VALENTINA MADANI/ Beteja me korrupsionin, për opozitën mbetet një nga sfidat më të mëdha me të cilën po përballet Shqipëria në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.

Në Këshillin Kombëtar të Integrimit, deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ngriti dje shqetësimin e mungesës së një plani dhe strategjie nga qeveria për parandalimin e këtij fenomeni.

“Progres-raporti edhe i vitit 2022, por njëkohësisht edhe i vitit 2023 jepnin qartazi një pamje ku lufta kundër korrupsionit kishte mungesën e një vizioni, por njëkohësisht mungesën e një strategjie për të trajtuar çështjet, të cilat lidhen me luftën ndaj korrupsionit në nivel parandalues dhe për të pasur një trak-rekord për sa i përket hetimit, por njëkohësisht edhe dënimit të të gjitha veprave korruptive”, – deklaroi deputetja e PD-së.

Debati u përqendrua edhe te roli i komisionit të posaçëm antikorrupsion, për të cilin shoqëria civile kërkoi shpjegime për mënyrën se si do të funksionojë.

“Nuk e kuptoj se cilat janë garancitë që vetëm deputetët e PS aktualisht në përbërje të këtij komisioni i japin shoqërisë shqiptare, qytetarëve shoqërisë civile që ky komision nuk do të zhbëjë atë që është bërë, apo çfarë vlere të re dhe të shtuar në luftën kundër korrupsionit”, – tha Blerjana Bino, përfaqësuese e shoqërisë civile.

Por socialisti Toni Gogu u shpreh: “Nëse ju vetë nuk jeni e bindur siç thatë në komentin tuaj në komentin tuaj, se nuk ishte pyetje. Është shumë e vështirë për mua t’ju tregoj se çfarë do të bëjmë. Nëse keni një pyetje unë jam i gatshëm t’u përgjigjem”.

Blerjana Bino reagoi sërish duke thënë: “Pyetja ishte thjeshtë. Cilat janë vlerat e shtuara dhe cilat janë cilat janë garancitë”? Jorida Tabaku ndërhyri teksa u shpreh: “Shikohen pastaj se si hidheni të gjithë gati për një pyetje. Një pyetje bëri shoqëria civilë, që çfarë do të bëjë ky komisioni”.

Ngritja e komisionit të posaçëm antikorrupsion u votua nga socialistët në Parlament, por mungesa e opozitës ka penalizuar vijimësinë e krijimit të këtij organi të ri në Kuvend. Shumica parlamentare votoi të enjten me 74 vota pro ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili ndër funksionet e tij do ketë edhe thirrjen në seanca dëgjimore të institucioneve të drejtësisë. I njohur ndryshe edhe si komisioni “antikorrupsion”, ai është rezultat i një rezolute të propozuar nga mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe i kundërshtuar deri më tani nga opozita.

“Komisioni i Posaçëm në zbatim të rezolutës së Kuvendit ‘Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian’ ka për qëllim kryesor të tij te drejtojë e koordinojë nje proces të thelluar reformimi”, – thuhet në vendimin e votuar në Parlament.

Komisioni do të ketë anëtarë kryetarin dhe nënkryetarin e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe kryetarin e nënkryetarin e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Kryetari i këtij komisioni nuk u caktua në seancë, por ai do i përkasë shumicës parlamentare, e cila do të ketë edhe shumicën në këtë komision.

Bazuar në formatin e bërë publik nga Kuvendi, anëtarë të komisionit janë Klotilda Bushka (PS), Dhurata Çupi (Tyli) PD, Jorida Tabaku, (PD), Etilda Gjonaj, (PS), Flutura Açka (PD), Evis Kushi (PS), Eduard Shalsi, (PS), Sorina Koti, (PD) dhe Toni Gogu, (PS). Një anëtar i 10 nga opozita do duhet të caktohet, pasi Jorida Tabaku është kryetare edhe e Komisionit për Çështjet Europiane edhe e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Pavarësisht se pretendon se ka për qëllim konsensusin, Komisioni do të jetë nën kontrollin e shumicës, e cila ka kryetarin dhe shumicën e anëtarëve në të. Grupimet e opozitës nuk morën pjesë në votim, ndërsa më herët kanë shprehur kundërshti dhe dyshime mbi qëllimet e shumicës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re