Që prej mesnatës ka nisur heshtja zgjedhore në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 45.095 qytetarë do t’iu drejtohen qendrave të votimit të dielën për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy asamble komunale.

Pas bojkotit të partisë më të madhe, Listës Serbe dhe subjekteve të tjera, në garë kanë mbetur vetëm 10 kandidatë, nga të cilët vetëm një e pavarur serbe, e cila kandidon për komunën e Zveçanit.

Votimet do të mbahen në 19 qendra, numër ky i përgjysmuar krahasuar me atë të zgjedhjeve të kaluara. Për herë të parë, përveç shkollave në katër komunat do të votohet edhe në kontejnerë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në veri është përcjell me qëndrime të ndryshme në Prishtinë dhe në Beograd, ndërsa aleatët kanë bërë thirrje për një proces të lirë e të ndershëm.

Zgjedhjet në veri vijnë pas dorëheqjeve të nëntorit të vitit 2022 kur kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata së bashku me zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë së Kosovës, që i detyroi serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato të RKS.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re