Nga: Hoxhë Justinian Topulli

Kemi shkruar dhe folur me dhjetëra herë për çështjen e drejtimit dhe përfaqësimit në KMSH, për gjithpërfshirjen që duhet të ketë, për ilegjitimitetin statusor e moral dhe dinjitetin e munguar, për injorimin që iu bëhet zërave këshillues e kritikë, për hermetizmin sektar e përjashtimin e të tjerëve, për keqpërdorimin e këtij institucioni për interesa sektare, për trajtimin e tij si çiflig apo plaçkë lufte nga krerët e saj,… etj. Këtë gjë e kemi bërë herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, herë të nënkuptuar, herë me gjuhë të ashpër, e herë me të butë, herë me shpresë se do të ketë reflektim, e herë me dëshpërim nga arroganca dhe shpërfillja që përçonin krerët e KMSH-së, dhe kjo që nga viti 2007.

Në të gjitha këto raste, asnjëherë nuk kemi marrë këtë vëmendje të shtuar nga mediat shqiptare, kështu që pikërisht për këtë arsye, u shfrytëzua vizita e Presidentit turk për të marrë këtë vëmendje, me shpresën gjithmonë se do t’i kushtohet sadopak vëmendje këtyre kërkesave parimore të kahershme tonat. Ndërkohë, nuk janë në fokusin tonë debatet dhe komentet e tjera, që pritej të shoqëronin dhe po shoqërojnë vizitën e Presidentit Erdogan në Shqipëri.

Ndoshta është e tepërt ta them, por ja që në këtë vendin tonë, kjo që do të them nuk është kurrë e tepërt: pas gjithë kësaj përpjekjeje, nuk fshihet asnjë interes personal, klanor apo sektar, asnjë agjendë apo financim i huaj, por thjesht dëshira dhe përpjekja për të bërë më të mirën për fenë, besimtarët dhe institucionin që na përfaqëson në këtë vend; Allahu është për këtë Dëshmitar.

Sigurisht, që gjithë kjo situatë dhe kjo përballje mund të ishte shmangur, madje vite më parë, nëse do të kishte pasur sadopak mirëkuptim dhe reflektim nga krerët e KMSH-së, por me sa duket njerëz që janë ndotur me të gjitha mëkatet e mësipërme, e kanë tepër të vështirë të pastrohen prej tyre, kështu që nuk iu kemi asnjë borxh, për atë që ndodh sot ndaj tyre.

Padyshim që nuk më vjen mirë dhe nuk jam nga ata që gëzohen me fatkeqësinë e të tjerëve, por më shumë më vjen keq për institucionin që ata kanë marrë peng, e që vuan sot pasojat e këtyre mëkateve. Lus Zotin të na hapë të gjithëve zemrat për tek e vërteta dhe e drejta, e të mos na lërë në verbërinë sektare të askujt, sepse “Vërtet, nuk verbohen sytë, por verbohen zemrat në kraharor.” (Kurani: 22: 46)

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re