Partitë politike në Maqedoni kanë dorëzuar amendamentet për ligjin për gjuhën shqipe. Ato synojnë një përdorim më të gjere të saj ne të gjitha nivelet.
 
Sipas projektligjit, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë ka të drejtë të drejtojë seancat në gjuhën shqipe. Po ashtu edhe ministrat shqiptarë do të mund të flasin në gjuhen e tyre në seancat qeveritare.
 
Përsa i përket qytetarëve, shqipja do të përdoret në institucionet në nivel qendror, si në posta, fondin e shëndetësisë dhe komisione të ndryshme, ne pullat postale, fletëpagesat, aktet e noterëve dhe përmbaruesve.
 
Edhe tabelat e institucioneve do të jenë në dy gjuhë, jo vetëm në Shkup, por edhe në komunat në të cilat shqiptarët janë më shumë se 20 % e popullsisë.
 
Përveç kësaj, ligji parashikon përdorimin e gjuhës shqipe edhe në zonat kufitare dhe aeroporte ku të paktën 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga ajo maqedonase, përkatësisht në qytetet që ndodhen në kufi me Shqipërinë dhe Kosovën.
 
Megjithatë, zbatimi në praktikë i këtij ligji pritet të hasë më shumë vështirësi në proceset gjyqësore, pasi ndryshimet do të kërkojnë nevojën për qindra përkthyes në gjykata dhe në prokurori.
 
Pas pak ditësh në komisionet parlamentare pritet shqyrtimi i dytë i këtij drafti, por seanca mund të zgjasë përtej parashikimeve për shkak të paralajmërimit nga opozita maqedonase, e cila mund të paraqesë një numër të madh amendamentesh, me qëllim zvarritjen e diskutimeve në parlament.
 
Nga ana tjetër, në vend janë shtuar debatet nëse gjuha shqipe do të bëhet gjuhë e dytë zyrtare, apo do të ketë vetëm avancim të përdorimit të saj.
 
 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re