Nga Agim BAÇI* –

Një votim fillimisht me letër të bardhë. Pastaj edhe një tjetër… Tetëdhjetë e tre për qind kanë votuar “pa shenjë” në një votim të përsëritur. Ata që kanë dorëzuar fletën e bardhë janë shtuar nga votimi i pare tek i dyti. Kaq mjafton që pushteti të mos ketë më qetësinë të përballet me qytetarët e tij. Shkrimtari portugez, Jose Saramango, përmes rrëfimit në romanin “Le të ulërijmë”, ka thurur metaforën e revoltës moderne, të një kundërshtimi të pushtetit pa fjalë – pikërisht në shekullin kur fjalshmëria ka marrë dhenë dhe është zemra e sotme e atyre që duan të kenë pushtetin. Qytetarët vendosin të protestojnë, ndërkohë që politikanët nuk duan ta besojnë këtë refuzim. Diku, armiku duhet të jetë. Diku, armiku ka mundur të gjejë këtë “armë”, që tashmë kërkon përballjen, kërkon zgjidhjen.

Politikanët nuk duan ta besojnë se ndaj tyre ka një mosbesim kaq të hapur nga publiku. Ata mund të pranojnë që të votohet kundërshtari politik, duke besuar se në një lojë të tillë do të mund të kthehen sërish në pushtet. Por, mosvotimin – atë që i nxjerr pa asnjë emër, pa asnjë fytyrë, pa asnjë të nesërme – ata nuk duan ta besojnë, e aq më pak, ta pranojnë. Dhe për këtë duhet gjendur urgjentisht armiku që ka mundur të bëjë bashkë kaq shumë mendje.

Historinë me gjetjen e “kundërshtarit të rafinuar” e kërkon media, e cila, tashmë në shërbim të politikës, është në gjueti për emrin apo emrat. Dhe autori që ka mundur të thurë këtë revoltë kaq të pamenduar dhe të pamenaxhueshme nga politika, afërmendsh, duhet të jetë dikush që di, dikush që mendon e, për më tepër, dikush që ka zgjatur dorën për të ndihmuar të tjerët. Dhe për të projektuar armikun piketohet pikërisht ajo, gruaja e mjekut – e vetmja që, disa vite më parë, (romani “Verbëria”) pati fatin të shihte, ndërkohë që i gjithë qyteti u mbush vetëm me persona të verbër. Ajo – pikërisht ajo që ka parë dhe ka ndihmuar të tjerët – është gjahu ideal për shtypin dhe qeverinë, është historia që mund të mbartë një të shkuar që nuk duam ta kujtojmë. Dhe nis të vendoset rregulli i vjetër i pushtetit – pushteti pa Njeriun.

“Një rregull i pandryshueshëm i pushtetit thotë se ia vlen më mirë t’i presësh kokat para se ata të fillojnë të mendojnë, sepse më pas ka mundësi të jetë shumë vonë”. (Jose Saramango, “Le të ulërijmë”, Dudaj, Përkthim nga Nasi Lera, f. 115)

Fillimisht është kryetari i bashkisë që refuzon të drejtojë një bashki të pavotuar, ndërkohë që një drejtuesi policie i duhet të kërkojë të vërtetën. Qeveritarët – Presidenti, Kryeministri, ministrat – vihen në garë se kush do të gjejë zgjidhjen, se kush do zbulojë kurthin. Shtypi është në garë që të gjejë fajtorin. Ndërkohë, përballë qëndron thuajse i vetëm një shef policie. Ai ka qenë katër vite më parë mes të verbërve të qytetit, ndërkohë që ka fiksuar mirë gruan që mundi të bënte diçka në atë qytet në kohën kur nuk shihte askush. Dhe ai guxon të kundërshtojë, të kërkojë që të mos gjendet njeriu i gabuar për ndëshkim.

“Nëse kjo që tregon këtu është e vërtetë, në qoftë se ajo grua, le ta pranojmë se ekziston, nuk u bë e verbër dhe ndihmoi të tjerët në fatkeqësinë e tyre, nuk mund të përjashtohet që autori i letrës është gjallë vetëm falë asaj, kush e di edhe prindërit e mi do të ishin midis të gjallëve sikur të kishin pasur fatin ta takonin atë grua. Letra thotë se ajo vrau dikë, zoti President, askush nuk e di me saktësi se sa persona u vranë gjatë atyre ditëve, u përcaktua që të gjitha kufomat e gjetura ishin si rezultat i aksidenteve apo i shkaqeve natyrore, edhe ne u vumë një gur përsipër. Edhe gurët më të rëndë mund të lëvizen, është e vërtetë, zoti President, por unë jam i mendimit që ta lëmë gurin atje ku është, e marr me mend se nuk ka asnjë dëshmitar okular për këtë krim dhe, nëse ka pasur në atë kohë, ata ishin që të gjithë të verbër midis të verbërve, do të ishte absurde, e pakuptimtë të nxirrnim këtë grua përpara gjykatës për një krim që askush nuk e pa ta kryente dhe për të cilin nuk ekziston trupi i krimit. Autori i letrës pohon se ajo ka vrarë. Po, por ai nuk thotë se ka qenë dëshmitar i krimit…” ( Po aty, f.189).

Saramango, përmes ironisë dhe një humori të zi arrin të ndërthurë anët e padukshme të pushtetit dhe historisë dëshpëruese të betejës në shoqërinë e sotme, ku më i rrezikuari nga të gjithë është ai që di dhe thotë të vërtetën. Janë fjali pa një ndërprerje, ku nuk dihet ku nis e mbaron komunikimi, si për të pikturuar një shoqëri, që ka hequr kufijtë e vlerave dhe është nën kurthin e një pushteti që nuk ka në qendër më Njeriun, por vetveten, që nuk ka qëllim të gjejë të vërtetën, por të ndërtojë një fabul për karrigen…

“Komisari, si mbylli telefonin, pyeti me vete se mos ishte marrëzi që kishte pohuar se linja telefonike, si t’i përkiste vetëm atij, ishte e sigurt dhe se në mbarë vendin asgjë nuk kishte që të ishte më e sigurt se ajo. Ngriti supet dhe murmuriti, pak rëndësi ka, asgjë nuk është e sigurt, askush nuk është i sigurt… Ai nuk fjeti mirë, pa në ëndërr një re me fjalë që i vidhej dhe i zhdukej kur ai i ndiqte me një rrjetë për flutura, duke iu lutur, ‘Ndaloni, ju lutem, mos lëvizni, më prisni…’. Ai kapi një gazetë. Ishte një ëndërr e ligë, por do të ishte edhe më keq sikur albatrosi të shkonte të nxirrte sytë e gruas së mjekut”. (Po aty, f.280)

…Saramango thjesht kërkon që të “ulërijmë” përpara se të kemi humbur edhe zërin…

*Panorama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re