Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot mjekë të dalluar të sportit shqiptar, me kontribute të çmuara në dobi të rritjes dhe përmirësimit të shëndetit të sportistëve cilësorë dhe zhvillimit të aftësive të tyre fizike.

Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Minella Kapon (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar në themelimin e mjekësisë sportive dhe ndihmën e jashtëzakonshme në zhvillimin e sportit. Me punën e tij të palodhur, ndikoi në formimin e ndërgjegjes kombëtare në dobi të shëndetit të sportistëve dhe njerëzve tanë”.

Gjithashtu, Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” doktorin Koli Gaqi (pas vdekjes)“Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar në mjekësinë sportive. Pedagog i shquar në lëndën e fizkulturës e shkencës sportive, si dhe promovues e veprimtar në dobi të shëndetit të popullit”;

Z.Profit Canaj “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shkëlqyer në mjekësinë sportive, vlerat e çmuara si pedagog dhe punën e frytshme në forumet kombëtare dhe ndërkombëtare. I dalluar për botimet e studimet e tij në fushën e sportit në dobi të rritjes së cilësisë”;

Z.Zyhdi Çoba “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar në mjekësinë sportive, si mjek me skuadrën e futbollit ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar. I dalluar për profesionalizmin e tij në dobi të rritjes dhe përmirësimit të shëndetit të sportistëve cilësorë”;

Z.Lluka Heqimi “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh në mjekësinë sportive dhe vlerat e çmuara si mjek i spikatur në ekipet e klubeve dhe Ekipin Kombëtar të futbollit. I shquar si pedagog në Universitetin e Sporteve, si dhe për studimet në dobi të forcimit të shëndetit dhe zhvillimit të cilësive fizike”;

si dhe z.Isuf Saliçe “Në shenjë vlerësimi për kontributin e spikatur në mjekësinë sportive dhe futjen e metodave të reja në stërvitjen për zhvillimin e cilësive fizike. i suksesshëm në arritjen e rezultateve të larta për atletet kampione të ‘Skënderbeut’ dhe lojës së sportistëve elitarë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës theksoi se mjekët e sportit përveç angazhimit në studimet shkencore, kanë punuar pa u lodhur në stadiumet dhe pallatet e sportit, për përmirësimin e cilësive të sportistëve, si dhe kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar, në parandalimin dhe rehabilitimin e traumave sportive.

“Kam privilegjin të nderoj disa nga figurat e shquara të mjekësisë sportive, të cilët kanë qenë pjesë e rëndësishme e shëndetit të sportistëve tanë dhe një nga shtyllat e domosdoshme të rezultateve sportive.
Mjekët e sportit përveç angazhimit në studimet shkencore, kanë punuar pa u lodhur në stadiumet dhe pallatet e sportit, për përmirësimin e cilësive të sportistëve, si dhe kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar, në parandalimin dhe rehabilitimin e traumave sportive.
I paharruari Profesor Minella Kapo është themeluesi i mjekësisë sportive dhe ideatori i studimit mbarëkombëtar mbi zhvillimin fiziko-funksional të popullatës nga 6-60 vjeç.
Ai është themeluesi i Klubit Sportiv ‘Studenti’, si dhe themeluesi i Sektorit Shkencor të sportit, pedagog, studiues me mbi 70 artikuj shkencorë, 7 monografi në fushën e sporteve dhe autor librash rreth edukimit fizik.
Koli Gaqi, një tjetër mjek sportiv që nuk ndodhet më midis nesh është një personalitet i mjekësisë sportive.
Ai konsiderohet me të drejtë si një nga krijuesit e mjekësisë së edukimit fizik dhe shkencës sportive.
Dr. Koli për shumë vite ka qenë mjek i ekipit kombëtar të futbollit dhe i ekipit të futbollit të Shkëndisë.
Doktor Profit Canaj që vlerësohet sot me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ është një nga figurat që ka dhënë një kontribut të shkëlqyer në mjekësinë sportive.

Ai është vlerësuar për punën dhe studimet e tij në forumet kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është shquar për botimet e studimet në fushën e edukimit fizik dhe sportit në dobi të rritjes së cilësisë sportive. Zyhdi Çoba është një nga ish basketbollistët e ‘Vllaznisë’ dhe Ekipit Kombëtar, i cili iu përkushtua pasionit të tij për mjekësinë. Në vitin 1968 krijon kabinetin e parë të mjekësisë sportive në Shqipëri.

Në vitin 1970 ai do të jetë mjek në Ekipin Kombëtar Shpresa dhe Ekipin Kombëtar të futbollit.

Zoti Çoba është anëtari i parë i mjekësisë sportive në vitin 1973. Ai shoqëron shumë ekipe sportive në veprimtaritë ndërkombëtare në disa lloje sporti.

Për 20 vite punon si mjek sportiv i ekipit të futbollit ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar U-21.

Doktor Lluka Heqimi ka qenë mjek i Ekipit Kombëtar të futbollit në vitet 1982-2004.

Ai ka qenë antar i këshillit të lartë të sportit, komisionit antidoping, komisionit mjekësor të futbollit, KOKSH-it, boksit, etj.

Dr. Lluka ka dhënë një kontributit të madh në mjekësinë sportive, si mjek i spikatur në ekipet sportive dhe Ekipin Kombëtar të futbollit.

Ai është dalluar si pedagog i lëndëve mjeksore dhe për studimet në fushën e sportit, në dobi të kulturës fizike dhe performancës së sportistëve elitarë.

Dr. Isuf Saliçe, në karrierën e tij si mjek sportiv, hodhi bazat në ndërtimin e ngarkesave stërvitore për atletet e njohura korçare.

Ai ka dhënë një kontribut të çmuar në arritjen e rezultateve historike në atletikë, nga atletet e mirënjohura Pavlina Evro, Anila Mekshi, Alma Qeramixhi, si dhe në shumë sporte të tjerë.

Dua të theksoj, se titujt që ju akordohen sot, janë të rëndësishëm për ju dhe historinë e sukseseve të sportit tonë.

Kontributi juaj është një kurorë e çmuar në të gjitha rezultatet e sportit shqiptar, ashtu si dhe profesionalizmi juaj ka qenë gjithmonë një nxitje për të rinjtë dhe të rejat, për t’u mos u ndalur, pasi sporti është mjeti më i mirë për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve tanë!”, deklaroi Presidenti Meta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re