Kanceri i gjirit më shpesh gjendet tek femrat, por edhe meshkujt mund të preken nga kanceri i gjirit. Rreth 1 në çdo 100 kancer gjiri të diagnostikuara në bote gjendet tek burrat, shkruan Shkolla e Shendetit.
Meshkujt duhet të jenë të vëmendshëm rreth formës, madhësisë dhe ndjeshmërisë që kanë në gjoksin e tyre. Kjo mund të ndihmojë në vërejtjen e menjëhershme të kancerit. Simptomat e kancerit të gjirit përfshijnë:
•Gungat në gjoks të cilat mund të jenë të rrumbullakëta në formë të topit apo të rrafshta
•Ndryshime në formën dhe madhësinë e gjirit
•Gropat në gji.
•Dhimbje në thithka, gji ose në pjesën përreth.
•Skuqje, fortësi, kruarje në thithkë ose areolë.
•Sekrecion nga thithkat.
Si diagnostikohet kanceri i gjirit te meshkujt?
Për shkak se meshkujt kanë më pak inde të gjoksit ata e kanë më të vështirë ta vërejnë kancerin në fazat e para. Kjo ndodh edhe për shkak se meshkujt nuk janë të vëmendshëm rreth simptomave të kancerit.
Nëse keni ndonjë nga simptomat e lartpërmendura kërkoni ndihmën e mjekut sa më shpejtë. Mjeku juaj do ju bëjë ekzaminim fizik dhe nëse ai mendon që ju mund të keni kancer në gji, ai do të bëjë edhe disa ekzaminime tjera të gjirit, si: mamografi, Eko, rezonancë magnetike (MRI) apo biopsi.
A mund të parandalohet kanceri i gjirit te meshkujt?
Faktorët që mund të rrisin rrezikun për tu prekur nga kanceri në gji te meshkujt përfshijnë:
Mosha – Rreziku për kancer rritet me moshën tuaj.
Historia gjenetike –  Historia familjare sa i përket kancerit të gjirit dhe pranishmëria e gjenit BRCA janë dy faktorët kryesorë të formimit të këtij kanceri.
Nivelet e larta të estrogjenit. Kjo mund të jetë si pasojë e medikamenteve apo trajtimeve hormonale. Meshkujt të cilët konsumojnë shumë alkool ose janë mbipeshë kanë nivele më të larta të estrogjenit.
Rrezatimi. Meshkujt të cilët janë të ekspozuar vazhdimisht në rreze të diellit janë në rrezik më të madh të zhvillimit të kancerit në gjoks.
Sëmundjen e gjinekomastisë. Kjo është sëmundje beninje e cila ndikon në rritjen e gjoksit te meshkujt.
Sindromën e Klinefelterit. Meshkujt të cilët vuajnë nga ky çrregullim gjenetik kanë dy ose më shumë kromozome X me një kromozom Y. Sindroma e Klinefelterit ndodh që në lindje. Meshkujt të cilët vuajnë nga kjo sindromë kanë gjoks më të zhvilluar, dhe tipare të tjera jonormale.
/Shkolla e Shëndetit

/shkollaeshendetit.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re