.2015 i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullavepër sigurimin e personelit” parashikojnë kushtet, kriteret, rregullat, si dhe subjektet që mund të kenë akses në informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, ku përfshihen edhe institucionet shtetërore, të cilat gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare,njihen, prodhojnë, ruajnë, administrojnë, transportojnë dhe transmetojnë informacion të klasifikuar.

Nga sa më lart, Gjykata konstaton se,pavarësisht sebazuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë mund të kishte akses në informacionin e klasifikuar mbi të cilin është bazuar urdhri nr. 253/2020 i ministrit të Drejtësisë për vendosjen e kërkuesit në regjimin e posaçëm të burgut të sigurisë së lartë, ajo ka vlerësuar të kthejëmaterialet e dërguara nga Ministria e Drejtësisë, duke e vlerësuar urdhrineministrit vetëm nga ana formalo-procedurale dhe jo nga ajo substanciale.

Gjykata vëren sepavarësisht se në ankimin e tij drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parëkërkuesi kishte ngritur pretendime jo vetëm për procedurat e nxjerrjes së urdhrit nr. 253/2020, por edhe për thelbin, gjykatanuk ka vlerësuar nëse të dhënat e akteve, mbi të cilat është bazuar ky urdhër, janë marrë në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi, nëse kërkuesi duhej të ishte njohur me këto akte me qëllim të garantimit të së drejtës së tij për një proces të rregullt ligjor në drejtim të kontradiktoritetit, si dhe nëse në nxjerrjen e tyre organet shtetërorekanë vepruar në përputhje me ligjin dhe jo në mënyrë abuzive osearbitrare.

Për pasojë, mungesa e shqyrtimit të elementeve substanciale të urdhrit nr. 253/2020 nga Gjykatae Posaçme e Shkallës së Parë nuk u konstatua dhe nuk u rregullua nga Gjykata e Posaçme e Apelit ose Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kërkuesit për vlerësimin nga gjykatat të urdhrit të ministrit të Drejtësisë, me qëllim që, të paktën ato, të njiheshin me përmbajtjen e këtyre akteve.

Gjykata evidenton se në çështjen konkrete, pretendimet e kërkuesit për procesin e rregullt duhen vlerësuar edhe të analizuara në kontekstin e statusit të kërkuesit, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, pika 2, shkronja “c”, të Kushtetutës, përgjatë procesit penal ku po gjykohet fajësia e tij për kryerjen e një vepre penale dhe, për më tepër, duke marrë shkas edhe nga fakti se ndaj tij është zbatuar një regjim i posaçëm, edhe më rigoroz në drejtim të kufizimit të lirisë dhe të tëdrejtave të tjera.

Pa paragjykuar fajësinë për kryerjen e veprës penale ndaj tij, për shkak të së cilës kërkuesit i është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” dhe vërtetësinë e të dhënave, për shkak të të cilave ndaj tij është caktuar masa e regjimit të posaçëm, Gjykata thekson se sipas nenit 15 të Kushtetutës, organet e pushtetit publik kanë detyrimin të respektojnë të drejtën për proces të rregullt ligjor edhe ndaj personave, të cilëve sipas ligjit iu është kufizuar liria, pasi, ashtu si të drejtat e tjera, edhe kjo e drejtë është e pandashme, e patjetërsueshme dhe e padhunueshme.

Në këtë pikëpamje, duhet vënë re se në rastin e kësaj kategorie individësh, liria e të cilëve është kufizuar sipas ligjit, organet e pushtetit publik kanë detyrime shtesë për të dëshmuar se të drejtat kushtetuese të tyre respektohen dhe, pikërisht për këtë arsye, nenet 27 dhe 28 të Kushtetutës parashikojnë garanci specifike për këtë kategori individësh, ku ritheksohet në mënyrë të veçantë se çdo person, të cilit i është hequr liria, ka të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të tij.

Për sa më lart, Gjykata çmon se, në rastin konkret, kërkuesit i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor në drejtim të garantimit të parimit të kontradiktoritetit në gjykim.

Megjithatë, Gjykata vlerëson se pavarësisht konstatimit të shkeljes së të drejtave themelore në rastin e kërkuesit, dërgimi i çështjes për rishqyrtim në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm nuk do të sillte ndonjë rezultat konkret për të. Në këto kushte, duke pasur parasysh shuarjen e efekteve të urdhrit të kundërshtuar për shkak të mbarimit të afatit të tij, Gjykata vlerëson të shprehet vetëm për konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit të ankimit të kërkuesit ndaj urdhrit nr. 253/2020 të ministrit të Drejtësisë.

Si përfundim, Gjykata çmon se, kërkuesit i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor në drejtim të garantimit të parimit të kontradiktoritetit në gjykim.

PËR KËTO ARSYE,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

V E N D O S I :

Konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit të ankimit ndaj urdhrit nr. 253, datë 28.07.2020 të ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë për të paraburgosurin EmiljanoShullazi”, si pasojë e mosrespektimit të parimit të kontradiktoritetit.

Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Marrë më 22.02.2022

Shpallur më 17.03.2022

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re