Këshilli i Ministrave përcaktoi dje disa rregulla të hollësishme për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e zjarreve në tokat bujqësore. Sipas këtij vendimi, djegia e masës bimore, pjesëve të tyre dhe mbetjeve bimore kryhet në periudhën nga 30 nëntori deri në 1 prill, në përputhje me ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar.

Djegia kryhet në një zonë të kufizuar që nuk tejkalon 5% të sipërfaqes së përgjithshme të parcelës, ku prodhohet masa bimore që asgjësohet me djegie. Po ashtu, subjektet, pronarë ose posedues, paraqesin kërkesën në njësinë e vetëqeverisjes vendore për kryerjen e procesit të djegies, e cila përmban të dhënat kadastrale të parcelës, në të cilën do të ndizet zjarri, sipërfaqen e tokës brenda parcelës ku do të kryhet procesi i djegies, shkaqet e asgjësimit me djegie, argumentimin agronomik të shkaqeve, llojin e bimësisë që do të digjet, datën dhe orën e ndezjes së zjarrit.

Kërkesa duhet të parashikojë masat mbrojtëse të marra prej subjektit për mbrojtjen nga zjarri, pëlqimin me shkrim nga pronarët ose poseduesit kufitarë të tokës bujqësore, të vërtetuar nga kryetari i fshatit.

Njësitë e vetëqeverisje vendore, brenda 5 ditëve pune nga paraqitja e kërkesës do të bëjnë verifikimin në terren të ngastrës në të cilën do të ndizet zjarri, si dhe do të njoftojnë strukturën e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin. Po ashtu, do të përcaktohet edhe një specialist i zyrës së mbrojtjes së tokës që do të mbikëqyrë kryerjen e ndezjes së zjarrit. Ndërsa, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin kryen verifikimin e përmbushjes së kushteve, si dhe përcakton masa parandaluese për djegien e kontrolluar.

Djegia e mbetjeve bimore nuk kryhet nëse materialet janë të ndotura, kanë substanca të rrezikshme, konservues, regjës, veshje të tjera artificiale, lëndë druri, pemë, mbetje nga krasitja e pemëve, gjethe, ashkla ose mbetje të tjera të ngjashme, të krijuara nga kultivimi dhe punimet në parcelë.

Po ashtu, ndalohet djegia e masës bimore, pjesëve të tyre apo mbetjeve bimore në tokat bujqësore të llojit arë, vresht, pemëtore dhe djegia në kullota, shkurre dhe ferra pa miratimin, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Përjashtimisht, asgjësimi me djegie realizohet bazuar në urdhrin e autoriteteve kompetente për shkaqe, që lidhen me shëndetin e bimëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e bimëve, mjedisit dhe shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin. Djegia e masës bimore në tokat torfike është e ndaluar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re